Objekte të rralla arkeologjike të zbuluara gjatë gërmimeve ndër vite në vendin tonë, kanë përfunduar restaurimin e tyre, duke u bërë të lexueshme e të ekspozueshme për publikun. Bëhet fjalë për tri enë qeramike me vlera historike dhe simbolike, njëra e zbuluar në Amantia në vitin 2019, një tjetër në Mavrovë dhe një kolpide me kapak, lyer pjesërisht me vernik, e zbuluar në vitin 1991, të cilat pritet të zënë vend në vitrinat e muzeve, duke sjellë më afër historinë e lashtë.
“Këto janë objekte të zbuluara gjatë gërmimeve arkeologjike dhe erdhi momenti që ato të restaurohen, për të dhënë maksimumin e informacionit që përmbajnë. Objektet, kur dalin nga toka, janë të mbuluara me depozitime dhe të palexueshme. Është restaurimi ai që i rikthen në gjendje të ekspozueshme dhe të admirueshme.”, thotë restauratori Frederik Stamati.
Procesi i restaurimit kërkon kohë dhe përkushtim të madh, sidomos kur objektet janë të fragmentuara.
“Për shembull, kjo enë ka qenë e copëtuar në mbi 20 pjesë. U desh një punë paraprake për pastrimin nga depozitimet dhe më pas rindërtimi i saj që të bëhej e paraqitshme.”, tregon Stamati.
Një prej enëve më të veçanta është zbuluar në nekropolin e qytetit antik të Amantias dhe mbart një simbolikë të rrallë.
“Ena është gjetur gjatë gërmimeve të vitit 2018 dhe përfaqëson një lutrofor. Ajo përdorej për ujë në rituale paramartesore dhe funerare. Zakonisht lidhet me individë të rinj, të pamartuar.”, thotë arkeologu Jamarbër Buzo.
Forma dhe dekori i saj janë karakteristikë e veçantë, ndërsa funksioni ndihmon arkeologët të kuptojnë më shumë për jetën dhe vdekjen në antikitet.
“Kjo enë na tregon që individi i varrosur ka qenë i pamartuar. Ajo simbolizon një ritual që lidhet me jetën e përtejme, si një ‘dasmë’ e parealizuar në jetën tokësore.”, vijon Buzo.
Edhe enë të tjera të zbuluara në të njëjtin territor dëshmojnë pasurinë kulturore të zonës dhe rëndësinë e ruajtjes së saj.
“Enët qeramike tregojnë funksionin dhe kontekstin ku janë gjetur. Shpesh i gjejmë të plota në varre dhe janë pjesë e ritualeve të ndryshme funerare.”, thotë arkeologu.
Përmes restaurimit dhe studimit, këto objekte të lashta vijojnë të zbulojnë histori të reja, duke u kthyer në dëshmi të gjalla të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Komente










