'Përçarëse', 'inatçore', 'notere e Kurtit', Vjosa Osmani kritikohet ashpër për fjalimin vjetor në Kuvend

'Përçarëse', 'inatçore', 'notere e Kurtit', Vjosa Osmani kritikohet ashpër për fjalimin vjetor në Kuvend

Vjosa Osmani

Adresimi vjetor i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Kuvendin e Kosovës ka nxitur reagime të shumta. Ndonëse fjalimet vjetore të presidentëve në Kuvend janë ngjarje ceremoniale, Osmani nuk ka hezituar të kritikon opozitën dhe ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Këto kritika kanë bërë që shefes së shtetit t`i jepen epitete të ndryshme nga zyrtarë të opozitës dhe njohës të rrethanave politike në vend.

Sipas tyre, fjalimi i shefes se shteti para deputetëve ka dëshmuar se ajo nuk përfaqëson unitetin e popullit, ashtu siç parasheh Kushtetuta e Kosovës. Më e ashpër në reagim ka qenë deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.

Në një status në profilin e saj në “Facebook”, Musliu është marrë edhe me pamjen e saj.

“Të gjykosh të tjerët për pamjen nuk është mirë, por mëqenëse ti vet e paske bërë pamjen tënde pjesë të fjalimit vjetor atëherë na thuaj: A nuk është zmbrapsje ikja dhe operimi i lukthit në Turqi? Dhe atê në kundërshtim me kushtetutën e Republikës së Kosovës. Si presidente ti do të mbahesh në mend veç si inatiqore, kompleksgjike, përçarëse dhe urrejtëse deri në palcë! Me qe paske hyrë të kg. Po ta them troq: Do të mbahesh në mend si një GRUA që hyri në Presidencë me 100 kg e do të dalë nga aty me 50 kg. Ti mund të jesh çkado përveç presidente.”, ka shkruar ajo.

Edhe aktivistja e PSD-së, Teutë Rrusta, ka thënë se presidentja Osmani ka keqpërdorur institucionin në krye të të cilit është.

“Fjalimi i saj u përcoll me shumë pasaktësi historike, gjuhë propaganduese dhe mungesë etike kur sulmoi oponentët politik të cilët sot janë të burgosur. Sulmimi i atyre që nuk kanë sot mundësi të flasin, sepse padrejtësisht po gjykohen për luftën çlirimtare, nga karriga e presidencës nuk ka gjest më të ulët dhe ky është dëmi që po i bëhet tregimit për Kosovën, dhuratë nga presidentja. Në vend se ta vendoste tërë pushtetin e saj në shërbim të mbrojtjes së krerëve të UÇK-së dhe kundër këtij procesi politik, me shumë shkelje, ajo keqpërdorë karrigen. Ky veprim quhet luftë për pushtet”, ka thënë Rrusta për gazetën Nacionale.

Ajo ka thënë se e para e vendit e përshkruan luftën çlirimtare në mënyrë të përçudnuar.

“Osmani nuk përmbahet dot prej padurueshmërisë që ka ndaj Thaçit e Veselit, dhe luftës së armatosur. Ajo e përshkruan luftën e armatosur në mënyrë të përçudnuar. S’ka si i ikë faktit historik, prandaj vendosë ta manipulojë atë. Tutje fjalimi i Presidentes na solli ndërmend që ende mbetët pa një agjendë të vetën. E reduktuar komplet në zëdhënëse të Qeverisë. Deklarimet që i kemi dëgjuar nga Kurti, Konjufca e Haxhiu sot i dëgjuam edhe një herë në formën e tyre të përmbledhur nga zëri i presidentes”, ka thënë ajo.

Rrusta ka kritikuar presidenten edhe pjesën e fjalimit ku ajo ka folur për feminizmin. “Një gjë që nuk i rri presidentes është flamuri i feminizmit. Në njërën anë mbron ligjërimin dominant, ndërsa kur vije tema tek femicidi dhe çështjet me bazë gjinore, ajo tenton të arrnohet me nocione, fjalor e shpjegime gjysmake, të huaja për të. Presidentja bie në kundërshtim me vetën. Nuk mund të jemi për barazi dhe të drejtat e njeriut edhe të përkrahim liderë autoritarë e politika segreguese”, ka thënë Rrusta, duke thënë se fjalimi i saj ishte tendencioz.

Ndërsa, Artan Behrami, ish-këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka thënë se adresimi vjetor i shefes se shtetit dëshmon se ajo është epiqendra e përçarjeve politike në Kosovë. “Fjalimi për fundvit i Presidentes Osmani edhe një herë dëshmon se ajo është epiqendra e përçarjeve politike në Kosovë. Presidentja Osmani ka shkelur tri herë Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Pasi ka parë që mbështetja popullore e saj ka rënë për tokë, Presidentja Osmani i rikthehet teknikave primitive të akuzave kundër oponentëve politikë!”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Presidente me vota të blera

Si reagim ndaj fjalimit të saj, disa njohës të rrethanave politike në vend ia kanë kujtuar presidentes Osmani mënyrën se si është zgjedhur presidente e vendit.

