TIRANË- Sot mund të ishte një ndeshje shprese, por kjo nuk ndodhi! Shqipëria nuk ia doli që të merrte në fitore në ‘Air Albania’ në përballjen me Islandën, ndeshje kjo e vlefshme për Ligën e Kombeve. Islanda barazoi në minutën e 97, duke zhvlerësuar golin e realizuar nga Emir Lenjani në pjesën e parë. Mikael Anderson ka arritur të depërtojë topin në rrjetë, duke i shuar shpresat kuqezinjve për marrjen e 3 pikëve. 

Skuadra mike mbeti me një lojtar më pak në fushë në minutën e 11-të të takimit, kur pas konsultimit të VAR-it, Aron Gunnarsson u përjashtua me të kuq për një ndërhyrje në afërsi të zonës, por kjo as kjo nuk mjaftoi dhe nuk u shfrytëzua nga kuqezinjtë. Në 10 ndeshje asnjë fitore dhe kjo ka shkaktuar zemërim te tifozët, të cilët në përfundim të takimit kanë vërshëllyer madje kanë fyer dhe kanë kërkuar edhe largimin e trajnerit italian, Edy Reja.  

Kjo ishte ndeshja e fundit në grup, ku Izraeli renditet i pari, Islanda dhe më pas kombëtarja shqiptare, që arriti të siguronte vetëm 2 pikë, duke lënë pas vetëm Rusinë e skualifikuar për shkak të luftës në Ukrainë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:50
Shqipëria barazon me Islandën, tifozët vërshëllejnë në fund të ndeshjes, kërkohet largimi i Rejas (VIDEO)

 

Në përfundim të ndeshjes, tifozët kanë vërshëllyer të zhgënjyer nga takimi, teksa i kërkojnë trajnerit Edy Reja që të largohet.

Ora 22:44
Shqipëria e pa fat, Islanda shënon gol në minutën e 97

1664311502_1664309191ndeshja19.jpeg

U duk sikur po shkonim drejt fitores, por në minutat shtesë, Islanda ka shënuar gol. Mikael Anderson ka arritur të depërtojë topin në rrjetë, duke i shuar shpresat kuqezinjve për marrjen e 3 pikëve.  

Ora 21:23
Shqipëria kalon në avantazh, shënon Lenjani! Islanda me një lojtar më pak

 

Shqipëria ka kaluar në avantazh. Emir Lenjani ka shënuar gol në minutën e 37. Ndërkohë, Islanda prej shumë mimutash është në fushë me një lojtar më pak.
 

Ora 19:40
Ndeshja Shqipëri-Islandë, publikohen formacionet zyrtare! Reja bën 5 ndryshime, Broja dhe Hysaj ulen në stol

Kombëtarja e futbollit pret sonte Islandën në “Air Albania”  me objektivin e vetëm për fitore. Trajneri Edy Reja ka bërë ndryshime të rëndësishme në formacion krahasuar me ndeshjen e humbur ndaj Izraelit duke ulur në stol Hysajn, Ajetin, Asllanin, Laçin e Brojën. Dhe në vend të tyre aktivizohen Lenjani, Veseli, Ramadani, Bajrami dhe Uzuni.

FORMACIONET ZYRTARE

SHQIPËRIA: Strakosha, Balliu, Ismajli, Veseli, Gjasula, Lenjani, Ramadani, Abrashi, Bajrami, Uzuni, Cikalleshi.
Trajner: Edy Reja

ISLANDA: Runarson, Gunarson, Magnuson, Olfson, Palson, Helgason, Bjarnason, Johaneson, A. Sigurdson, Finbogason, Torsteinson.
Trajner: Arnor Tor Vidarson

Ora 18:52
Tifozët e Kombëtares unikë, sfidojnë shiun dhe këndojnë për ngjyrat kuqezi (VIDEO)

Shqipëria mund të ketë 9 ndeshje pa fituar, mund të ketë dalë nga objektivi në sfidën e fundit dhe mund të luajë sot në kushte atmosferike jo të mira, por në çfarëdo lloj situatë janë disa që nuk ndryshojnë. Bëhet fjalë për ‘Tifozët Kuq e Zi’, të cilët kanë sfiduar motin ditën e sotme për të ndjekur kombëtaren në ndeshjen e fundit të Ligës së Kombeve, që luhet në ‘Air Albania’ kundër Islandës.

