Përballë një dimri të vështirë, si po reagojmë me politikat dhe masat mbështetëse?

Përballë një dimri të vështirë, si po reagojmë me politikat dhe masat mbështetëse?

Tiranë, Shqipëri

1. Inflacioni i lartë është bërë shqetësimi madhor për mbarë botën dhe natyrisht dhe për Shqipërinë. Cilat janë shkaqet kryesore që u arrit deri në këtë situatë kaq të vështirë për konsumatorët, bizneset dhe qeveritë?

Inflacioni i lartë, rritja e çmimeve të lëndëve të para dhe produkteve ushqimore dhe në veçanti rritja e çmimeve të produkteve energjitike (kriza energjitike), janë kryefjala e të gjithëve diskutimeve, në të gjitha nivelet, nga shtresat e ndryshme të popullsisë, ekspert dhe analiste, media dhe shoqëri civile, si stitucione shteterore dhe ekonomike e financiare, institucione ndërkombëtare, politikëbërës dhe qeveri e drejtues shtetesh, etj.  Por le t’i kthehemi përgjigjes më konkretisht. Tashme inflacioni dhe rritja e çmimeve (edhe si bashkëudhëtare e luftës Rusi –Ukrainë) janë prezente në ekonominë globale, atë të eurozonës, në shtetet e zhvilluara. 

Në SHBA, Britaninë e madhe, në Gjermani, Francë, Itali dhe padyshim edhe në vendet tona të rajonit, Turqi etj.  Kështu sipas informacioneve të fundit në SHBA, në vendet e BE inflacioni është në nivelet mbi 9.6% (22.7% në Estoni, 21% në Letoni, 20% në Lituani, 12.8% Sllovaki, 11.5% në Greqi, etj.), ndërkohë që në vendin tonë inflacioni është më i ulti në vendet e rajonit, me 7.6%.Gjithsesi, shkaqet dhe arsyet kryesore të këtij inflacioni mund të përmblidhen në: kriza e Pandemise dhe ajo ekonomike e humane qe rrjodhi prej saj, qe per ta frenuar dhe rimëkembur prej saj, u ndoqën politika të rritjes së shpenzimeve nga të gjitha Qeveritë (kujtojme paketa disa miliardeshe te SHBA, Vendeve te BE-se, Britanise, etj qe nuk mund te mos pranohet se shtuan parane ne  kanalet e qarkullimit monetar, nder kohe qe recensioni ekonomik i perfshiu keto vende. Kriza nga lufta në Ukraine, sidomos kriza energjitike (rritja e çmimeve të energjisë elektrike, naftës, gazit) rritja e çmimeve te lëndet e para, shkëputja e zinxhirit të furnizimit. Një ndikim të posaçëm dha dhe vazhdon të japë edhe kriza e sigurisë ushqimore (drithërat) dhe produktet ushqimore.

-Reagimi disi i vonuar i BQE për kalimin nga politikat lehtësuese dhe relaksuese monetare në politika shtrënguese monetare me fillimin e rritjes së interesave çka e ka futur veten tashmë në një proces të përshpejtuar për ta realizuar ate.

2. Po flitet shumë për një dimër të vështirë e mjaft problematik te kërcënuar nga çmimet e larta të energjisë dhe ushqimeve. Mjaft vende po i tremben dhe shfaqjes së stagflacionit. Sa i rrezikshëm dhe i mundur është një skenar i tillë për BE, SHBA por dhe për Shqipërinë?

Është fjala për “dimrin e vështirë ekonomik, me bazë krizën energjitike, atë ushqimore, me rritjen e çmimeve dhe të inflacionit të lartë”, pse jo një nga dimrat më të rëndë e më të vështirë pas Luftës së Dytë Botërore.  Natyrisht, kushtet, terreni, faktorët, ndikimet dhe pasojat nuk janë të njëjtë me 50-60 vjet më parë.  Atëherë çfarë dhe pse është ky dimër i vështirë? Pra, jemi përballë një dimër të vështirë ekonomik dhe energjitik.  Një dimër me të cilin do përballen vendet e zhvilluar, ato të BE, vendet e rajonit tonë dhe padyshim përballë këtij dimri është dhe vendi tonë.

