VLORË- Në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit, e djathta në qytetin e Vlorës do të ketë dy kandidatë të pavarur. Gjergji Nika, anëtari i Këshillit Bashkiak në Vlorë nga radhët e Partisë Demokratike, ka shpallur kandidaturën e pavarur. Edhe pse vjen nga radhët e PD-së, Gjergji Nika nuk ka pas vetes demokratët, të cilët në këto zgjedhje mbështesin zyrtarisht kandidatin e pavarur, Dionis Sota.
Arsyet se përse zgjodhi që të shpallë kandidaturën e tij për të udhëhequr qytetin e Vlorës, Nika i shpjegon përmes një deklarate publike teksa shkruan se Vlora ka nevojë për një përfaqësim të vërtetë dhe të denjë.
“Vlora nuk është një bashki që thjesht menaxhohet, është një qytet që duhet çliruar nga interesat e ngushta, kapja politike e ekonomike, korrupsioni dhe klientelizmi, që e ka mbajtur peng prej gati 30 vjetësh. E majta e ka kthyer Vlorën në një pronë private, ku pushteti nuk u shërben qytetarëve, por miqve të pushtetit”, shkruan Nika.
Ndërsa të majtët i akuzon se Vlorën e kanë kthyer në pronë private, për Partinë Demokratiken Nika thotë se prej vitesh i ka tallur demokratët me kandidatë të imponuar. Sipas tij, kandidatët e PD në Vlorë kanë qenë produkt i pazareve të lidershipit.
“E djathta, pothuajse është zhdukur nga harta politike e qytetit. Prej vitesh, demokratët në Vlorë janë tallur e nëpërkëmbur me kandidatë të imponuar, që nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Demokratike, me historinë e saj dhe me qytetin tonë, me të djathtën apo me parimet që përfaqësojmë. Kandidatë që kanë qenë produkt i pazareve të lidershipit dhe enturazhit të tij, jo i vullnetit të demokratëve të vërtetë”, shprehet ai në deklaratë.
Nika thotë se Vlora ka nevojë për një alternativë të re, për një kandidaturë që nuk ndan, por bashkon.
Edhe pse është kandidat i pavarur, Gjergj Nika nuk detyrim ligjor për të tërhequr nga Komisioni Qendror Zgjedhor formularët për regjistrimin e Komitetit Nismëtar, afate të cilat kanë përfunduar, pasi ai është pjesë e Këshillit Bashkiak dhe sipas nenit 70 pika 4 e Kodit Zgjedhor, i mjafton një vërtetim që është anëtar i këshillit bashkiak për të garuar si kandidat i pavarur.
Deklaratë e Gjegj Nikës për kandidimin për zgjedhjet e pjesshme vendore në Vlorë
Kandidoj në zgjedhjet e pjesshme vendore në Vlorë, sepse pavarësisht se janë zgjedhje për pushtetin vendor, në të vërtetë janë zgjedhje thellësisht politike.
Vlora ka nevojë për një përfaqësim të vërtetë, të ndershëm dhe të përgjegjshëm. Vlora nuk është një bashki që thjesht menaxhohet, është një qytet që duhet çliruar nga interesat e ngushta, kapja politike e ekonomike, korrupsioni dhe klientelizmi, që e ka mbajtur peng prej gati 30 vjetësh.
E majta e ka kthyer Vlorën në një pronë private, ku pushteti nuk u shërben qytetarëve, por miqve të pushtetit. Tenderat, emërimet, vendimmarrjet, gjithçka sillet rreth një qarku vicioz interesash ndërsa qytetari i zakonshëm është i pafuqishëm në shfaqjen e përditshme të arrogancës dhe abuzimit.
Nga ana tjetër, e djathta, pothuajse është zhdukur nga harta politike e qytetit. Prej vitesh, demokratët në Vlorë janë tallur e nëpërkëmbur me kandidatë të imponuar, që nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Demokratike, me historinë e saj dhe me qytetin tonë, me të djathtën apo me parimet që përfaqësojmë.
Kandidatë që kanë qenë produkt i pazareve të lidershipit dhe enturazhit të tij, jo i vullnetit të demokratëve të vërtetë.
Unë kam qenë aktiv dhe i angazhuar në Këshillin Bashkiak, një zë i fortë dhe i pandikuar në mbrojtje të qytetarëve vlonjatë, të drejtave të tyre dhe të interesit publik edhe kur të tjerët heshtnin. Kam qenë gjithmonë në krah të njerëzve të ndershëm që duan një qytet më të mirë, më të drejtë dhe më të lirë.