Tifozët Kuq e Zi, ashtu edhe Fikshat e Kaçanikut, janë parë në rrugët e kryeqytetit teksa brohorasin dhe këndojnë në mbështetje të kombëtares edhe pse bie shumë shi. Një dashuri pa kushte të cilën djemtë kuqezi e transmetojnë në çdo lloj rrethane. Edhe atëherë kur shumëkush mund të ketë humbur dëshirën për të ndjekur kombëtaren qofte edhe nga televizioni.

Ora 17:51
Ndeshja e fundit e Kombëtares në Ligën e Kombeve, priten deri në 10 mijë tifozë në ‘Air Albania’

Shqipëria do luajë sonte kundër Islandës ndeshjen e fundit në grupin e Ligës së Kombeve që ka një rëndësi specifike pas disa disfatave rradhazi. ‘Është për të treguar se mund të ringrihemi’ tha Sokol Cikalleshi, i cili gjithashtu i bëri thirrje tifozëve që të jenë sa më të shumtë në stadiumin ‘Air Albania’.

Report Tv mëson se deri më tani janë shitur rreth 8 mijë bileta për ndeshjen, ndërsa pritshmëria e FSHF-së deri në orën 20:45 kur takimi të nisë është që kjo shifër të shkojë në 10 mijë.

Një numër relativisht i ulët që lidhet me një sërë faktorësh. Pritshmëria e vogël që tifozët kanë te kombëtarja, humbjet e fundit apo edhe dalja jashtë objektivit. Me shumë mundësi kjo do të jetë edhe ndeshja e fundit e trajnerit Reja në krye të kombëtares shqiptare.

Ora 16:55
Ndeshja Shqipëri-Islandë, policia plan masash, nga ora 18:00 bllokohen disa segmente rrugore

 

1663425122_630471e955a85Policia11068x600.jpg

Policia Rrugore ka marrë një plan masash për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë ndeshjes që do të zhvillohet në stadiumin ‘Air Albania’ mes Shqipërisë dhe Islandës.

Do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore gjatë momentit të kalimit të tifozëve, nga ora 18:00 deri në përfundim të aktivitetit, konkretisht: 

– Rruga “Lek Dukagjini”, përreth stadiumit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Presidenca deri te sheshi “Nënë Tereza”.

Policia do të garantojë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të përcaktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve jashtë itinerarit të caktuar.  

Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozerive respektive, për zbatimin e detyrimeve të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura, nga ora 18:00 deri në përfundim të aktivitetit.

Po në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve, para hyrjes në stadium, për sende të kundërligjshme (si armë, sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalikë, lëndë piroteknike etj). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.

Nuk do të lejohen të futen në stadium persona të papajisur me dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindërit apo të kujdestarit. 

Gjithashtu, nuk do të lejohen të futen në stadium tifozët që në aktivitete të ndryshme sportive janë të identifikuar nga Policia, si problematikë.

Policia ju bën me dije se në rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike, do të ndërhyjë si në ambientet e jashtme të stadiumit, ashtu dhe në ambientet e brendshme, për rivendosjen e rendit dhe shoqërimin e personave që do shkaktojnë trazira apo do të kryejnë veprime antisportive.  

Ora 11:50
Kërkohet largimi i tij, Edi Reja: Të ardhmen time e di vetëm Zotin

 

Edi Reja i vënë në qendër të kritikave për rezultate e kombëtares nën drejtimin e tij dhe pas humbjes në Izrael, i pyetur në konferencën për shtyp para sfidës ndaj Islandës, për të ardhmen e tij thotë se atë e di vetëm zoti.