Përfundon procesi i asgjësimit
të municioneve të tepërta në FA

Përfundon procesi i asgjësimit<br />të municioneve të tepërta në FA
Ka përfunduar me sukses proçesi i asgjësimit të municineve të tepërta, të pa nevojshme dhe jashtë nevojave të Forcave të Armatosura. Ministrja Kodheli ka vlerësuar punën dhe angazhimin disa vjeçar  për përmbylljen me sukses të sfidës madhore për asgjësimin e municioneve të tepërta, jashtë nevojave të FA-së dhe pa vlera përdorimi e financiare.

Shkatërrimi i municioneve të tepërta është arritje e rëndësishme për sigurinë kombëtare dhe për sigurinë e stabilitetin rajonal. Këto municione ishin një bombë me sahat, e cila prej dekompozimit apo vetëndezjes një ditë mund të shpërthente dhe dëmtonte popullsinë dhe mjedisin”, - theksoi Kodheli.

kodheli

Me këtë rast ajo falënderoi të gjthë ata që kontribuan në këtë proçes dhe shprehu mirënjohjen e thellë të saj për angazhimin, përkushtimin dhe punën e bërë ndër vite për demilitarizimin nga të gjithë aktorët, strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm dhe të Komandës Mbështetëse, specialistët dhe punëtorët e uzinave të demontimit në Mjekës, Gramsh e Poliçan, për përmbushjen me sukses të kësaj detyre të rëndësishme. Gjithashtu, ministrja Kodheli theksoi se ky proces do të ishte i pamundur pa asistencën e donatorëve ndërkombëtarë, të cilët na mbështetën me pajisjet dhe makineritë e duhura, trajnimin e personelit dhe financimin e procesit të demontimit. 


kodheli
Suksesi në këtë proçes na bën të ndihemi krenarë që kemi përmbushur një prioritet të rëndësishëm dhe kemi çliruar vendin tonë nga një rrezik për sigurinë e vendit tonë dhe rajonit. Si vend aleat i NATO-s dhe kandidat për BE, edhe në këtë mënyrë, ne po kontribuojmë jo vetëm për sigurinë rajonale, por edhe për mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e cilësisë së ambientit ku jetojmë”.

kodheli

Proçesi i asgjësimit të municioneve të tepërta dhe jashtë përdorimit në Forcat tona të Armatosura ka qenë një proçes sa i vështirë dhe i rrezikshëm, aq edhe i rëndësishëm për rritjen e sigurisë në vendin tonë, por edhe më gjërë. Ky proces ka filluar në vitin 2001 dhe ka vijuar për disa vite rresht.
 
Vetëm gjatë periudhës 2009-2015 janë asgjesuar 100.807 tonë municione të tepërta, nga të cilat 27.323 janë demontuar nga kompania AME, 25.740 nga Uzina e Mjekësit, 23,450 nga Kombinati i Poliçanit, 6.512 nga Uzina e Gramshit, ndërsa 17.873 nga MEIKO. Krahas punës, angazhimit dhe përkushtimit maksimal të strukturave përkatëse të FA, asgjesimi i municioneve të tepërta u realizua edhe falë mbështetjes financiare që donatorë të huaj nga NATO, OSBE etj dhanë përgjatë realizimit të këtij procesi.
 

kodheli
Në Uzinën e Lëndëve Plasëse në Mjekës të Elbasanit, përveç ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli, ishte shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, ushtarakë të lartë të FA-së etj. Gjithashtu edhe ambasadori i SHBA-së në Tiranë, z. Donald Lu, ambasadori i OSBE-së, z. Florian Raunig, atashe ushtarakë të vendeve të NATO-s të akredituar në vendin tonë etj.
 
Ja fjala e plotë e MInistres Kodheli
 Të nderuar Ambasador LU, RAUNIG,
Të nderuar përfaqësues të vendeve dhe organizatave donatore
I nderuar Gjeneralmajor Jeronim BAZO,
Të nderuar pjesëmarrës, Zonja dhe Zotërinj
 
