Ka përfunduar pas rreth 40 minutash takimi mes presidentit amerikan Donald Trump dhe atij rus Vladimir Putin në Shenzhen të Kinës, në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC). Para bisedimeve, Trump vlerësoi marrëdhëniet me homologun rus, duke e quajtur mik dhe duke theksuar se njihen prej shumë vitesh.
“Kemi marrëdhënie të shkëlqyera prej shumë vitesh. Ai është miku im”, u shpreh Trump.
“Njohim njëri-tjetrin prej shumë kohësh dhe mendoj se nga ky takim mund të dalin shumë gjëra të mrekullueshme, ose të paktën mund të jetë një fillim”, shtoi presidenti amerikan.
Sipas CNN, Shtëpia e Bardhë e përshkroi takimin si një bisedë informale në margjinat e samitit, dhe jo si një takim zyrtar dypalësh.
TaniTrump ka nisur bisedimet me presidentin kinez Xi Jinping.
Më pas pritet të zhvillohet samiti trepalësh mes Trump, Putin dhe Xi Jinping, hera e parë që udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës do të ulen së bashku në një takim të këtij formati.
Në tryezën e bisedimeve pritet të jenë lufta në Ukrainë, konflikti me Iranin, kontrolli i armëve bërthamore dhe marrëdhëniet mes tri fuqive.
“Mendoj se jemi shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje. Do të kemi një takim të frytshëm për këtë çështje”, tha presidenti amerikan për luftën në Ukrainë para nisjes për në kinë.
Në një intervistë për Fox News, Trump tha gjithashtu se do të dëshironte që Rusia dhe Kina të mos i zgjeronin arsenalet e tyre bërthamore, megjithëse pranoi se arritja e një marrëveshjeje për çarmatimin do të ishte e vështirë.
Presidenti amerikan foli edhe për mundësinë e reduktimit të arsenalit bërthamor të SHBA-së me 2 mijë koka bërthamore.
“Në të vërtetë mjaftojnë rreth dhjetë, nëse doni ta dini të vërtetën”, deklaroi Trump, duke iu referuar fuqisë shkatërruese të këtyre armëve.
Sa i përket Iranit, Trump tha se nuk ka nevojë për ndihmën e Rusisë dhe Kinës për t'i dhënë fund konfliktit.
“Nuk kemi nevojë për asnjë ndihmë. Kemi mposhtur marinën e tyre, forcën e tyre ajrore dhe sistemin e tyre të mbrojtjes kundërajrore. Ata duan të arrijnë një marrëveshje, prandaj nuk kam nevojë për ndihmë”, deklaroi ai për Fox News.
Ndërkohë, një ditë më parë, Xi Jinping zhvilloi një takim rreth dyorësh me Vladimir Putinin, ku u diskutua forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ekonomik mes Kinës dhe Rusisë.
Pekini e ka cilësuar samitin trepalësh si një takim me rëndësi të veçantë, ndërsa bisedimet do të zhvillohen në rezidencën qeveritare Kylin Villa, në Shenzhen.
Megjithatë, mes tre vendeve mbeten dallime për çështjet që do të diskutohen, veçanërisht për Ukrainën. Sipas Corriere della Sera, Putin dëshiron ta trajtojë këtë çështje pa pjesëmarrjen e europianëve, Trump është i gatshëm, ndërsa Xi Jinping preferon të shmangë tensionet me Bashkimin Europian.

Kremlini e ka cilësuar pozitiv takimin mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin në Shenzhen të Kinës.
Sipas presidencës ruse, dy liderët diskutuan kryesisht për luftën në Ukrainë, si dhe për çështje që lidhen me marrëdhëniet dypalëshe mes SHBA-së dhe Rusisë.
Kremlini bëri të ditur gjithashtu se Putin u largua nga takimi “me humor shumë të mirë”.





Komente
Komento