Ndërkohë që pandemia po shkon drejt dobësimit të saj dhe pasojat ekonomike dhe sociale filluan të rikuperoheshin, edhe pse në mënyrë të pabarabartë, një krizë e re goditi ekonomitë e vendeve të zhvilluara dhe rajonin tonë.  Kjo rrjedhojë e luftës së Rusisë në Ukraine e cila me shpejtësi të madhe u reflektua dhe u shoqerua me krizën energjitike, (naftës, gazit, energjisë elektrike) shkëputjen e zinxhirrit të furnizimit me lëndë të para, krizën e sigurisë ushqimore, rritjen e çmimeve dhe të inflacionit.  Muajt e luftës vazhdojnë dhe këto fenomene vazhdojnë të thellohen dhe, tashmë në prag të dimrit ato dhe ndikimi i tyre pritet të shtohet, duke renduar situatat ekonomike e sociale në të gjithë vendet të lidhura me tregjet ku këto fenomene janë shfaqur dhe po avancojnë.

Janë disa faktorë dhe reagimi ndaj tyre që e përcaktojnë këtë situatë.

Së pari, ashpërsia e krizës lidhet me faktin se sa do të jetë tkurrja dhe rënia ekonomike dhe nga mënyra se si do të reagohet dhe cilat do të jenë masat që do të merren ndaj krizës energjetike dhe si do t’i përgjigjen politikëbërësit, qeveritë. Këtë javë çmimet e energjisë shënuan një rritje dikur të paimagjinueshme: më shumë se 290€ për megavat orë (mëh) për gazin standard që do të shpërndahej në tremujorin e katërt të vitit (çmimi para pandemisë ishte rreth 30 €); dhe më shumë se 1200 € për mëh për energjinë elektrike gjatë ditës për të njëjtin tremujor në Gjermani (nga rreth 60 €).

Për shkak se gazi është karburanti margjinal në shumicën e tregjeve europiane të energjisë elektrike, ai përcakton çmimin për energjinë më gjerësisht. Ekonomia europiane hyri në krizë pavarësisht se sa ishte e fuqishme, Ndërkaq, tregu i punës, po reziston ende, dhe është relativisht i shëndetshëm, me papunësinë që shkonte në 6.6%, sipas standardeve të Europës hed 3-4 % ne SHBA, pak jo e zakonte për periudha krize. Pagat me siguri do të të shënojë rritje në muajt e ardhshëm, pasi priten te fillojnë zbatimi i paketave mbeshtetese ne shume vende.

Së dyti, Besimi i konsumatorëve ra në fillim të luftës, por konsumi nuk u trondit shumë. Por sinjalet  duken jo positive ne muajt ne vijim sepse:

a-Mungesa e gazit për shkak të varësisë ruse (ndërprerja e furnizimit te gazit rus) bëri që industria europiane të vazhdoj të jetë nën presion duke mbështetur argumentin se kjo ndërprerje, po shndërrohej në një faktor negativ në zhvillimet ekonomike. Edhe pse, Pavarësisht çmimeve të larta, ende prodhimi industrial, deri më tani ka mbetur i qëndrueshëm. Ndërkohë, shkëputja e plotë e varësisë ruse të vendeve perëndimore në fushën energjitike, kërkojnë kohën e vet.

b-“Një pjesë e arsyes është se firmat ende po punojnë me porositë e mbetura nga e kaluara, “tha Michael Huther nga Instituti Ekonomik Gjerman. Por kjo situatë nuk do të zgjasë përgjithmonë, dhe disa tregues të rëndësishëm te zhvillimit, në një këndvështrim largpamës duken jo optimistë.

c-Rënia reflekton një dobësim të ekonomisë globale dhe në veçanti kineze. Gjithashtu, informacionet e fundit të dhënat tregojnë se ekonomia ekonomia e Gjermanise dhe Austrise është drej tkurrjes. Një rënie e tillë mund të shënojë një pikë kthese në ciklin ekonomik. Kjo edhe sepse mbështetja e Gjermanisë nga blerësit kinezë rrezikon të zvogëlojë kërkesën për mallra në të gjithë zinxhirin e furnizimit teutonik. Industria italiane duket se është në rënie të lirë. Polonia dhe Republika Çeke, të dyja jashtë zonës së euros, janë gjithashtu të rrezikuara. Britanisë së Madhe gjithashtu kjo krize i ka trokitur fortë. Kështu që përfundimet e arritura (edhe nga Banka Botërore) se Ekonomia Europiane kërcënohet nga recensioni e stagflacioni , nuk janë larg realitetit.

