Me 35.1 miliardë lekë ose 385 milionë euro për rrugët, Buxheti i Shtetit i vitit 2027 pritet të shënojë një fazë të rëndësishme për zhvillimin e infrastrukturës sonë rrugore.
Ai do të synojë përfundimin e disa prej projekteve të mëdha rrugore që janë aktualisht në ndërtim, përshpejtimin e punimeve në korridoret kombëtare dhe hapjen e kantiereve të reja në disa rajone të vendit.
Autostrada Tiranë–Durrës, aksi Tiranë–Ndroq–Plepa dhe Bypassi i Elbasanit do të mbështeten drejtpërdrejt nga Buxheti i Shtetit, ndërsa Korridori VIII dhe Korridori Blu do të jenë dy prej prioriteteve kryesore të investimeve infrastrukturore.
Tre projekte madhore me financim nga Buxheti i Shtetit
Një nga zhvillimet më të rëndësishme të programit të investimeve publike për vitin 2027 është ndryshimi i skemës së financimit për disa prej veprave më të rëndësishme infrastrukturore të vendit.
Dy projekte strategjike, autostrada Tiranë–Durrës dhe aksi Tiranë–Ndroq–Plepa, do të financohen tërësisht nga Buxheti i Shtetit gjatë vitit 2027. Ky vendim synon të krijojë më shumë siguri financiare për ecurinë e punimeve, të shmangë pengesat që mund të shkaktohen nga kufizimet e financimit dhe të përshpejtojë realizimin e tyre.
Autostrada Tiranë–Durrës ka një rëndësi të veçantë ekonomike, pasi përfaqëson një nga akset më të ngarkuara të transportit në Shqipëri. Ajo lidh kryeqytetin me portin më të madh të vendit, me zonat kryesore industriale dhe me një pjesë të konsiderueshme të aktivitetit tregtar e ekonomik të mbi 1 milionë qytetarëve tanë që banojnë në dy qytetet kryesore të vendit dhe në aksin Tiranë-Durrës.
Përmirësimi i kapaciteteve të këtij aksi pritet të ndikojë në uljen e kohës së udhëtimit, lehtësimin e trafikut, rritjen e sigurisë rrugore dhe reduktimin e kostove të transportit për bizneset.
Po kështu, aksi Tiranë–Ndroq–Plepa ka rëndësi të drejtpërdrejtë për lidhjen e kryeqytetit me zonën bregdetare të Durrësit dhe Shijakut. Përfundimi i tij do të krijojë një alternativë të rëndësishme për shpërndarjen e trafikut, veçanërisht gjatë sezonit turistik, kur fluksi i automjeteve drejt bregdetit rritet ndjeshëm.
Një tjetër projekt që merr një perspektivë të re financiare është Bypassi i Elbasanit. Pas ndryshimit të skemës së financimit dhe kalimit në mbështetjen e Buxhetit të Shtetit, pritet të krijohen kushte më të favorshme për vijimin dhe realizimin e tij.
Rëndësia e këtij projekti lidhet jo vetëm me lehtësimin e trafikut urban të Elbasanit, por edhe me përmirësimin e lidhjeve ndërmjet Tiranës, Elbasanit, juglindjes së vendit dhe Korridorit VIII.
Korridori VIII dhe Korridori Blu, dy përparësi strategjike
Viti 2027 do të jetë gjithashtu një vit i rëndësishëm për dy prej projekteve më ambicioze të infrastrukturës kombëtare: Korridorin VIII dhe Korridorin Blu.
Korridori VIII përfaqëson një projekt me rëndësi jo vetëm kombëtare, por edhe rajonale dhe evropiane. Ai synon të krijojë një lidhje të integruar transporti ndërmjet Adriatikut dhe Detit të Zi, duke lidhur Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.
Për Shqipërinë, ky korridor ka një rëndësi të veçantë ekonomike, pasi përmirëson lidhjen e porteve me tregjet e brendshme dhe rajonale, lehtëson transportin e mallrave dhe krijon mundësi të reja për zhvillimin e logjistikës, industrisë dhe tregtisë.
Në këtë kuadër, përmirësimi i akseve rrugore që përbëjnë pjesë të tij do të ndikojë në rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare dhe në forcimin e rolit të vendit si një nyje transporti në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Paralelisht, Korridori Blu po merr gjithnjë e më shumë formë përmes projekteve të realizuara me koncesion.
Në këtë kuadër, tre segmente kanë rëndësi të veçantë. Segmenti Kashar–Rrogozhinë, punimet e të cilit parashikohet të nisin në fund të këtij viti. Së dyti është segmenti rrugor Lekaj–Fier. Ky projekt ndodhet në një fazë të avancuar përgatitore, me procedurat që synojnë të çojnë drejt nënshkrimit të kontratës dhe finalizimit të projektit të zbatimit gjatë vitit 2027. Segmenti i tretë është Milot–Balldren, i cili pritet të avancojë drejt nënshkrimit të kontratës dhe përgatitjes së dokumentacionit teknik për nisjen e punimeve.
Realizimi i këtyre segmenteve do të ndihmojë në ndërtimin gradual të një korridori të integruar përgjatë bregdetit tonë, i cili do të lidhë më mirë Veriun me Jugun dhe do të lehtësojë qarkullimin e turistëve dhe mallrave.
Përfitimet e Korridorit Blu nuk kufizohen vetëm tek transporti. Një infrastrukturë e tillë shërben si katalizator për investimet në turizëm, zhvillimin e zonave bregdetare, ndërtimin e strukturave të shërbimit dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Projekte të reja rrugore për Tiranën
Përveç projekteve madhore që janë në zhvillim, programi i investimeve për vitin 2027 parashikon edhe hapësira të reja financimi për akse rrugore me rëndësi lokale dhe kombëtare.
Një prej tyre është hyrja veriore e Tiranës, e cila parashikohet të kalojë përmes një by-pass-i në zonën e Kamzës.
Ky projekt synon të përmirësojë qarkullimin në një prej zonave me dendësinë më të lartë të popullsisë dhe të trafikut në vend. Kamza është shndërruar në një hapësirë të rëndësishme urbane dhe ekonomike, por rritja e shpejtë e popullsisë dhe e numrit të automjeteve ka shtuar presionin mbi infrastrukturën ekzistuese.
Një hyrje e re veriore ndihmon në shpërndarjen e trafikut dhe në krijimin e lidhjeve më efikase me akset kombëtare.
Një projekt tjetër është hyrja verilindore e Tiranës, e cila do të krijojë lidhjen ndërmjet kryeqytetit dhe Rrugës së Arbrit. Ky aks ka rëndësi të veçantë për përmirësimin e komunikimit me zonat e Dibrës dhe verilindjes së vendit.
Nëse realizohet në përputhje me afatet e parashikuara, ai do të ndihmojë në shfrytëzimin më të mirë të potencialit ekonomik dhe turistik të Rrugës së Arbrit, duke krijuar një lidhje më funksionale me rrjetin rrugor të kryeqytetit.







Komente
Komento