Për një 2014 plot me buzëqeshje

Për një 2014 plot me buzëqeshje
Kur njerëzit ecin rrugës, lëvizin nëpër qendrat e mëdha tregtare, nuk duken shumë të kënaqur. Shpesh sheh familje, ku gruaja ka një pamje e fytyrë të lodhur, ndërsa bashkëshorti një çehre të mërzitur e të nervozuar. Në përgjithësi mungon buzëqeshja në Shqipëri. Kur përshëndet në ashensor, në shkallën e pallatit, në punë, apo në një përplasje të rastësishme pa dashje, në mënyrë instiktive nuk del një buzëqeshje, por një bezdi. Njerëzit janë ngurtësuar aq shumë në të përditshmen e tyre, saqë, edhe aro pak veta që përshëndesin dhe mbartin hare të natyrshme, nuk marrin asnjëherë të njëjtën përgjigje, por shihen me habi. Më ka qëlluar të vërej në një ambjent me shumë njerëz, nëse ndokush hyn i hareshëm duke thënë një mirëdita, për shumicën, është njësoj sikur të kishte hyrë dhe folur një mizë: zero reagim dhe komunikim njerëzor.

Edhe në rrjetet sociale, - ku mundësia për të shprehur në publik shpejt çdo ndjenjë të momentit është më e kollajtë se të marrësh telefonin, apo mailin, - reagimet dhe ndjenjat negative janë më me shumicë se një mendim pozitiv. Duket se për shumë veta frenat inibitorë nuk e kryejnë funksionin  që ka civilizuar në mijëvjeçarë njerëzimin e hidhen keqazi me fjalë për këdo e kurdoherë. Eshtë e vështirë të jesh gjithnjë i hareshëm në jetë dhe këtë elegancë dhe lehtësi të shpirtit pak vetë mund ta kenë arritur në botë, por edhe plumbi i zi që duket sheshit në qarkullim, është e kundërta e asaj që duhet të synojmë të gjithë.

Nuk ka njeri pa halle dhe siç thotë populli, halli hallit nuk i ngjan, por pak buzëqeshje, mendim pozitiv, e zvogëlim të negativitetit, do të ishte mirë për të gjithë. Them mendim pozitiv, jo falje ndaj keqbërësve të shoqërisë.
Një shembull I madh për mua janë disa njerëz që në jetë janë përballur vërtetë me problem serioze që kanë vënë në pikëpyetje ekzistencën, siç janë sëmundjet terminale: e pra, me buzëqeshje, optimizëm, pozitivitet, kam të njohur që i kanë thënë lamtumirën dhe sëmundjeve më të frikshme të shekullit. E ku ka hall më të madh se një sëmundje e keqe në varfëri, në momentin e humbjes së vendit të punës dhe të vështirësive ekonomike? Por ja që në këto moment, ka njerëz që pasurinë më të madhe zbulojnë se e kanë brenda vetes dhe nuk presin asgjë nga askush për të shpëtuar e për t’u ngritur në fluturim pas zhytjes së tmerrshme.

Mendoj gjithmonë për këta miq – nuk janë shumë – por kanë me vete forcën e Diellit. Ja, këtë forcë do të dëshiroja të gjenim të gjithë për vitin 2014. Eshtë dëshira dhe urimi im nga kjo rubrikë modeste që mbaj hapur që nga viti 2000.
 

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Ylli Pata: Nga sheshet plot, te bllokimi i rrugëve, diferenca e opozitës serbe me atë të Berishës

Ylli Pata: Nga sheshet plot, te bllokimi i rrugëve, diferenca e opozitës serbe me atë të Berishës