Së treti, shpenzimet e konsumatorëve për shërbime në përpjekjen për shpëtuar deri diku ekonominë europiane, u vunë në kontradiktë mes rritjes së tyre në periudhën e turizmit veror (pushuesit europian pas mbylljes nga pandemia “shpërthyen” duke përdorur me bollëk kursimet e tyre të kësaj periudhe), gjë që rriti optimizmin, por po këta konsumator po futen në “rregjim kursimi” në prag të një dimër të gjatë e të ftohtë të shoqëruar nga një krizë energjitike e ushqimore.

Së katërti, Vendet europiane, po e shohin dhe e kanë të qartë se “shoku energjetik” që po ndodh përkon me shtrëngimin e politikës monetare, rritjen e normave të interesit të Bankës Qëndrore Europiane (BQE-ja tani është e vendosur të rikthejë inflacionin vjetor në objektivin e saj prej 2%, nga 9.1% e regjistruar në gusht) dhe njëhershi dhe të Bankave Qëndrore të vendeve anëtare dhe të rajonit.

Më në fund, faktor shumë të rëndësishëm është dhe mbetet kohëzgjatja e luftës së Rusisë në Ukrainë. Të gjitha parashikimet tregojnë se ekonomia globale në përgjithësi, ajo e eurozonës në veçanti ai dhe rajoni ynë nuk pritet të relizojnë rritjen ekonomike të parashikuar (ndonëse vendi ynë është më pak i prekur se vendet e tjera të rajoni) për vitin 2022, për shkak të tkurrjes që ekonomitë e këtyre vendeve po pësojnë, inflacionit të lartë që po përjetojnë (rreth 8-9 përqind në Eurozonë), rritjes së çmimeve që po rëndojnë mbi konsumatorët, dhe thellimit të krizës energjitike që duhet të përballojnë konsumatorët dhe bisneset. Kjo situatë ka ngjallur pasiguritë në ekonominë europiane e rajonale. Dhe duket se dhimbja do të jetë e madhe.

3. Cilat janë disa nga politikat dhe masat duhet të marrin vendet e qeveritë për përballimin e kësaj situate? Bankat Qendrore çfarë duhet të bëjnë në kuadrin e politikave monetare për zbutjen e efekteve të inflacionit dhe rrezikut të deflacionit?

Përball kësaj krize qeveritë dhe ligjëvënësit e shteteve të ndryshme dhe institucionet ndërkombëtare kanë marrë një sërë masash (paketa) mbështetëse për minimizuar efektet e pasojat e kësaj krize. Natyrshëm lloji i masave, instrumentet e përdorura, shumat e mjete monetare që kanë këto paketa, kushtëzohen nga objektivat që duan të realizojnë, qëllimet dhe mundësitë (fuqitë) ekonomike e financiare që secili ka vend. Pavarësisht nga përmasat financiare (monetare) këto paketa kanë të përbashkët, konkretisht:

1-Të gjithë syojnë masa afatshkurtra dhe afatmesme.

2-Të gjitha Qeveritë po marin Paketa të rezistencës sociale me karakter të dyfishtë. Me synim mbështetjen e shtresave sociale më të prekura të popullsisë, dhe nga ana tjetër, me synim ristrukturimin e ekonomisë, mbështetjen e bizneseve dhe burimeve alternative energjitike.

3-Bankat qendrore synojnë dhe realizojnë masa të trefishta:

1.      a) Kalimin nga politika monetare lehtësuese të zbatuara deri paraluftës Rusi-Ukrainë në ato shtrënguese, me rritje të interesave por me kujdesin që politika e interesave të mos të “vrasi rritjen ekonomike”.

2.      b) të ruajë stabilitetin financiar në sistem, dhe

3.      c) të sigurojë qëndrushmëria e kursit të këmbimit (stabilitetin e monedhës kombëtare)

4-Masa që synojnë mbështetjen e drejtpërdrejtë financiare të popullsisë, shtresave në nevojë, pensionistëve, për të zbutur efektet dhe pasojat e kësaj krize, sa të jetë e mundur.

5-Si të përballemi me krizën energjitike aktuale dhe masa për rritjen e sigurisë ushqimore.

5-Si të mbështesim ekonominë e vendit, që të ristrukturohet, orintohet e zhvillohet, për të ulur importet e mallrave, lëndëve të para, që sjellin rritje çmimesh dhe inflacion (të importuar).

6-Si të shfrytëzohen nga bizneset oportunitetet e reja që krijohen nga zhvillimi teknollogjik, revolucioni 4.0, por dhe vetë kriza.

