/ATSH-AFP/ - Përfaqësuesit e lartë të kreditorëve të Greqisë (BE, BQE dhe FMN) duhet të mbërrijnë në Athinë deri të dielën në mbrëmje në kuadër të rifillimit javën e ardhshme të diskutimeve me zyrtarët grekë për një plan të ri ndihme për vendin, theksoi sot një burim i Ministrisë greke të Financave.
"Një zyrtar i Mekanizmit Evropian të Stabilitetit (MES) duhet të jetë gjithashtu i pranishëm në Athinë", theksoi i njëjti burim, nën kushtet e anonimatit.
Diskutimet parashikojnë finalizimin e kredisë së re për një periudhë tre vjeçare prej më shumë se 82 miliardë eurosh arritur më 13 korrik mes Athinës dhe drejtuesve të eurozonës pas negociatave shumë të vështira.
Athina dhe Brukseli dëshirojnë që këto negociata të përfundojnë deri në 15 ditëshin e dytë të muajit gusht. Greqia, arkat e të cilës janë boshatisur, duhet t'i rimbursojë 3,19 miliardë euro BQE-së më 20 gusht dhe 1,5 miliardë euro FMN-së në muajin shtator.