TIRANË- I mituri që vrau me thikë 14-vjeçarin Martin Cani dhe shokun e tij pranë shkollës Fan Noli në Tiranë vetëm një vit më parë, do të vuajë 16 vite heqje lirie. Vendimi u dha ditën e sotme nga Gjykata e Tiranës, e cila e shpalli fajtor të miturin 15-vjeçar për dy vepra penale: vrasje në rrethana te tjera cilësuese ndaj Martin Canit, si edhe vrasje në rrethana te tjera cilësuese mbetur në tentativë ndaj të miturit tjetër që mbeti i plagosur.

Konkretisht, autori është dënuar me 12 vite për vrasjen e Martinit dhe 10 vite për tentativën e vrasjes së të miturit tjetër, por në bashkim të dënimeve përfundimisht u dënua me 16 vite heqje lirie.

Në përfundim të gjyqit, babai i Martin Canit, Engjell Cani, tha se ky vendim është rreze drite për familjen e tij, megjithatë sikur edhe të dënohej edhe me dënim përjetë, sërish dhimbja nuk hiqet. Babai tha se tragjedia mund të ishte shmangur nëse shkolla do t’i kishte njoftuar me mesazh për sherrin mes të miturve që kishte nisur brenda ambienteve të shkollës.

“Ka nxjerrë një rreze drite për Martinin, por dhimbja nuk krahasohet. Dhimbja jonë është e pakrahasueshme, edhe burgim të përjetshëm të ishte, është e pakrahasueshme. Sherri ka ndodhur që të premten dhe ne me një SMS mund të shpëtonim jetë. Shkolla nuk na ka njoftuar, me një SMS do shpëtonim jetë. Autori s’ka pasur asnjë pendesë”, tha babai.

Avokati mbrojtës i familjes Cani tha se sot është bërë drejtësi, ndërsa pyetjes nëse do ta apelojnë vendimin iu përgjigj duke thënë se do presin zbardhjen e vendimit.

“Ne do ta vlerësojmë vendimin kur të zbardhet i plotë, kemi 15 ditë kohë për ta parë me detaje nëse ka momente që duhen akimuar ose jo. Sot Gjykata ka bërë drejtësi”, tha avokati Redi Ramaj. 

Prokuroria kishte kërkuar dënimin me 25 vite burg për veprën penale vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave.

Si u vra Martin Cani? 

Ngjarja ndodhi më 18 nëntor, 3 ditë pasi kishte lindur konflikti mes dy adoleshentëve brenda shkollës, për motive krejt banale, i cili në dukje u mbyll, por që u rindez sërish po brenda shkollës. 2 të miturit u takuan paradite në tualetet e shkollës, debatuan sërish por u ndanë nga roja i sigurisë. Pas mësimit, me shokët respektivë, u takuan jo shumë larg oborrit të shkollës, ku nisi një sherr që përfundoi me vrasjen e Martinit, plagosjen e shokut të tij dhe vetëplagosje të autorit me thikën e tij. Pas ngjarjes autori e hodhi çantën me thikën në një ndërtesë të vjetër, e cila u gjet disa ditë më vonë dhe ekspertiza nxori se me të njëjtën thikë ishte goditur viktima dhe i plagosuri.

Autori u arrestua. Për ditë me radhë ngjarja u mbulua me mister. Babai i 14-vjeçarit të plagosur akuzoi policinë se ngjarja po fshihej dhe se në konflikt janë përdorur 2 thika dhe se djali i tij ishte goditur me të dyja. Këto deklarata të ripërsëritura detyruan policinë të bëj disa reagime publike, duke u shprehur se në ngjarje, referuar pamjeve te kamerave, dëshmive dhe provave, në sherr ishte përdorur vetëm një thikë dhe autori i dytë i pretenduar nuk kishte rol dhe thikë tjetër. 

Çështja mori edhe kontekst politik pasi protesta të shumta u organizuan, me kërkesë për më shumë siguri në shkolla dhe dorëheqje të ministres së Arsimit. Një konsultim i gjerë publik, i urdhëruar nga Kryeministri Rama, me prindër në të gjithë vendin konkludoi në vendimin e qeverisë për të mbyllur rrjetin social “TikTok” si një hapësirë bullizmi dhe dhune, ku adoleshentët nisin përplasjet mes tyre.

Kliko këtu për të lexuar vendimin e plotë