Në funksion të këtyre objektivave, të gjithë vendet kanë ndërmarre masat e tyre. Franca për të përballuar krizën energjitike ka rivënë në punë centralet bërthamore, Gjermania minierat e qymyrit dhe një sërë masash për kursimin e përdorimit të energjisë, Italia gjithashtu, ndërtimi i infrastrukturave për furnizimin me gaz për t’u shkeputur nga varësia ruse, orientimi në alternative të reja të prodhimit të energjisë dhe tregje të tjera. etj. Të gjitha shtetet po korrektojnë pagat dhe pensionet me inflacioni, po rrisin ndihmën dhe financimin e papunësisë apo të shtresave në nevojë. Masa subvencioniste për produktet bujqësore dhe prodhime të veçanta etj, etj. Greqia deklaroi “një lumë parash në mbështetje të buxheteve familjare dhe ekonomisë” për përballjen e qytetarëve me krizën aktuale dhe ekonomia të shtoi frymëmarrje edhe pse doli nga kriza e borxheve trashëguar nga kriza 2008-20013. Në këtë situatë qeveritë kanë ndërmarrë nismat e tyre për inicimin e paketave mbështetëse për shtresat në nevojë dhe ekonomitë e tyre ndërsa Bankat Qendrore kanë rritur vigjilencën duke përdorur me efikasitet instrumentet e tyre, në veçanti politikën monetare.

4-Paketat e masave mbështetëse e lehtësuese të qeverive për konsumatorët e bizneset po bëhen përsëri kryefjalë e përditshme. Si po veprohet në këtë drejtim nga vende e qeveri të ndryshme, përfshirë këtu dhe Shqipërinë?

Siç e theksova me sipër, ndërsa qeveritë Bankat Qendrore të disa vendeve po marrin masa antikrizë, edhe Qeveria Shqiptare mendoj se reagoi në kohë dhe me instrumentet e duhura, me objektiva e synime të qarta në paketën e saj të shpallur para disa ditësh. Natyrshëm debate ka pasur dhe do të ketë, për më shumë drejtime dhe në shuma më të mëdha monetare. Por siç e theksova, çdo pakete mbart dhe reflekton dëshirën dhe vullnetin e qeverisë në perputhje me mundësitë financiare. Kjo paketë ka në thelbin e saj Rezistencën Sociale, ndaj pasojave të krizës globale energjetike, si edhe të luftës në Ukrainë, mbi çmimet dhe inflacionin. Me një parashikim të një tkurrjeje të vogël të rritjes ekonomike për këtë vit, me një rritje të çmimeve dhe inflacion, deri tani më të ultin në rajon, duket se ekonomia shqiptare, deri tani është jashtë rrezikut të recensionit dhe inflacionit.

Me një sërë masash konkrete me veprim të menjëhershëm, paketa kompenson rritjen e çmimeve të shportës për pensionistët sipas kategorive të përcaktuara, familjet në skemën e ndihmës ekonomike, personat me aftësi të kufizuar; ofron mbështetje për fermerët dhe bizneset e vogla, si dhe financon mburojën e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla. Por natyrisht kjo do të thotë se problemet e krizës u zgjidhen. Përkundrazi situatë duhet të vazhdojë të mbetet në vëzhgim të vazhdushëm për t’u mbështetur sipas ecurisë dhe problematikave që mund të sjellë në muajt në vazhdim kjo krizë.

Edhe krizat duhen shfrytëzuar edhe për ndonjë shans për zhvillimin e vendit, sidomos në biznese që rrisin eksportet dhe ulin importet, në ato të teknollogjisë etj. Ndërkohë, p/buxheti i vitit 2023 është një mundësi për të rikonsideruar drejtimet, mundësitë për vazhdimin e mbështetjes, ristrukturimin dhe zhvillimin e ri të mëtejshëm të ekonomisë, sipas situatës që diktojnë pasojat e krizës.

Po ja cilat janë masat që përmban kjo paketë e rezistencës sociale e ndërrmarë nga Qeveria Shqiptare:

1-Paga minimale do të rritet nga 32 mijë lekë deklaruar gati tri muaj me parë në 34 mijë lek.

2. Qeveria indeksion (për herë të dytë) pensioniet 3+6.5% gjithsejt (9.5%). 3.6 miliardë lekë ose 36 milionë dollar do të vihen në dispozicion për të indeksuar pensionet duke efektuar që në pensionin e radhës së 673. 542 pensionistëve.