Më lejoni të shpreh kënaqësinë time të veçantë, për prezencën Tuaj në këtë ceremoni, e cila na bashkon në përmbylljen me sukses të sfidës madhore për asgjësimin e municioneve të tepërta, jashtë nevojave të Forcave të Armatosura, dhe pa vlera përdorimi e financiare. Është kënaqësi të shoh se si mozaiku i eliminimit të rreziqeve po plotësohet. Krahas progresit të dukshëm në eliminimin e mbetjeve të rrezikshme kimike, ne eliminuam të gjitha municionet e tepërta. Së bashku, pas përpjekjeve shumë vjeçare, ia dolëm ta çlirojmë vendin tonë prej një rreziku me ndikim të drejtpërdrejtë në mbrojtjen dhe sigurinë e popullsisë, interesave kombëtare dhe sigurisë rajonale.
Qysh prej vitit të parë në detyrën e Ministrit të Mbrojtjes, demilitarizimi ka qenë prioritet i punës së institucionit të Mbrojtjes dhe FA. Tanimë kemi përfunduar këtë proces, gjë që do mundësojë fokusimin në prioritete dhe sfida të tjera të tilla si zhvillimi i kapaciteteve dhe rritja e operacionalitetit dhe ndërveprueshmërisë. Njëkohësisht me eleminimin e rreziqeve që mbartnin këto municione, kemi çliruar edhe personelin e FA dhe kemi larguar barrën financiare të menaxhimit, ruajtjes dhe kujdesit për këto materiale.
Shkatërrimi i municioneve të tepërta është arritje e rëndësishme për sigurinë kombëtare dhe për sigurinë e stabilitetin rajonal. Këto municione ishin një bombë me sahat, e cila prej dekompozimit apo vetëndezjes një ditë mund të shpërthente dhe dëmtonte popullsinë dhe  mjedisin. Për më tepër, për shkak të përhapjes, evidentimit, kushteve të ruajtjes dhe sigurisë këto armatime rrezikonin të binin në duart e keqpërdoruesve, trafikantëve, krimit të organizuar dhe terroristëve. Sot kur shfaqjet brutale të terrorizmit janë pjesë e realitetit të përditshëm, eleminimi përfundimtar i municioneve heq nga duart e terroristëve një mjet për arritjen e synimeve të tyre .
Me këtë rast falënderoj ata që kontribuuan në  suksesin e procesit dhe më lejoni të përshëndes dhe shpreh mirënjohjen e thellë për angazhimin, përkushtimin dhe punën e bërë ndër vite për demilitarizimin nga të gjithë aktorët. Megjithëse nuk mund t’i përmend të gjithë, falënderoj strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm dhe të Komandës Mbështetëse, të cilat kanë planifikuar, monitoruar dhe drejtuar procesin e komplikuar dhe të vështirë.  Vlerësimi më i veçantë shkon për punën dhe kontributin profesional të personelit të angazhuar në përshpejtimin, ecurinë dhe mbarëvajtjen e procesit. Falënderoj ushtarakët dhe civilët e FA, ushtarakët e AME dhe stafin, specialistët dhe punëtorët e uzinave të demontimit në Mjekës, Gramsh e Poliçan, për përmbushjen me sukses të procesit. Me standardet e larta të profesionalizmit dhe sigurisë të ndjekura me rigorozitet, u arrit të shkatërrohej një sasi e pafundme municionesh, ku një pjesë e të cilave nuk u dihej me saktësi as origjina dhe as viti i prodhimit.
Ky sukses do të ishte i pamundur pa asistencën e donatorëve ndërkombëtarë të cilët na mbështetën deri në përfundimin e këtij procesi. Miqtë dhe aleatët tanë na mbështetën me pajisjet dhe makineritë e duhura, trajnimin e personelit dhe financimin e procesit të demontimit. Falë angazhimit dhe kontributit të vendeve mike si SHBA, Gjermania, Danimarka si dhe rolin kyç të NPSA dhe OSBE, sot nuk do të kishim arritur asgjësimin në mënyrë të sigurt dhe të parrezikshëm të mbi 100 mijë ton municionesh. Do të dëshiroja të ndalesha tek donacioni substancial i SHBA nëpërmjet zyrës së reduktimit të armëve në Departamentin Amerikan të Shtetit. Financimi prej 10 milionë dollarësh amerikanë të menaxhuara nga NSPA si agjenci ekzekutive e projektit të asgjësimit të municioneve të tepërta, ishte kritik për gjithë këtë proces. Ju falënderoj Ambasador Lu dhe nëpërmjet Jush shtetin Tuaj mik dhe bujar. Faleminderit edhe Ju, z. Toëndroë si përfaqësues i NSPA.
Po ashtu, mbështetja me pajisje e OSBE-së nëpërmjet donacioneve të qeverive Gjermane dhe Daneze kanë qënë thelbësore për procesin e eliminimit të municioneve dhe për rritjen e sigurisë në uzinat ushtarake që demontojnë municionet e tepërta. Faleminderit edhe Ju Ambasador RAUNIG, si dhe ju përfaqësues të Ambasadave Gjermane dhe Daneze në Tiranë, për mbështetjen  e organizatës dhe qeverive Tuaja në proces.
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Suksesi në këtë proces na bën të ndihemi krenarë që kemi përmbushur një prioritet të rëndësishëm dhe kemi çliruar vendin tonë nga një rrezik për sigurinë e vendit tonë dhe rajonit. Si vend aleat i NATO-s dhe kandidat për BE, edhe në këtë mënyrë, ne po kontribuojmë jo vetëm për sigurinë rajonale por edhe për mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e cilësisë së ambientit ku jetojmë. Realizimi me sukses i këtij procesi të rrezikshëm, duke respektuar standardet më të larta të sigurisë së personelit dhe mbrojtjes së mjedisit, na bën që në nivel rajonal, por edhe më gjerë, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë të jenë të parat, që nuk disponojnë municione të tepërta dhe jashtë nevojave, pa vlera përdorimi dhe financiare.
 
Ministria e Mbrojtjes kapacitetet e zhvilluara dhe përmirësuara ndër vite, për përmbushjen e nevojave tona për demontim, i ka ofruar dhe vënë në dispozicion të vendeve të tjera të rajonit, të cilat përballen me të sfida të ngjashme. Unë mendoj se shpejtësia e procesit, siguria e tij, kostoja e ulët por edhe kujdesi për mjedisin do të jenë kritere atraktive në funksion të sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
Edhe njëherë falënderoj vendet që kontribuuan financiarisht për realizimin e projektit, NSPA-në dhe OSBE-në për angazhimin e palodhur, si dhe MM, FA dhe stafin e punëtorët e uzinave të demontimit për profesionalizmin.
Ju faleminderit!

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Vrasja e Eduart Reçit, del në gjykatë polici i komisariatit nr 2 dhe i vëllai

VIDEO/ Vrasja e Eduart Reçit, del në gjykatë polici i komisariatit nr 2 dhe i vëllai