Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç kanë zhvilluar rreth 4 orë takim në Bruksel të ndërmjetësuar nga përfaqësuesi special për dialog, Miroslav Lajcak dhe shefi i tij Përfaqësuesi i Lartë spanjolli Borell duke shënuar rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi. Pas takimit kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha për mediat se u arrit progres dhe se diskutimi ishte i nivelit politik. Hoti tha se në javët e ardhshme pritet detajimi i çështjeve, ndërsa beson tek mbështetja e ndërkombëtareve. Ajo që kërkohet në bisedime tha Hoti është njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve.

”Kemi bërë progres edhe tek tema e zhvillimit ekonomik detajet tjera do t’i mësoni ditëve në vazhdim. Jemi duke diskutuar, ka progres presim javën e ardhshme të detajojmë këto çështje. Këto janë biseda të nivelit politik, sepse jemi në fazën finale të përmbylljes së marrëveshjes finale duhet vullnet të të dy palëve dhe dedikim mbështetës, por mund të ketë biseda të natyrës teknike. Jemi plotësisht të angazhuar dhe besojmë tek partnerët tanë ndërkombëtarë për mbështetjen që na japin. Çështja me objektivë të qartë është njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Aq sa mund të them e di që ka komunikim të ngushtë mes palës së SHBA-së dhe BE-së”, tha Hoti.

Para nisjes se takimit përfaqësuesi për Politikë të Jashtme i BE-së, Josep Borrell tha se pret që të ketë diskutime konstruktive. “Unë jam shumë i lumtur të shoh që BE ka marrë drejtimin e këtij procesi”, është shprehur Borrell.