Një ngjarje e rëndë është shënuar në orët e para të mëngjesit në Bulqizë, ku automjeti gazetarit Sami Curri është përfshirë nga flakët në rrethana ende të paqarta.
Sipas burimeve paraprake, makina ka qenë e parkuar pranë banesës së gazetarit dhe është konstatuar në flakë rreth orës 02:45 pas mesnatës. Banorë të zonës kanë njoftuar menjëherë shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë ndërhyrë për të shuar zjarrin, por automjeti është djegur pothuajse plotësisht.
“Jam njoftuar rreth orës 3 pa një çerek të mëngjesit që është vënë zjarr te makina, nga një komshi i katit të tretë, makina është e parkuar rreth 30 metra larg nga pallati ku unë banoj me nënën time. Fatmirësisht, pa dëme të tjera te makinat ngjitur”, shpjegon ai.
Ende nuk dihen shkaqet e këtij incidenti, ndërsa nuk përjashtohet as mundësia e një zjarrvënieje të qëllimshme, siç vetë gazetari Curri dyshon.
“Kjo gjëja është e qëllimshme dhe është totalisht me synimin për të sjellë një mesazh tek unë dhe për punën që bëj, por së pari iu them që ata që e kanë bërë këtë veprim, as nuk do të më kërcënojnë ose frikësojnë dot sepse për mua gazetaria është një mision që i shërben interesit publik dhe do të vazhdojë me çdo lloj çmimi dhe një nga çmimet jo ishte”, shprehet ai.
Curri punon si gazetar prej 10 vitesh dhe puna e tij përqendrohet te ngjarjet rreth prokurimeve publike, monitorimit të punës së pushtetit vendor dhe drejtësisë në qarkun Dibër.
“Për mua është absolutisht e qëllimshme dhe me qëllimin kryesor për të më përcjellë mesazhin që kjo ishte e para dhe mund të vazhdojë më tej. Kjo gjë nuk më ndal dot”, thotë Curri.
Ai shton se nuk ka asnjë dyshim konkret ndaj dikujt. Gazetari Curri është autor i disa shkrimeve investigative në zonën e Dibrës, teksa administron edhe një portal lokal.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Komente