Politologu Shkodran Ramadani ka thënë se Osmani është bërë presidente me vota të mafisë së betonit.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se prej se është bërë Osmani presidente Kosova nuk është njohur nga asnjë shtet.

“E vërteta e politikës së jashtme të Kosovës është në kundërshti të plotë me propagandën e Vjosa Osmanit. Kosova ka pasë politikë të jashtme në vitet '90. Ka pasë gjatë luftës. Ka pasë pas luftës. Ka pasë në kohën kur është shpallë pavarësia. Ka pasë edhe pas pavarësisë, më të cilën Kosova ka siguruar 116 njohje. Ndërkohë, prej kur Vjosa Osmani është zgjedhur Presidente me vota të blera nga Mafia e Betonit dhe nga Lista Srpska dhe qëkur Ministre e Jashtme është bërë Donika Gërvalla, e njohur edhe si Ministrja e Gafeve dhe Skandaleve, Kosova nuk e ka marrë asnjë njohje, asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe ka degraduar raportet me shtetet aleate”, ka shkruar Ramadani.

Sipas tij, sot politika e jashtme është në duar të sharlatanëve.

“Për më tepër, më shumë se një vit i ka lënë ambasadat e Kosovës nëpër botë të zbrazëta, vetëm për t'i kolonizuar më pas me militantë partiakë. Është mëkat që politika e jashtme, e cila me angazhim, përkushtim e strategji ndërtoi aleancat e shumta e të forta në tri dekadat e fundit, sot është në duart e një qeverie të miopëve, sharlatanëve dhe atyre që atdheun e shohin veç trampolinë për karriera personale”, ka shkruar ai.

Ndërsa, analisti politik Imer Mushkolaj shefen e shtetit e ka cilësuar si inatçore.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se e para e vendit sot në Kuvend e ka shfry mllefin e saj.

“Presidentja inatçore e paska shfry mllefin sot n'parlament. Ta merr mendja krejt bota i ka faj”, ka shkruar Mushkolaj.

Adresimi i presidentes

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në adresimin e saj vjetor para deputetëve, ka folur për sfidat që Kosova ka pasur në këtë vit dhe punën që institucionet kanë bërë në tejkalimin e tyre.

Në fjalimin e saj të gjatë, ajo ka folur edhe për kërcënimet e Serbisë ndaj Kosovës.

“Jemi të gjithë dëshmitarë të kërcënimit të vazhdueshëm të Serbisë ndaj Kosovës. Ky kërcënim me përmasa agresioni së fundi është shpërfaqur nëpërmjet idesë hegjemoniste të vendosjes së trupave ushtarake të Serbisë në Kosovë. Por, Serbia dhe udhëheqësi i saj Vuçiq e dinë fare mirë se prezenca e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës mori fund një herë e përgjithmonë më 12 qershor 1999. Në vitin 1999, kur trupat e NATO-s thyen boshtin kurrizor të idesë hegjemoniste te Serbisë për një Kosovë pa shqiptarë ku shfarosja ishte qëllimi gjenocidal i tyre”, ka thënë ajo.

Pjesa e fjalimit që ka nxitur më së shumti kritika, është ajo ku e para e vendit flet për politiken e jashtme.

Osmani ka thënë se politika e jashtme është e fokusuar në interesin e Kosovës e jo të interesave të ngushta individuale. “‘Kosova nuk ka politikë të jashtme’, po thonë ca zëra. Natyrisht që Kosova ka politikë të jashtme. Në fakt, më në fund, Kosova ka politikë të jashtme. Por, po ju tregoj se çfarë nuk ka Kosova tani: Nuk ka lobim për ndryshim kufijsh, nuk ka pagesa lobistësh për të shtyrë përpara agjenda puro individuale, nuk ka intervista të paguara për të promovuar liderë të caktuar, nuk ka flirtime me Serbinë e me Rusinë me qëllim të interesave individuale, nuk ka udhëheqës që Kosovën e krahasojnë me Nagorno Karabakh e me Abkhazi e me Krime. Koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar njëherë e përgjithmonë!”, ka thënë Osmani.

Fjalimi i presidentes Osmani në Kuvend është braktisur nga dy partitë opozitare, PDK dhe AAK. Në sallë ka qëndruar deputetët e LDK-ja dhe ata të koalicionit qeverisës./Nacionale

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Artan: 16/12/2022 08:41

    Dosa Osmani eshte Mona e Kosoves. Al Bini eshte Likja.

    Përgjigju
  • UKU MOMLIT: 15/12/2022 17:38

    Hashim e ramush,zbraz e mbush. Lehaqentë e Beogradit në PRISHTINË jane bere per tu qare hallin zezanve politiqenër.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Ylli Pata: Pse opozita nuk ka fituar pikë nga hetimet e SPAK?

Ylli Pata: Pse opozita nuk ka fituar pikë nga hetimet e SPAK?