Nëse edhe kjo akuzë vërtetohet, atëhere pozita e të arrestuarve mund ta rëndohet akoma më shumë në rradhën e formulimit të veprave të tjera penale, të cilat kanë lidhje me veprimtarinë kriminale që u zbulua brenda një kohe të shkurtër, nëpërmjet bashkëpunimit të disa institucioneve ligjzbatuese në Shqipëri dhe Gjermani.
Sigurisht, të provuarit përfundimisht të përfshirjes në një Grup të Strukturuar Kriminal zakonisht kërkon ca kohë, që do të duhej të ”harxhohej” me hetime intensive dhe të plota, gjatë të cilave, të pandehurit, apo shumica e tyre të pranonin këtë akuzë dhe rolin e caktuar secilit në aktivitetin kriminal.
Në këtë kuadër, e nevojshme është, gjithashtu, që organi i hetimit dhe i akuzës, në rastin konkret Prokuroria e Krimeve të Rënda, të mos mbështetet vetëm te trajtimi që i bën Kodi ynë Penal saktësimit të elementeve të Grupit të Strukturuar Kriminal, pasi në literaturën juridike janë shprehur edhe rezerva, që të adresojnë në mangësi të theksuara të këtyre elementeve, çka ka ndikuar në ndonjë rast të praktikës në vendin tonë, deri diku të varfër në këtë drejtim, te prapësime të akuzës gjatë debatit gjyqësor.
Në një kohë që ndoshta më e arësyeshme do të ishte analiza e tipareve të këtij cilësimi juridik nën optikën e paraleleve që hiqen midis dispozitave konkrete të Kodit Penal dhe atyre të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar (ndryshe: Konventa e Palermos). Aq më e saktë dhe e efektshme do të ishte kështu akuza, po të mbajmë parasysh edhe që ky Akt në rrafsh global është ratifikuar nga Republika e Shqipërisë dhe që Kushtetuta e saj parashikon në nenin 122/2, se: “Një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar me ligj ka epërsi mbi ligjet e vendit që nuk pajtohen me të”. Prandaj, më poshtë do t’i referohemi pikërisht përcaktimeve që përmban Konvente e Palermos, duke bërë ndonjë interpretim sa më konçiz të tyre.
Për dijeni të lexuesit, në nenin 2 të këtij akti juridik jepen disa përkufizime, ndër të cilat edhe ai i Grupit të Strukturuar. Konkretisht: ”c) Shprehja ’grup i strukturuar’ përshkruan një grup që nuk është krijuar rastësisht, për të kryer menjëherë një shkelje dhe që nuk ka domosdoshmërisht role të përkufizuara formalisht për anëtarët e vet, sikurse as vazhdueshmëri në përbërje, por ka pra një strukturë të studiuar.
Më tej, nënvizohen elementet që duhet te ekzistojnë në një organizatë kriminale, në mënyrë që të jemi përpara një forme të tillë bashkëpunimi. Në Konventë dhe në të gjitha protokollet e saj është saktësuar, se do të kishim të bënim me Grup të Strukturuar Kriminal vetëm nëse ekzistojnë 4 tipare: 1. Ekzistenca e një strukture organizative të përshtatshme për të realizuar një ose disa vepra penale;
2.Një bërthamë permanente pjesëmarrësish, me të paktën tre persona, që zakonisht shfaq prirjen për të zgjatur edhe përtej realizimit të veprimtarisë kriminale; 3. Një bërthamë pjesëmarrjeje, që ka si qëllim realizimin e një programi kriminal dhe për objekt kryerjen e një kategorie të paracaktuar veprash penale (krime), që konsistojnë në shkelje të rënda; 4. “Afectio societatis scelerum”, që e tejkalon shprehjen e vullnetit dhe dashjes, për të kryer veprë/n/at penale, dhe është tregues i ndërgjegjësimit të anetarëve të organizatës, për t’u grupuar së bashku me qëllim kryerjen e krimeve.