Sot kandidoj sepse nuk dua ta shoh më qytetin tim pa zë dhe demokratët pa dinjitet. Kandidoj, sepse nuk dëshiroj që PD të zhbëhet nga individë groteskë!
Kandidoj, sepse në këto vite, kryesia e degës lokale të PD-së ka larguar sistematikisht njerëzit më të aftë, më të përkushtuar, më të ndershëm dhe më të lirë, për të mbajtur afër vetëm të bindurit dhe idealistët, idealizmin e të cilëve e përdor.
Kandidoj sepse nuk dua ta shoh më Vlorën peng të një partie që s’qeveris dot ndryshe veçse për klientët e saj, dhe as të një opozite që rri në radhë për emërime, jo për ideale.
Sot, Vlora ka nevojë për një alternativë të re, për një kandidaturë që nuk ndan, por bashkon.
Unë jam kandidati sot dhe nesër kryetari përbashkues, për të gjithë qytetarët e Vlorës, që për shumë kohë nuk kanë pasur zë dhe përfaqësim. Do të jem zëri i të gjithë atyre që janë lodhur nga servilizmi, nga pazaret, nga fytyrat që nuk ikin kurrë! Do të jem kandidati sot e kryetari nesër i qytetarëve, jo i pazareve.
Ndaj ftoj të gjithë qytetarët e paangazhuar, opozitarët e sinqertë, demokratët e vërtetë, dhe të majtët e zhgënjyer të më bashkohen në këtë përpjekje për ta kthyer Vlorën në një qytet që i përket qytetarëve, jo klientelës politike.
Një qytet i lirë fillon me një votë të lirë!
Gjergji Nika
Pasi bëri publike se do të kandidonte si i pavarur për Bashkinë e Vlorës në zgjedhjet e 9 Nëntorit, Gjergji Nika në një prononcim për Report Tv, ka deklaruar se ka qenë presioni i strukturave të PD-së që bëri që ai të merrte përsipër garën.
Po ashtu Nika tha se nuk do ta dorëzonte mandatin si këshilltar bashkiak në Bashkinë e Vlorës.
“Kam pas një presion shumë të madh nga strukturat e Partisë Demokratike dhe strukturat e gjithë forcave opozitare, që donin që të kishin një përfaqësues të tyre, pasi me kandidatët e pavarur ndjeheshin të pa përfaqësuar. Ka qenë forca e tyre dhe qytetarëve që kanë bërë që unë të marr këtë vendim. Unë tani regjistrohem si kandidat, duke pas parasysh që jam anëtar i Këshillit Bashkiak prej më shumë se 6 muajsh dhe mandatin nuk e dorëzoj dhe do ta vazhdoj edhe pas garës. Kështu që ditën e hënë do të dorëzoj gjitha dokumentacionet e duhura në KQZ dhe do jem kandidati tjetër i pavarur në garën e 9 nëntorit”, tha Nika.
Sa i përket kandidaturës së tij, Nika tha se është pritur mirë nga strukturat dhe qytetarët.
“Është pritur shumë pozitivisht. Ka më pak se një orë që është bërë postimi dhe pas një reagim shumë pozitiv dhe ka qenë ajo që prisnin të gjithë qytetarët, jo vetëm strukturat e PD-së, por edhe të zhgënjyerit e partive të tjera, edhe të zhgënjyerit e qytetit, të cilët kërkonin diçka ndryshe ose kërkonin që ti mbronte për qytetin dhe luftërat që donin të bënim në të ardhmen për ta”, deklaroi Nika.
Më tej, Nika i bëri thirrje qyterarëve të Vlorës që t’i bashkohen nismës së tij.
“I ftoj të gjithë qytetarët që ti bashkohen nismës time për t’i dhënë qytetin një kryetar që do të jetë kryetar i qytetarëve dhe që do ua kthejë bashkinë qytetarëve. Bashkia duhet t’i kthehet qytetarëve”, tha ai.
Ndërsa në fund, Nika tha se PD duhet të përfaqësohet me kandidatë të dalë nga strukturat e saj.
“PD duhet të përfaqësohet nga një njeri që vjen nga strukturat e saj dhe nga një njeri që vjen nga vlerat që PD ka pasur në të shkuarën, që gjithmonë ka përfaqësuar nga kandidatë të denjë,, që kanë marrë përsipër garën. Opozita ëhstë aset për qytetin e Vlorës”, përfundoi Nika.
Komente












