Në brendësi të tokës së bregdetit të Jonit, larg syrit të zakonshëm të vizitorëve dhe pak i përmendur në literaturën bashkëkohore, ndodhet një qytet antik me vlera të jashtëzakonshme historike dhe arkeologjike. Bëhet fjalë për qytetin antik të vendosur në zonën e Malçanit, në bashkinë Finiq, i njohur deri më sot thjesht si “qyteti antik i Malçanit”.

Sipas arkeologut Halil Shabani, prej vitesh ekzistojnë mendime dhe hipoteza nga arkeologë dhe historianë që ky vendbanim i lashtë mund të identifikohet me qytetin antik Helikranon, i përmendur në burimet e lashtësisë.

“Ka mendime nga disa arkeologë dhe historianë që nga lashtësia se këtu ndodhet një qytet me emrin Helikranon. Që atëherë aludohet se ky është qyteti antik i Helikranonit, por ende nuk është vërtetuar.” tregon arkeologu Halil Shabani.

Në literaturën antike, Helikranoni përmendet si një qytet i vendosur në tokat e brendshme, por me lidhje të drejtpërdrejta me ngjarje madhore të kohës.

“Ky qytet antik përmendet në literaturën antike si qytet në tokat e brendshme, por edhe se ka lidhje me ardhjen në ndihmë të ushtrisë së Etolëve, të thirrur nga Foinike, në kohën kur u sulmua nga mbretëresha e Taulantëve, Teuta, dhe komandant i ushtrisë ka qenë Skerdilajdi.” nënvizon arkeologu Shabani.

Pikërisht këto të dhëna e bëjnë Malçanin një pikë kyçe për studimin e historisë së Epirit.

Nga banorët e zonës, ky vend njihet më tepër si një kala, por sipas specialistëve, e vërteta është se kemi të bëjmë me një qytet antik të mirëfilltë, i ndërtuar pa akropol, i ngjashëm në tipologji me qytetin antik të Çukës së Ajtoit në Konispol. Muret mbrojtëse të këtij qyteti paraqesin ngjashmëri të dukshme me muret e qyteteve antike në Lekël dhe Matohasanaj.

“Nga zbulimet arkeologjike është përcaktuar se qyteti ka lulëzuar në shekullin e tretë para Krishtit. Muret rrethuese arrijnë trashësi deri në 3.5 metra dhe në to ndodhen 16 kulla mbrojtëse, të vendosura në gjithë gjatësinë e murit mbrojtës. Qyteti është ndërtuar me banesa në dy sisteme taracimi.” sipas arkeologut Halil Shabani

Muri rrethues shtrihet në një gjatësi prej rreth 1000 metrash, ndërsa sipërfaqja e rrethuar e qytetit arrin në rreth 110 mijë metra katrorë.

Struktura urbane e qytetit tregon një organizim të avancuar për kohën, me banesa të ndërtuara në dy sisteme taracimi, çka dëshmon për shfrytëzim të zgjuar të terrenit malor. Gërmimet arkeologjike në këtë qytet janë kryer nga arkeologu Dhimitër Çondi, duke hedhur bazat e para shkencore për studimin e tij.

Gojëdhënat e banorëve të Malçanit

Për banorët e Malçanit, ky vend mbetet i njohur si “kalaja në malin e Shën Ilisë”, “kalaja e mbretit” apo edhe “kalaja e mbretit Pirro të Epirit”, duke e lidhur në mënyrë simbolike me figurën e njohur historike. Sipas gojëdhënave, banorët e qytetit furnizoheshin me ujë nga një burim që ndodhej 3–4 kilometra larg, nëpërmjet një tubacioni prej qeramike – një tjetër dëshmi e nivelit të lartë teknik për kohën.

Qyteti mbrohej nga një mur i fuqishëm rrethues, i ndërtuar për t’u përballur me sulme të mundshme nga armiqtë dhe pushtuesit. Në kujtesën popullore ka mbërritur edhe historia e rënies së qytetit: thuhet se ushtria pushtuese, pasi e kishte rrethuar për një kohë të gjatë, përdori një kalë të etur për ujë për të zbuluar vendin ku kalonte tubacioni i furnizimit. Me ndërprerjen e ujit, qyteti u detyrua të dorëzohej. Koha e saktë e kësaj ngjarjeje mbetet ende e panjohur.

Qyteti antik i Malçanit mbetet sot një pasuri e madhe historike dhe kulturore, ende e pazbuluar plotësisht, që pret vëmendje më të madhe shkencore dhe institucionale, për t’i dhënë vendin që meriton në hartën e trashëgimisë së lashtë të jugut të Shqipërisë.