Ekzistenca e këtyre tipareve të përmendura më lart është cilësuar nga Konventa e Palermos si kusht i domosdoshem për të pasur këtë formë bashkëpunimi. Mungesa, qoftë edhe njërit prej 4 elementeve, do të ishte e mjaftueshme për ta përjashtuar një organizatë nga cilësimi ’Grup i Strukturuar Kriminal’, dhe kjo për faktin që secili nga këta elementë është shprehës i veçorive dhe i stadit të jetës kriminale te grupimit, domethënë, të rrezikshmërisë së tij. Në një analizë, qoftë edhe të shkurtër, që do t’i bëhej secilit prej këtyre elementeve, do të ishte më e lehtë të kuptohej rëndësia e spikatur që ata kanë, duke e bërë më të qartë dallimin midis ’Grupit të Strukturuar’ dhe formave të tjera të bashkëpunimit.
Në elementin e parë që përcakton Konventa e Palermos, si kusht për ekzistencen e Grupit të Strukturuar, në sy bie domosdoshmëria e një strukture të përshtatshme të organizatës, për të realizuar objektivat kriminale. Kjo i referohet në kuptim të Konventës një grupi që nuk është krijuar rastësisht, për të kryer aty për aty një vepër penale, por bëhet fjalë për një organizatë që është krijuar mbi bazën e një plani të studiuar mirë, që ka një minimum anëtarësh dhe një qëllim thelbësisht të paracaktuar për të kryer jo një vepër të momentit, por një shkelje të rëndë mbi bazën e dashjes direkte me vullnet të plotë dhe me qëllimin për të realizuar përfitime financiare apo përfitime materiale.
Pra, shprehja e vullnetit për të qënë anëtar i Grupit të Strukturuar bëhet jo në momentin që kryhet vepra penale dhe as në një kohë relativisht të shkurtër para kryerjes së saj, por pasi personat janë njohur me planin për të realizuar këtë vepër penale. Sidoqoftë, krijimi i një Grupi të Strukturuar Kriminal nuk ndodh në momentin dhe në vendin ku lidhet marrëveshje ndërmjet themeluesve të tij, por ne momentin e krijimit të një organizate të përhershme. Vetëm me përmbushjen e këtij kriteri realizohet minimumi i kërkuar nga Kodi Penal, për krijimin e një situate në kundërshtim me ligjin dhe me rrezikshmëri të theksuar shoqërore.
Por, përderisa bëhet bëhet fjalë për krime kundër rendit publik, që preket nga vetë ekzistenca e një organizate të tillë, i nevojshëm mbetet individualizimi i një strukture minimale organizative, në mënyrë që të bëhet dallimi ndërmjet bashkëpunimit të thjeshtë dhe Grupit të Strukturuar Kriminal, pavarësisht krimeve të marra përsipër.
Ndërsa, elementi i dytë i përcaktuar nga Konveta e Palermos të shpie te sqarimi i përbërjea së Grupit të Strukturuar. Nga ky element i parashikuar është e qartë që nuk mund të flasim për Grup të Strukturuar, nëse ky nuk përbëhet nga të paktën 3 anëtarë, të cilët kanë si qëllim zbatimin e nje programi kriminal. Pra, për ekzistencën e kësaj forme të veçantë të bashkëpunimit është i mjaftueshëm aderimi i jo më pak se sa 3 personave, apo më shumë individëve, të cilët impenjohen në mënyrë të qëndrueshme, për të realizuar e përmbushur një plan kriminal.
Gjithashtu, e mjaftueshme është që një pjesmarrje e këtij lloji t’i japë jetë një organizate të përbërë prej shumë subjektesh, që pavarësisht formave të jashtme të vullnetit të subjekteve të veçantë, të ketë formuar një vullnet të vetin autonom, sintezë e veprimeve individuale të pjesëmarrësve, për të realizuar një program kriminal. Sipas opinioneve të shprehura nga juristë vendas dhe të huaj për raste analoge, pikërisht nga ky vullnet i pavarur rrjedh edhe rrezikshmëria e theksuar për rendin publik dhe marrëdhëniet juridike që prekin krimet e kryera prej Grupit të Strukturuar, pasi impenjimi kolektiv lejon apo nxit përdorimin e menjëhershëm të kapaciteteve të individëve dhe strukturave të organizuara.
Mirëpo, për t’u theksuar është se, përbërësit dhe rrjedhojat esenciale të grupimit kriminal nuk mund të gjenden në mënyrë te përshtatshme, nëse nuk nënvizohet dhe vlerësohet plotësisht natyra e një grupimi të vërtetë me përmbajtje të vazhdueshme, i cili s’është i destinuar të përfundojë aktivitetin e tij vetëm me kryerjen e disa krimeve, por të vazhdojë në kohë ekzistencën e tij, pavarësisht nga plotësimi ose jo i programit kriminal. Pra, është pikërisht qëndrueshmëria dhe vazhdueshmëria, si pjesë e elementit të dytë të parashikuar nga Konventa e Palermos, faktori që bën të mundur pasjen e një bërthame (strukture) të përshtatshme me një minimum organizimi.
