Perandoria e Lazaratit, si 
mbahet kështjella e hashashit

Perandoria e Lazaratit, si <br />mbahet kështjella e hashashit
GJIROKASTËR - U nisa duke e menduar si mision të pamundur.
Por marrja e detyrës nga redaksia më detyroi që të tentoja deri aty ku do të mund të arrija. Dhe tentova.

Me një frikë që më shkoi deri në palcë arrita që të kaloja Gjirokastrën. Befas në një kthesë të lehtë vura re Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Fierit, u shtanga dhe u frikësova njëkohësisht.

Kisha hipur në vend të parë të një makine luksoze. Tentova t'i bëja një foto policisë por nuk arrita ta ngrija dorën në lartësinë e duhur për të pasur mundësinë e një foto të lexueshme.  E kaluam lehtësisht, edhe këtë pikë të vështirë, për mua.

Pyeta personin që më shoqëroi, që sigurisht ishte nga fshati i Lazaratit, se me çfarë funksioni ishin ata “të Shpejtët” në mes të rrugës, dhe përgjigjia ishte e shpejtë “Shohin dokumentat e makinës”.

U çudita! Unë mendoja se ky ishte ai sulmi që policia i bën Lazaratit. Policia duket se është dorëzuar jo vetëm para fshatit rebel të Lazaratit, por edhe përballë premtimeve të bëra për asgjësimin e bimëve narkotike në këtë zonë.

Nejse e kaluam, ecëm edhe një kilometër dhe premë djathtas për të hyrë në Lazarat. Aty frika më përshkoi të gjithën, po u mundova ta vetëkontrollohesha.

Hymë në hyrje të fshatit. Ajo çfarë më ishte ngulitur në kokë ishte se në Lazarat do të më prisnin edhe mua me armë që në krye të rrugës, por nuk ndodhi ashtu.

Hyra se bashku me bashkëudhëtarin tim që e bënte atë rrugë 10 herë në ditë. Sapo kalova dy tre shtëpitë e para, pyeta personin “Kjo bima që shoh jeshile është Kanabis Sativa?”, “Po”- tha ai, sikur po më tregonte përrallën që unë po e dëgjoja për herë të parë.

Më tej pashë që uji rridhte shatërvan. Populli i Lzaratit kishte hapur puse, ngaqë policia nuk i linte rehat herë pas herë me atë ‘punën e sekuestrimit”. Nuk eca shumë gjatë, se edhe malore ishte, kur mu shfaqen karvanë të tërë makinash të mëdha me bote uji për sipër, ca me targa, ca pa targa, ca me flamur PD ca pa flamur PD, ca të kuqe, ca blu, ca jeshile. Po në ngjitje e zbritje ata i shihje të kryenin mision: të siguronin ujin për parcelat. Ky ujë do të merrej nga puset e hapura sipër rrugës kryesore, pra në brendi të fshatit. Shkova deri në qendër të ‘qytetit’ aty ishte vërtetë një qytet me vete.

Tre karburante deri në qendër të fshatit, shkollë fillore, shkollë të mesme edhe kopshte për fëmijët, lokale një edhe dy katshe. Një qendër shumë luksoze për një fshat të madh siç njihet edhe Lazarati. Drita plotë që ndizeshin pa kursim, jo si në qytete të tjera që bashkia i lë pesë minuta dhe i fik dhjetë minuta.

