Forcat e policise të perfshira në operacion kanë kryer lëvizje në zona të pyllëzuara e terren të vështire nga 2 deri në 3 ore më këmbë. Bimët ishin kultivuar në parcela të hapura rishtas ,në zona te pyllezuara dhe me shkurre .
Në këtë operacion morën pjesë më shumë se 450 efektivë policie me 70 automjete. Në operacionin e djeshëm që zgjati rreth 12 orë u asgjësuan 150 parcela me 18 mijë bimë narkotike kanabis sativa.
Operacioni u ndoq nga afër nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe zv/drejtori Altin Qato.
Ky është operacioni i dytë i madh kundër kultivimit të kanabisit që zhvillohet në zonën e Dukagjinit.
Policia nuk ka hasur në rezistencën e kultivuesve të bimëve narkotike, sakaq përvec Fnsh-së së Shkodrës në këtë operacion morën pjesë edhe forca special të ardhura nga Tirana.
Pse dhe kur nisi ky operacion?
Operacioni i koduar “Brashta” nisi mëngjesin e djeshëm në Dukagjin, nga Policia e Shtetit. Burime nga policia thanë se kjo zonë është monitoruar nga ajri dhe sajë kësaj autoritetet policore thonë se kanë bërë çdo përllogaritje të nevojshme për të shkatërruar edhe parcelën më të vogël në këtë zonë.
Ku u shtri ky operacion?
Ky operacion antikanabis po zhvillohet pranë fshatrave Ndreaj, Brashtë, Pylaj, Bob, Vuksanaj dhe Breg Lumi në zonën e Dukagjinit.
Sa efektivë të policisë po marrin pjesë për asgjësimin e bimëve narkotike?
Në këtë operacion po marrin pjesë më shumë se 450 forca policore me 70 automjete. Forcat policore i përkasin repartit special RENEA, forcave të ndërhyrjes së shpejtë, si edhe pothuajse pjesa më e madhe e strukturës policore të Qarkut të Shkodrës
Në sa grupe po vepron ky operacion?
Në këtë operacion janë duke vepruar 28 grupe.
Sa lëndë të bimëve narkotike janë asgjësuar?
Deri në mesditë, Policia e Shtetit raportoi se ishin asgjësuar 65 parcela me rreth 6.675 bimë narkotike. Por, me kalimin e orëve dhe pa ndërhyrje nga faktorë të tjerë, raportimi i pasdites së vonë shkoi në 150 parcela të shkatërruara me 18 000 bimë narkotike kanabis sativa.
Deri në çfarë lartësie variojnë bimët e asgjësuara dje në Dukagjin nga Policia?
Sipas një njoftimi zyrtar nga Policia e Shtetit bëhet me dije se në parcelat e shkatërruara ndodheshin nga 40 deri në 200 bimë narkotike të llojit kanabis sativa. Gjithashtu, u raportua se bimët variojnë nga 60 centimetra deri në 240 centimetra lartësi.
Po në sajë të këtij operacioni ka pasur persona të arrestuar?
Sipas policisë, deri në mbrëmje vonë nuk asnjë person të arrestuar, por grupet hetimore po vijojnë punën për sekuestrimin e çdo prove materiale në parcela me qëllim dokumentimin me prova ligjore për të bërë të mundur evidentimin dhe kapjen e autorëve. Bëhet e ditur se në pronën e Dede Mësheqaj, 50 vjeç, u gjetën 1953 rrënjë të kultivuara, ndërsa në banesë iu gjetën municione luftarake. Mësheqaj është shpallur në kërkim prej policisë.
Nga kush u ndoq ky operacion?
Operacioni i koduar “Brashta” i shtrirë në disa zona të Dukagjinit u ndoq nga afër edhe nga vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe zv/drejtori Altin Qato.
Sa mund të zgjasë ky operacion?
Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako i cili ishte edhe vetë i pranishëm në këtë operacion është shprehur se janë të vendosur ta çojnë deri në fund operacionin e nisur, deri në asgjësimin e çdo rrënje të bimës narkotike kanabis sativa të mbjella jo vetëm në këtë zonë, por në të gjithë vendin. Gjithashtu bëhet e ditur se operacioni do të rinisë sot në orët e para të mëngjesit.
Një vit më parë, nisi operacioni për pastrimin e të gjithë zonës
Pas Lazaratit, Dukagjini sfida për antikanabisin
Një vit më parë në këtë zonë një helikopter i forcave të policisë u qëllua me armë zjarri tip automatik gjatë kohës që po patrullonte në kuadër të aksioneve antikanabis. Në operacionin që nisi në të njëjtën periudhë, një vit më parë të fshatit Plan, në Malësinë Dukagjinit, u qëlluan 2 prej 3 helikopterëve të policisë. Si pasojë e sulmit u godit helikopteri Cougar i Ministrisë së Mbrojtjes, por fatmirësisht pa pasoja në njerëz. Por, ky nuk ishte sulmi i parë ndaj policisë, pasi që në nisje të aksionit antikanabis, trafikantët kanë qëlluar me armë ndaj efektivëve blu.
Në atë kohë, policia bëri me dije se një prej personave të grupit të zjarrit ishte edhe Nikë Toma,i cili u cilësua edhe si më i rrezikshmi prej tyre. Toma është i kërkuar nga policia shqiptare që në vitin 2003, pasi mbrëmjen e 14 korrikut të po këtij viti, në fshatin Vuksanaj ai ka qëlluar me breshëri armësh, burrë e grua Nikë dhe Lula Pjollin, 63 dhe 54 vjeç.
Në aksionin e nisur vitin e kaluar, kujtojmë se mbi 100.000 rrënjë të bimës narkotike kanabis sativa u asgjësuan vitin e kaluar gjatë operacionit që zgjati për disa ditë në zonën veriore të Shqipërisë, e cila vitin e kaluar kjo zonë u cilësua si zona e dytë pas Lazaratit për kultivimin e kanabisit.