Kosova ka humbur të gjitha shanset për t'u kualifikuar në Euro 2020 pas humbjes 2-1 në Çeki. Me mungesën e Vedat Muriqit, dardanët synonin në Plzen vetëm një rezultat, fitoren.
Ardhe Nuhiu, shtatlartin të cilin Challandes e vendosi në krye të sulmit shpërbleu besimin e trajnerit në minutën e 50’ pasi shfrytëzoi një harkim të Hadërgjonajt dhe shënoi me kokë nga një distancë 15 metra.
Por festa e tifozëve dhe avantazhi i miqve zgjati vetëm 20 minuta. Në minutën e 71’ Alex Kral barazoi për vendasit. Kosova e tronditur shpëton dy herë në 5 minuta nga traversa por ccekët ishin të pandalshëm dhe shënojnë sërish me Celutskan në minutën e 77’ të cilit i mjafton vetëm një devijim për të mposhtur portierin Muric.
Në fund disa prej lojtarëve të Kosovës u përlotën por paraqitja e tyre në këto eleminatore ishte mbreslënëse. Gjithsesi dardanët mund të ngushëllohen në sfidën e së djelës pasi presin në Prishtinë, përfaqësuesen e Anglisë. Tre Luanët kanë blinduar vendin e parë me 18 pikë pasi shpartalluan 7-0 Malin e Zi në Wembley.