Brenda meje po luftonte kurrshtja për të mësuar mbi këtë prodhim mariuhane dhe frikës se çfarë do të më priste. Por asnjë gjë nuk ndodhi, hyra në një parcelë diku sipër fshatit, e pashë tek rritej, dhe dola. Nuk më dehu era, siduket nuk ishte në kohën e duhur vizita ime. U mundova të shikoja njerëz me armë, po shkoja me idenë që do të përballesha me xhandarë që rrinin me armë në dorë. Por nuk pashë asnjë të tillë. U informova se çdo familje aty kishte armë, dhe armët i përdornin kur kishin informacion për ndërhyrjen e policisë, apo të ndonjë ngacmim të mundshëm të parcelave nga vetë banorët e fashatit. Ajo çfarë më bëri përshtypje ishte lartësia e murreve rrethuese që ishin ndoshta mbi tre metra, edhe kjo ishte shumë logjike, mbrojte sa më e mirë e mallit të tyre, ashtu siç e thërrisnin ndryshe Hashashin. Si përfundim shkuam e erdhëm si qytetarë, por pyetjet që të shkonin në kokë ishin të pafundme. Edhe për të marrë përgjigje sigurisht që duhet të pyesnim banorët, kultivuesit e hashashit.

Përveç të mirave materialeve që sjell mbjellja, kultivimi dhe shitja e Hashashit ka edhe rrezikun e tij. Njëri prej atyre është përballja me policinë, që detyrohen ti bëjnë rezistëncë. “Policia s’mund të ndërhyjë në këto momente pasi ishte shteti që lejoi para fushatës elektorale të kultivohej kjo bimë masivisht në këtë komunë, dhe tashmë çdo banor ka investuar qindra milionë lekë, çka bën që këta banorë të sakrifikojnë edhe jetën për të mbrojtur kanabisin”, tha njëri prej banorëve, duke shprehur edhe një pakënaqësi tjetër, atë të ardhjes së njerëzve të rinj. “Këtë vit në Lazarat ka një fenomen shumë shqetësues për banorët, ardhja e të huajëve në fshat, dhëndurrëve, miqëve e shokëve të njerëzve me imunitet, personave të inkriminuar, përsonave në kërkim pothuaj nga gjithë Shqipëria, të cilët kanë hapur toka rishtas dhe kanë kultivuar kanabis në vijimësi të tokave të kultivuara nga banorët e fshatit”, tha një kultivues që mesa duket po ndien rivalitetin në fshatin e tij.
 
KULTIVIMI I HASHASHIT
 
Me hashashin banorët e Lazaratit merren gjithë vitin, nga muaji janar edhe deri në muajin nëntor kur ai mblidhet, përpunohet dhe shitet. Si fillim ‘bujqit’ përgatisin tokën. Një kamion me pleh kushton 5 mijë deri në 7 mijë lekë të reja plus transportin, 25 mijë lëke të reja. Çdo parcelë minimalisht do një kamion pleh, krahas plehrave kimike dhe pesticideve të tjera. Më pas në muajin Mars, toka punohet e gjitha dhe hapen gropat, ku përsëri duhet pleh organik për të mbushur gropat. Fidanët e kanbisit përgatiten në kubikë dhe në serra të vogla. Tregëtarët e kanabisit e sigurojnë farën në Hollandë në mënyrë kontrabandë dhe çdo kokër që është përkatësisht një fidan kushton 8 euro. Më pas në muajin Maj fidanët mbillen në tokë. Çdo mëngjes dhe darkë kultivuesit i ujisin çdo bimë, ku nga botanika e kanabisit rezulton se çdo bimë që nga mbjellja deri në korrje do minimalisht 1.2 deri në 1.3 tonë ujë. Numri i bimëve të kultivuara varion nga 500 rrënjë deri në dy mijë rrënjë për çdo kultivues, çka do të thotë së shpenzimet për të blerë ujë variojnë nga 10 milionë lekë të vjetra deri në 20 miljon lekë të vjetra për çdo kultivues. Uji më parë sigurohej në lumin Drino, në Kordhocë, por me ndërhyrjen e herë pasherëshme të përvithsme të policisë, kultivuesit gjetën forma dhe metoda të tjera duke hapur puse në hyrje të fshatit tek Pularia. Këta puse ruhen me roje të armatosur pasi herë pas herë policia ka shkuar dhe u ka shkëtërruar këto puse.
Hashashi në plantacionet e Lazaratit me logo