Më tej, nga përmbajtja e elementit të tretë kuptohet që Konventa ka dashur të mos lërë mangësi në përshkrimin e mënyrës se si vepron Grupi i Strukturuar. Prandaj, këtu të bie në sy domosdoshmëria e ekzistencës së një programi kriminal, por edhe dhënia e një informacioni për llojet e veprave penale që duhet të konsumojë kjo bërthamë permanente, për t’u quajtur Grup i Strukturuar. Kështu pra, për të sqaruar pikërisht këtë element, Konventa përdor termin ‘shkelje të rënda’.
Dhe me shpjegimin e këtij termi, Ajo i pret rrugën çdo interpretimi të gabuar, duke lënë të nënkuptohet se nuk mund të konsiderohet Grup i Strukturuar një formë bashkëpunimi, që ka kryer vepra penale, për të cilat Kodi Penal parashikon dënimin me burg jo më pak se katër vjet. Po kështu, nga përmbajtja e këtij elementi (tipari) të bie në sy domosdoshmëria e ekzistencës së një plani të paramenduar, që tregon se shprehja e vullnetit për të bashkëpunuar dhe për të qenë pjesë e Grupit të Strukturuar, vjen në të njëjtën kohë, kur anëtari i organizatës pranon të bëhet pjesë e planit, duke marrë përsipër një detyrë konkrete.
Kurse, elementi i katërt e tejkalon shprehjen e vullnetit dhe dashjes për të kryer veprën penale; ai është tregues i ndërgjegjësimit të anëtarëve të organizatës, për t’u grupuar sëbashku me qëllim kryerjen e krimeve të caktuara. Vullneti për të qenë pjesë e një Grupi të Strukturuar Kriminal konsiston në ndërgjegjësimin e individit, për të bërë pjesë në një veprimtari të impenjuar, kolektive dhe të qëndrueshme, duke plotësuar detyrat e veta ashtu siç i janë përcaktuar nga organizatorët ose koordinatorët e grupit, me qëllimin për të kryer në kohën e duhur krimet e programuara.
Pra, faji nuk konsiston vetëm në ndërgjegjësimin dhe vullnetin për të dhënë kontributin e kërkuar, por në vetëdijen për pjesëmarrjen dhe për ndihmën e dhënë aktivisht, nëpërmjet këtij kontributi në aktivitetin e një organizate të tillë. Të një organizate të tillë ku anëtarët e veçantë me ndërgjegje dhe vullnet të barabartë përputhin kontributet e tyre, si pjesë e një të vetmi, për realizimin e planit të përbashkët. i cili është njëkohësisht plani i çdo anëtari të veçantë dhe i organizatës.
Ky element i katërt është një kriter mjaft i rëndësishem, i cili shpreh vullnetin dhe dashjen për grupim kriminal stabël, pra, për Grup të Strukturuar. Dhe, ekzistenca e këtij elementi bën edhe diferencimin midis pjesëmarrjes në Grupin e Struktuar Kriminal, nga pjesëmarrja e personave në krim, apo në format më të thjeshta të bashkëpunimit ku ky element mungon.
Për shtjellimin e plotë të temës specifike, që tregon titulli i këtyre rradhëve, sigurisht që janë të nevojshme edhe plot interpretime të zgjeruara të secilit prej tipareve apo elementeve. Por, diktuar nga formati i një komenti gazetaresk, mbase do të mjaftonte që lexuesi të informohej për definicionet e Konventës së Palermos, duke theksuar që vetëm nëse ekzistojnë të katër elementët e sipërpërmendur mund të qëndrojë në rastin e zbuluar nga operacioni i kodifikuar ‘Kokaina’, apo ‘Xibraka’ akuza për krijimin dhe funksionimin e Grupit të Strukturuar Kriminal. Nëse jo, atëhere hetimi ndaj kësaj veprimtarie kriminale mund të orientohet drejt përcaktimit të një forme tjetër bashkëpunimi.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 23 janar 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)