Të tjera detaje zbulohen nga operacioni i Prokurorisë Publike të Firenzes në bashkëpunim me SPAK që goditi një grup kriminal italo-shqiptar që pastronte para përmes një rrjeti restorantesh në Fience. Media italiane Corriere Della Sera bën me dije se janë sekuestruar 400 mijë euro cash nga kontrollet e ushtruara në 23 ambiente, banesa e zyra.
Financuesit e njësisë së policisë ekonomike financiare, me një dekret kontrolli të nënshkruar nga prokurorja antimafia Christine von Borries, nga zv/prokurori Luca Tescaroli dhe nga kryeprokurori Filippo Spiezia, zhvilluan kontrolle edhe në shtëpitë e dy të ‘kokave’ të grupit. Grupi drejtohej nga shqiptari Eluert Kamami dhe ish-portieri i Fiorentinës dhe Napolit Alessandro Bigi.
Hetimet
Në 23 kontrollet e hetimit antimafia në Firence, u morën edhe kompjuterë dhe celularë, të cilët do të analizohen nga një konsulent.
Sipas akuzës së prokurorit, organizata ka blerë ose marrë me qira ambiente në qendrën historike të Fience me para të paligjshme. Grup kriminal me qëllim përvetësimin, pastrimin dhe përdorimin e parave të paligjshme janë akuzat e ngritura.
Perandoria
Duke filluar nga viti 2012 e deri më sot, grupi ka arritur të krijojë një perandori të vërtetë të përbërë nga restorante, bare, një hotel dhe dy fabrika birre. Tridhjetë e një aktivitete me një investim prej 13.5 milionë euro. Hetimi do të duhet të hedhë dritë mbi blerjen e strukturave, duke pasur parasysh edhe faktin se dy sipërmarrësit, kur nisën “pazarin” për restorantet, nuk kishin të ardhura të mjaftueshme që justifikonin blerjen e këtyre restoranteve.
Të dy deri në vitin 2014 kanë deklaruar të ardhura rreth 20 mijë euro. Nga vjen ai lum i parave? Nga hetimet ka konstatuar se nga viti 2022 deri në vitin 2024, dy sipërmarrësit, me ndihmën e bashkëpunëtorëve të tjerë që punonin në restorante të ndryshme, nuk kanë pasur dëftesa tatimore të lëshuara për një pjesë të madhe të shërbimeve.
Ato para, sipas prokurorisë, janë përdorur për të paguar në mënyrë të paligjshme punonjësit e restoranteve, për të vazhduar blerjen e restoranteve të tjera në qendër të Firences, por edhe për të blerë makina luksoze, bizhuteri dhe diamante.
Gjatë viteve 2023 dhe 2024, dy sipërmarrësit do të kishin blerë 14 restorante dhe bare dhe, janarin e kaluar, 50 për qind të aksioneve të klubit sportiv të futbollit Ischia. Në hetim është përfshirë edhe Alessandro Bigi, ish-portieri i Napolit dhe Fiorentinës. Blerja e fundit e Kamami dhe Bigi daton në mars në Forte dei Marmi, ku të dy blenë restorantin Palapa. Në shkurt, të dy kishin blerë një bar akulloresh në Borgo San Lorenzo. Para takimit me noterin për aktin e blerjes, në një lokal ishin dorëzuar 100 mijë euro cash. Pjesa tjetër e shumës, 37 mijë euro, përmes çeqeve.
Lajmi kryesor: