Përfaqësia diplomatike në Tiranë
"E meritoni statusin kandidat"

Përfaqësia diplomatike në Tiranë<br />
TIRANË - Shqipëria e meriton statusin vendin kandidat dhe ashtu si pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor e ka vendin në familjen Europiane. Ka qenë ky fokusi i diskutimeve në konferencën e organizuar këtë të mërkurë nga ambasada e Greqisë, si vendi që mban presidencën e radhës së BE dhe Levizja Europiane në Shqipëri. Të ndarë në panele të ndryshme, aktviteti ka mbledhur së bashku ministra, deputetë dhe ambasadorë të akredituar në Tiranë si dhe përfaqësues nga BE.

Ambasadori grek në Tiranë Leonidas Rokanas ka theksuar se qëllimi BE-së është zgjerimi si dhe ka vlerësuar luftën e qeverisë kundër krimit dhe drogës.

“Do të doja të merret një vendim i rëndësishëm në qershor. Ne po ecim të fortë, jemi të vendosur të ndihmojmë jo vetëm Ballkanin Perëndimor, por edhe Shqipërinë për ta ndihmuar këtë vend të avancojë sa më shpejt drejt familjes europiane atje ku i përket. Shqipëria ka treguar angazhim të fortë jo vetëm në politikë për të qenë pjesë e familjes europiane por e ka vërtetuar edhe në zhvillimin më të fundit për të luftuar krimin e organizuar, luftën kundër drogës që është shumë e rëndësishme”. tha Rokanas

Ambasadori i Italisë në vend Massimo Gaiani ka deklaruar se shpreson që me marjen e Presidencës së BE-së Italia ta nisë me lajmin e mirë të marjes së statusit nga ana Shqipërisë. 

"Ne shpresojmë që presidenca jonë do të nisë me një lajm të mirë, dhënien e statusit kandidat Shqipërisë. Ju e dini që ne të gjithë besojmë se është mëse i merituar. Shqipëria ka bërë atë që i është kërkuar dhe meriton 100 % të marrë statusin." u shpreh Gaiani

Ministrja e Integrimit Evropian Klajda Gjosha u shpreh se afërsia e vendit me BE-në ka ndihmuar shtetet ballkanike në afrimin e tyre, ndërs, ish ministja integrimit, Majlinda Bregu ka theksuar se procesi integrimit ka nevojë për bashkimin e forcave politike dhe institucionale.

"Ky proces ka ndikuar pozitivisht jo vetëm për rajonin por dhe më gjerë dhe më këtë frymë duhet të vazhdojmë përpara duke iniciuar nisma dhe projekte konkrete të cilat i shërbejnë aspiratës tonë Evropiane dhe të mirës tonë të përbashkët dhe jam e bindur se mesazhi më i mirë do të ishte dhënia e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë gjatë javëve në vijim.” tha Gjosha

“Ky proces, ka nevojë për të bashkuar forcat. Ky proçes ka një opozitë që e mbështet pa kushte integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Do të doja të shtoja se dhe roli i Parlamentit është një rol i cili duhet forcuar, pasi Parlamenti Shqiptar, ka mundësi, hapësira për të forcuar rolin kontrollues, monitorues të proçesit të integrimit, pasi nuk mund të rri vetëm në hartimin dhe plotësimin e kuadrit ligjor." tha Bregu

Shefi i Njësisë për Shqipërinë në Komisionin Evropian Vassilis Maragos është shprehur se reforma në administratën publike është e rendit primar, por për të lind nevoja e kompromisit politik mes palëve.

"Administrata publike e vendeve kandidate duhet të implementojë legjislacionin e BE-së, ndaj dhe ne fokusohemi kaq shumë tek ky sektor sepse bëhet fjalë për një investim afatgjatë. Pra duhet të përgatiteni për ditën e anëtarësimit, përgatitje politike që do të thotë duhet të keni administraten e duhur për të negociuar, ku do të theksoja rëndësinë e kompromisit, si një element thelbësor i vetë BE-së. Pra pa një frymë kompromisi politik nuk mund të arrini shumë në BE." theksoi Maragos

Deklaratat e zyrtarëve të lartë të politikës u bënë gjatë punimeve të konferencës ndërkombëtare “Presidenca Greke dhe Zgjerimi në Ballkanin Perëndimor, e organizuar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) dhe Ambasada e Greqisë në Tiranë, në partneritet me Fondacionin Helenik për Politikën e Jashtme dhe Europiane.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria çel negociatat për kapitullin e parë, integrohemi brenda 2030?



×

Lajmi i fundit

Sulmi bën Sylvinhon me 'dhimbje koke', skualifikohet Mirlind Daku

Sulmi bën Sylvinhon me 'dhimbje koke', skualifikohet Mirlind Daku