(Ne foto: Hashashi ne plantacionet e Lazaratit)

SIGURIMI I PLEHUT DHE FARËS
 
“Fara vjen nga vende të largëta, pasi ka trafikantë që vijnë e shesin farën këtu e bien që nga Hollanda me 8 euro një kokër”, është shprehur një prej kultivuesve të Hashashit në Lazarat. Po sigurisht që kostoja është e lartë, pasi ata mbjellin shumë rrënjë. Ndërsa plehun e sigurojnë nga stanet e fshtarve përrreth. “Plehun e marrim nëpër stane me kamjonë ua blejmë cobanëve, ndërsa ujin deri para dy vitesh e merrnim në Kordhocë në lumin Drino, por vjet Policia na ndaloi dhe na shkatërroi rrëjët e nxjerrjes së ujit  dhe disa fshatarë në hyrje të fshatit kanë hapur puse që shesin ujin 1 mijë lekë të reja metrokupi”, na tha zotëria që kishte parcelën e tij diku lart fshatit.
 
SHITJA E HASHASHIT
 
Për banorët nuk është e vështirë tregëtimi i hashashit. Aty shkojnë vetë të interesuarit në shumicën e rasteve, përveç atyre që janë të lidhur me persona dhe e çojnë vetë në distinacion. “ Në Lazarat vijnë vetë persona që merren me grumbullimin e hashashit të cilët e blejnë me lekë në dorë nga çdo banor, ndërsa rrugët e nxjerrjes nga fshati të këtij malli, janë të disa formave. Një nga mali i Sopotit me mushka, nga rruga kryesore me makina të shpejta e mënyra të tjera. Por ka edhe punonjës policie që bashkëpunojnë me trafikantët ketë e them me siguri”, u shpreh bindshëm banori.

Pas shitjes së kanabisit në një vit të zakonshëm në komunën Lazarat vlera shkon rreth 70 milion euro që shkon në duart e fshatarëve që kultivojnë dhe tregëtojnë këtë bimë, ndërsa në rast se ky mall shkon në destinacion shuma është marramendëse rreth 500 milion euro. Këtë vit me sasinë e prodhuar vlera e shitjes së mariuanës do arrijë në 150 milionë euro, shumë kjo që do mbetet në duart e kultivuesve ndërsa në destinacion kjo vlerë do jetë 5 fish më e lartë. Pra me një fjalë Lazarati është industri, që mban gjallë gjithë rajonin Jugor e më gjërë.
 
RRITJA EKONOMIKE
 Duke iu referuar banorëve të këtij fshati, por edhe sipërfaqeve të mëdha të mbjella me kanabis pritet që gjatë javës së parë të muajit Shtator në Lazarat nevoja për fuqi puntore arrin mbi 1 mijë puntorë në ditë, të cilët paguhen nga 15 deri në 20 mijë lekë të vjetra në ditë. Duke bërë një përllogaritje të thjeshtë çdo ditë nga Lazarati del një shumë rreth 20 milionë lekë të vjetra vetëm për fuqinë puntore pa llogaritur këtu lekët që shpenzohen çdo ditë për blerjen e ujit, të plehut, të pesticideve që shërbejnë për kultivimin e kanabisit. Me një fjalë Lazarati është industri, që mban gjallë gjithë rajonin Jugor e më gjërë. Kjo ndikon në uljen e papunësisë sezonale dhe rritjen e ekonomike. Tregëtarët në Gjirokastrës shpreheshin se ky qytet mbaron nëse nuk do jenë lazaratësit. “Nëse s’ka hashash ky qytet vdes nga ekonomia”, tha një zonjë që shiste veshje për femra dhe meshkuj.

