Kryeministrja italiane Giorgia Meloni po shqyrton mundësinë që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të mbahen që në prill të vitit të ardhshëm, disa muaj përpara afatit ligjor që skadon në fund të vitit 2027.
Sipas burimeve të cituara nga Bloomberg, Meloni ka frikë se sa më gjatë të presë, aq më shumë mund të bjerë niveli i mbështetjes për qeverinë e saj. Një tjetër shqetësim lidhet me kohën që do të kishte qeveria e re për të miratuar buxhetin e shtetit, i cili duhet të kalojë deri në fund të vitit.
Sipas të njëjtave burime, ideja është diskutuar edhe me zyrën e presidentit Sergio Mattarella, i cili ka kompetencën për shpërndarjen e parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja. Zyrat e Melonit dhe Mattarellës nuk kanë komentuar raportimet.
Presioni ndaj kryeministres është rritur që nga marsi, kur ajo humbi referendumin për reformën në drejtësi, zhvillim që çoi në largimin e tre zyrtarëve të qeverisë. Në të njëjtën kohë, partia e ekstremit të djathtë Futuro Nazionale ka fituar terren në sondazhe, duke e akuzuar Melonin se është bërë tepër e moderuar.
Sipas një mesatareje të sondazheve të publikuara nga AGI dhe Youtrend, Futuro Nazionale është e vetmja forcë politike që ka shënuar rritje. Ndërkohë, koalicioni i qendrës së majtë rezulton me 44.6 përqind të mbështetjes, kundrejt 43.8 për qind të koalicionit të qendrës së djathtë të drejtuar nga Meloni.
Kryeministrja italiane vjen gjithashtu pas përplasjes publike me presidentin amerikan Donald Trump lidhur me samitin e G7. Edhe pse kjo përplasje mund t'i sjellë përfitime politike në planin e brendshëm, ekuilibri që ajo ka tentuar të mbajë me administratën amerikane ka pasur kosto si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij.
Situata ekonomike mbetet një tjetër sfidë. Lufta me Iranin dhe tensionet tregtare globale kanë ndikuar negativisht në ekonominë italiane. Deficiti buxhetor për vitin 2025 rezultoi më i lartë se sa ishte parashikuar dhe mbi kufirin prej 3 për qind të Bashkimit Evropian, duke detyruar qeverinë të ulë parashikimet për rritjen ekonomike. Borxhi publik ndërkohë mbetet mbi 130 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Kjo do të thotë më pak hapësirë financiare për masat që kanë mbështetur elektoratin e Melonit, si uljet e taksave dhe ndihmat për familjet që përballen me fatura të larta energjie.
Në të njëjtën kohë, presioni pritet të rritet edhe nga partnerët e koalicionit qeverisës. Liga dhe Forza Italia kanë prioritete të ndryshme shpenzimesh, ndërsa përmbushja e të gjitha kërkesave mund të kërkojë rritje të huamarrjes, një çështje e ndjeshme për Italinë për shkak të nivelit të lartë të borxhit.
Sipas Bloomberg, thirrja e zgjedhjeve përpara se këto probleme të përplasen mes tyre mund të rezultojë alternativa më pak e rrezikshme politikisht për Melonin.
Një faktor tjetër është edhe reforma zgjedhore që pritet të diskutohet në parlament që këtë javë. Propozimi parashikon një sistem proporcional dhe një bonus të madh mandatesh për koalicionin që siguron më shumë se 42 për qind të votave.
Më vonë gjatë kësaj vere, qeveria e Melonit pritet të bëhet më jetëgjata e Italisë që nga Lufta e Dytë Botërore./Bloomberg
Komente





