Pasi bëri publike se do të kandidonte si i pavarur për Bashkinë e Vlorës në zgjedhjet e 9 Nëntorit, Gjergji Nika në një prononcim për Report Tv, ka deklaruar se ka qenë presioni i strukturave të PD-së që bëri që ai të merrte përsipër garën.
Po ashtu Nika tha se nuk do ta dorëzonte mandatin si këshilltar bashkiak në Bashkinë e Vlorës.
“Kam pas një presion shumë të madh nga strukturat e Partisë Demokratike dhe strukturat e gjithë forcave opozitare, që donin që të kishin një përfaqësues të tyre, pasi me kandidatët e pavarur ndjeheshin të pa përfaqësuar. Ka qenë forca e tyre dhe qytetarëve që kanë bërë që unë të marr këtë vendim. Unë tani regjistrohem si kandidat, duke pas parasysh që jam anëtar i Këshillit Bashkiak prej më shumë se 6 muajsh dhe mandatin nuk e dorëzoj dhe do ta vazhdoj edhe pas garës. Kështu që ditën e hënë do të dorëzoj gjitha dokumentacionet e duhura në KQZ dhe do jem kandidati tjetër i pavarur në garën e 9 nëntorit”, tha Nika.
Sa i përket kandidaturës së tij, Nika tha se është pritur mirë nga strukturat dhe qytetarët.
“Është pritur shumë pozitivisht. Ka më pak se një orë që është bërë postimi dhe pas një reagim shumë pozitiv dhe ka qenë ajo që prisnin të gjithë qytetarët, jo vetëm strukturat e PD-së, por edhe të zhgënjyerit e partive të tjera, edhe të zhgënjyerit e qytetit, të cilët kërkonin diçka ndryshe ose kërkonin që ti mbronte për qytetin dhe luftërat që donin të bënim në të ardhmen për ta”, deklaroi Nika.
Më tej, Nika i bëri thirrje qyterarëve të Vlorës që t’i bashkohen nismës së tij.
“I ftoj të gjithë qytetarët që ti bashkohen nismës time për t’i dhënë qytetin një kryetar që do të jetë kryetar i qytetarëve dhe që do ua kthejë bashkinë qytetarëve. Bashkia duhet t’i kthehet qytetarëve”, tha ai.
Ndërsa në fund, Nika tha se PD duhet të përfaqësohet me kandidatë të dalë nga strukturat e saj.
“PD duhet të përfaqësohet nga një njeri që vjen nga strukturat e saj dhe nga një njeri që vjen nga vlerat që PD ka pasur në të shkuarën, që gjithmonë ka përfaqësuar nga kandidatë të denjë,, që kanë marrë përsipër garën. Opozita ëhstë aset për qytetin e Vlorës”, përfundoi Nika.
Lajmi kryesor:
Përçahet e djathta në Vlorë/ Këshilltari bashkiak i PD shpall kandidaturën si i pavarur: PD tallet me demokratët, kandidatët produkt i pazareve të lidershipit