3. Për 434 mijë përfitues, qytetare e qytetarë të këtij vendi, qeveria do të kompensojë me lekë në dorë, rritjen e çmimeve të shportës, e cila bazuar në përllogaritjen e INSTAT është 7% ose e kthyer në rritje mbi konsumin mesatar të përllogaritur përpara goditjes është 25 mijë lekë të vjetra plus.

4-Qeveria do të japë 30 mijë lekë të vjetra për 3 muaj rresht si kompensim për rritjen çmimeve të shportës, për: pensionsitët që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale; pensionistët e invaliditetit; pensionistët që jetojnë vetëm, (në kuptimin individualisht apo në çift); Persona me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër dhe të gjitha familjet që janë aktualisht në skemën e ndihmës ekonomike.

5-Rritje pagash në disa sektorë të rëndësishëm të ekonomisë dhe shërbimeve si në arsim, shëndetësi, etj.

6 Mbështetja përsubvencionimin e bujqësisë dhe ajo veçanërisht për fermerët me naftë pa taksa, do të shkojë në 1.4 miliardë lekë ose 14 milionë USD, me një shtesë plus prej 5 milionë USD, e cila do të derdhet menjëherë.

7. Qeveria do mbështesë të gjithë shqiptarët që përdorin linja urbane qytetase dhe ndërqytetase, duke derdhur menjëherë 500 milionë lekë ose 5 milionë dollarë për të paguar diferencën e çmimit të biletës, në mënyrë që asnjë udhëtar të mos preket nga ndryshimi i çmimit, qoftë kur hipën në autobus brenda qytetit e qoftë kur hipën në një autobus për të shkuar nga një qytet në tjetrin.

8. Do të sjellë 2 muaj përpara, futjen në fuqi të ligjit për zerimin e taksës për pagat deri në 400 mijë lekë të vjetra dhe përgjysmimin e taksës mbi pagat deri në 500 mijë lekë të vjetra, si dhe uljen e taksës mbi pagat nga 1, 5 deri në 2 milionë lekë të vjetra, që do të thotë, 56% e atyre që në Shqipëri jetojnë me punë dhe paguhen me pagë, paguajnë 0 taksë mbi pagën.

9. Do tërheqë dy muaj përpara edhe futjen në fuqi të ligjit për pagën minimale, e cila në prill do bëhet 320 mijë lekë të vjetra.

10. Qeveria ka marrë një sërë masash të tjera që lidhen me menaxhimin me efektivitet dhe kursimit të energjisë elektrike, për burime të reja alternative të energjisë, etj. Gjithashtu, ajo vendos menjëherë të shtojë 20 miliardë të tjera, 200 milionë dollarë, në financimin e mburojës së çmimit të energjisë elektrike për familjet dhe bizneset e vogla.

Këto dhe një sërë masash të tjera në vazhdim, sipas ecurisë së krizës, janë një orientim i drejtë, sipas mundësive në mbështetje të buxheteve familjare dhe ekonomisë sonë.

5. Po flitet shumë për një rend të ri botëror policentrik dhe ndryshim të natyrës së globalizimit. Si mund ta kuptojmë dhe shpjegojmë këtë fenomen dhe cilët janë aktorët kryesore të tij?

Situatat pa krizës së pandemisë, por veçanërisht pas krizës nga lufta e rusisë në Ukrainë kanë sjellë një thellim të krizës ekonomike, që siç e shpjegova më lartë veç fenomeneve që shoqërojnë këtë krizë si, ndërprerja e zinxhirit të furnizimeve, rritja e çmimeve, inflacioni i lartë, tronditja e tregjeve, ka nxitur aleanca të reja politike, ekonomike tregtare globale, ndryshime dhe zhvillime të bashkimeve ekonomike të cilat duket se, për momentin, kanë tendenca për ndikim në tkurrje të procesit të globalizimit dhe disa zhvillime asimetrike të tregtisë ndërkombetare të cilat mund të kenë objektiv krijimin e një rendi të tillë policentrik, por që zhvillimet duket se janë aq të vrullshme, sa që është shpejt që të arrihet në përfundime të tilla konceptuale dhe praktike, për fenomenet e ardhshme.

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Fier/ 16- vjeçarja vetplagoset me armë zjarri, ende nuk dihet shkaku

Fier/ 16- vjeçarja vetplagoset me armë zjarri, ende nuk dihet shkaku