LAZARATASIT MBUSHIN DHOMAT ME PARA
 
E konsiderova për momentin si një pjesë të një skenari të një filmi të njohur, kur po njihesha me mënyrën se ku i ruajnë lekët pronarët e hashashit. Ishte pak e habitshme që në Shqipëri të dëgjoje histori të tilla kur sot funksionojnë bankat si një garanci e lekut tënd. Paratë e përfituara nga tregëtimi i përvitshëm i hashashit vendoseshin nëpër dhomat e shtëpisë, sigurisht jo në çdo shtëpi të lazaratësve, pasi aty ka të pasur supër të pasur dhe të mesëm. Në mungesë të përdorimit të bankave, ata kthenin shtëpinë në një bankë të vërtetë lekësh që gjithmon të sjellë idenë e një makinerie parash. Gjithë xhiroja vjetore, por ndoshta edhe ajo e prapambetur i kalonte milionat, që jo domosdoshmërisht ishin prerje të mëdha.
 
Makinat që mbajnë botet me ujë shihet edhe një flamur i PD me logo
(Foto: Makinat që mbajnë botet me ujë shihet edhe një flamur i PD me logo) 

REAGIMI I POLICISË
 
E pasi përshkruam me disa detaje çpo ndodh në Lazarat, i’u drejtuam Drejtorisë së Polciisë së Qarkut Gjirokastër për të mësuar çpo ndodh me policinë? Pse nuk ndërhyn për të shklatërruar kanabisin? Pse po merret me puntorët dhe jo me kultivuesit? Pse merret me botet e ujit e kamionët me pleh dhe nuk shkon të shkatërrojë parcelat? Pse s'ka asnjë nga Lazarati të arrestuar? Si ka mundësi që kryetari i komunës dhe kryeplaku i fshatit s’po i hyn gjemb në këmbë nga gjithë kjo që ndodh në këtë fshat?

Dhe pas gjithë këtyre pse-ve, vjen vjen përgjigja diplomatike e policisë, dhe brenda diplomacisë, për të dalë nga situata ka edhe diçka të vërtetë.
Zyrtarë të policisë së Gjirokastrës thonë: 
“Forcat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër mbeshtetur nga tre grupe të  FNSH-së gjatë këtyre ditëve kanë shoqëruar në ambjentet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër reth 280 puntorë, 18 bote uji dhe 12 kamionë me pleh" 

Të gjitha deklarimet e puntorëve të shoqëruar ditët e fundit në ambjentet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, do të shërbejnë për nisjen e procedimit penal të gjithë atyre banorëve të cilët kanë kultivuar bimë narkotike, ku shumica e banorëve të Lazaratit kur janë thirrur në polici ku kanë deklaruar me shkrim se nuk do të kultivojnë bimë narkotike në teritoret e tyre, ku dhe ku dokument do të shërbejnë si provë materiale. Për të mos ndëshkuar ligjerisht këta shtetas paraprakisht behët kjo punë parandaluese dhe në ndihmë të tyre për tu njohur me detyrimet ligjore. Në rast se edhe pas kësaj pune dhe deklarates së tyre që lëshojnë në polici se nuk do të shkojnë të punojnë përsëri në këtë aktivitet të paligshëm, kapen përsëri nga ana jonë këta shtetas do të procedohen penalisht”. Ndërsa shton në përfundim se “Policia e Shtetit jo pa qëllim ka kërkuar monitorim nga ajëri të realizuar nga Policia Italiane që disponon mjete logjitike moderne. Pasi të gjitha fimimet e rezlizuara nga monitorimi nga ajëri, dhe veprimete e tjera ligjore që po kryhen nga ana jonë do të shërbejnë për përgatijen e dosjes për Lazaratin që do ti përcillët Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë  për cdo banor të fshatit Lazrat, për këtë krim të organizuar që ndodh në këtë komunë”.



Postblloku i FNSH 5 km larg fshatit Lazarat me logo
(Foto: Postblloku i FNSH 5 km larg fshatit Lazarat) 

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 20.08.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim