Ministrja e Arsimit, Evis Kushi është shprehur se mësimi në shkollën që u përfshi nga flakët në Ballsh, do të rinisë më 5 janar, njëlloj si në shkollat e tjera në vend.
Kushi theksoi se ngjarja po ndiqet me vëmendje ndërsa falënderoi të gjithë zjarrfikësit dhe forcat e posaçme që ndërhyjnë në kohë rekord.
“Po ndjekim nga afër me vëmendje zhvillimet në lidhje me ngjarjen e ndodhur në shkollën 9-vjeçare "5 Shkurti" në Mallakastër, ku si pasojë e zjarrit në njërën prej klasave janë shkaktuar dëme fizike dhe materiale.
Sipas informacioneve zyrtare paraprake, shkak i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike, por megjithatë kërkoj nga organet kompetente, jo vetëm Policia e Mallakastrës por edhe Bashkia, si institucioni përgjegjës për sigurinë e shkollës, që të bëjnë sa më parë një hetim të plotë të shkaqeve që çuan në këtë incident.
Falënderoj veçanërisht punonjësit e zjarrfikëses dhe personelin e shkollës, të cilët kanë ndërhyrë në kohë rekord, duke parandaluar përhapjen e zjarrit në klasat e tjera.
Dëshiroj të informoj opinionin publik se po marrim të gjitha masat, në bashkëpunim me Bashkinë dhe Zyrën Arsimore Mallakastër, që shkolla të jetë gati për të pritur nxënësit ditën e enjte, më datë 5 janar, kur rinis procesi mësimor në të gjitha shkollat e vendit.”- shkroi Kushi.
Lajmi kryesor: