Përballjet e kandidatëve për 6 bashkitë e vendit, emrat dhe surprizat e garës së 6 marsit

Të gjitha palët politike tashmë i kanë zyrtarizuar emrat e kandidatëve me të cilët do të masin forcat në betejën e 6 marsit. Lufta më e ashpër pritet të jetë në 2 bashki, Durrësi dhe në kryeqendrën e veriut Shkodrën, të cilën demokratët pavarësisht luftës së brendshme, do të tentojnë ta ruajnë të tyren.

Në Durrës, kryebashkiakja aktuale Emirjana Sako, do të përpiqet ta çojë deri në fund mandatin e marrë me komandim. Përballë saj, Lulzim Basha i ka besuar garën kreut aktual të degës së PD në Durrës, Luan Hoti, një emër i njohur dhe me kontribut politik në strukturat vendore. Në garë do të jetë edhe Ardian Muka, inxhinier e urbanist i zonës, që do të përfaqësojnë koalicionin ‘Shtëpia e Lirisë’ që pas mospranimin nga KQZ, nuk dihet se cili elektorat do ta mbështesë. 

Në Shkodër, beteja do të jetë e ashpër. Jo pa kalkulime socialistët po kandidojnë me Majlinda Angonin,  Prefekte e Shkodrës, por njëherësh dhe sipërmarrëse. Më e ashpër do të jetë brenda llojit, pasi PD do të garojë me një figurë me profil të lartë politik vendor, Xhemal Bushatin, ish-kryetar i këshillit Bashkiak për 4 vite. Koalicioni i Berishës me LSI përfaqësohet me ish-deputetin Bardh Spahia, që gjithashtu gëzon mbështetje elektorale në Shkodër, referuar zgjedhjeve të 25 prilli, ku Spahia rezultoi më i votuari mes demokratësh. Ish-deputeti, mjek në profesion ishte figura kryesore e denoncimeve e PD ndaj qeverisë në periudhën e pandemisë.

Kandidatura e Dibrës ishte surpriza e socialistëve për zgjedhjet e pjesshme vendore. Bankieri Rrahim Spahiu erdhi si risi, pasi është një emër jo shumë i njohur edhe për strukturat lokale.

Më i vështiri rezultoi për Partinë Demokratike, kandidati i Dibrës, Luan Haka, i cili mbajti peng zyrtarizmin e  kandidatëve të Bashës deri të enjten e 3 shkurtit, ku pas më shumë se 6 orësh negociata, u zyrtarizua si kandidat. Luan Haka, i diplomuar për ekonomi ka ushtruar detyrën e Inspektor të Auditit të Brendshëm në Qarkun Dibër dhe ka mbajtur detyra të tjera në Bashki.

Premtim Kryemadhi, më të cilin Shtëpia e Lirisë do të garojë në Dibër rezulton të jetë më i shigjetuari mes të gjithë kandidatëve të koalicionit Berisha-LSI. Ai është bashkëshorti i Belina Zenelit, e cila u shkarkua pak ditë më parë nga KLP, pasi ju gjetën shkelje në kryerjen e detyrës.

Garën për Lushnjën, PS ia ka besuar sërish një kryebashkiakeje në detyrë, Eriselda Sefës, e cila u vendos në krye të Bashkisë, pasi paraardhësi i saj Fatos Tushe u arrestua nga SPAK.

Demokratët vendosin përballë njëri-tjetrit dy juristë. Kandidat i PD do të jetë Indrit Sefa, që aktualisht mban postin e Sekretarit për Çështjet Zgjedhore në PD, por që më herët është angazhuar me Frymën e Re Demokratike.

Berisha zgjodhi përmes primareve, juristin Elton Bano, djalin e ish-deputetit Ilir Bano.

Edhe në Rrogozhinë, Edi Rama do të garojë me kreun e komanduar të Bashkisë, Edsion Memollën, djalin e ish-kryebashkiakut të ndjerë Haxhi Memolla.

Kreu i degës në Rrogozhinë, Ferdinand Saraçi është kandidatura zyrtare e Lulzim Bashës, një figurë e rëndësishme e demokratëve në këtë zonë, ndërsa përballë tij, Hekuran Xhani i Sali Berishës dhe LSI.

Vora pritet të jetë një garë interesante, pasi përballë mësuesit Blerim Shera të socialistëve, Basha e Berisha kanë vënë përballë dy figura të rëndësishme politike të demokratëve, ku PD do të përfaqësohet me ish-kreun e komunës Bërxullë për 12 vite, Ymer Markun dhe Shtëpia e Lirisë me Lulzim Vranën, në profesion ekonomist, por kreu i PD në Vorë për disa vite.

SI.E.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë