TIRANE- Partia Demokratike ndahet në dy grupe, njëri pro Bashës dhe tjetri kundër Bashës. Pas acarimit të situatës lidhur me procesin e zgjedhjeve brenda Partisë Demokratike ku senatorët e partisë si edhe disa figura të reja dolën kundër kryetarit, deputetët e rinj që nuk kanë pasur më parë eksperienca politike tanimë kanë dal në krah të Bashës për ta mbrojtur. Burime nga selia blu bëjnë me dije se grupi parlamentar i PD-së aktualisht është i ndarë në tri pjesë, ku dy janë më të zjarrtit ata pro Bashës dhe grupi kundër.

Përçarja
Deputetët e rinj të PD-së që nuk kanë pasur më parë eksperienca të larta politike si Liljana Elmzi, Albina Deda, Mhill Fufi etj... janë rreshtuar në grupin pro kryetarit lidhur me procesin zgjedhor. Sipas burimeve bëhet me dije se këto deputetë kanë mbështetur të gjithë iniciativën reformuese të PD-së alla Basha, i cili ka përjashtuar në mënyrë kategorike të gjithë deputetët në kandidimin për kryetar dege si edhe ka lënë në terr informativ të gjithë deputetët.

Sipas grupit pro Basha, kreu i ri i PD-së bën mirë që nuk i përfshin deputetët në procesin reformues të partisë, pasi sipas tyre, ata janë konsumuar tanimë, duke hedhur ambiciet e tyre për të marrë poste drejtuese të larta në strukturat e reja që pritet që të zgjidhen pas riorganizimit të Partisë Demokratike. Pjesa tjetër që përfshin senatorët e partisë si edhe personat që kanë mbajtur poste shumë të larta në kohën kur PD ishte në pushtet, kanë dalë kundër Bashës për mënyrën se si po organizon partinë. Mësohet se Topalli nuk ka dhënë ambicie për të marrë poste, por ka kërkuar që dy nënkryetarët e partisë t’i propozojë ajo. Kjo pasi Topalli ka kërkuar që të ketë sërish influencë në parti, gjë të cilën Basha nuk e do.

Deputetët falen tek Berisha
Java që sapo ka nisur ka vijuar me një intensitet tepër të lartë takimesh në zyrën e ish-kryeministri Berisha. Duke qenë se ai ka qenë një ndër personat që ka përcaktuar udhëzuesin pasi Basha është konsultuar vetëm me Berishën, deputetët e Partisë Demokratike kanë zhvilluar biseda të shpeshta në zyrën e ish-kryetarit të tyre duke kërkuar më shumë informacion për procesin. Kjo pasi Basha ka pezulluar të gjithë kontaktin me partinë duke u mbyllur në zyrën e tij dhe duke shmangur të gjithë takimet e mundshme. Kësisoj senatorët e PD-së i janë rikthyer ish-kryetarit të tyre Berisha për t’u informuar për procesin e zgjedhjeve brenda PD.

Shkrimi u publikua sot (17.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)