Përgjimet, Berisha firmosi paktin 
me Interforcën, ja dokumentet

Përgjimet, Berisha firmosi paktin <br />me Interforcën, ja dokumentet
Opozita shqiptare vijon t’i fryjë debatit mbi ekzistencën e një pajisje të jashtëligjshme përgjimi në Policinë e Shtetit, me sa duket, për të zhvendosur vëmendjen nga reforma në drejtësi. Por, e vërteta e përgjimeve të pretenduara të çon pikërisht tek Sali Berisha, Bujar Nishani, Lulzim Basha dhe Agon Kuliçaj. Shkëmbimi i eksperiencave dhe trajnimi i burimeve njerëzore të Policisë së Shtetit nga Interforca Italiane, buron nga zbatimi i ligjit nr. 9799, datë 10.9.2007, për marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, në luftën kundër kriminalitetit. Kjo marrëveshje është firmosur nga vetë Sali Berisha, asokohe kryeministër.

Po ashtu, marrëveshja është zbatuar nga ish-ministri i Brendshëm, Bujar Nishani dhe ish-zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, i cili de fakto ka luajtur rolin jo vetëm të drejtorit të policisë, por edhe të ministrit të Brendshëm. Për zbatimin e marrëveshjes, palët kanë rënë dakord që të caktonin si organe kompetente ministritë e brendshme, drejtoritë e përgjithshme dhe departamentet e sigurisë publike respektive. Ndërkaq, në modalitetet e marrëveshjes përfshihet asistenca teknike, shkëmbimi i përvojave dhe trajnimet, duke përfshirë edhe pajisjet e përgjimit, të cilat sipas këtij ligji nuk mund të kontrollohen dhe hetohen nga autoritetet shqiptare. Çuditërisht, Sali Berisha dhe Bujar Nishani, iniciatorët dhe zbatuesit e marrëveshjes së 2007, për trajnimin dhe shkëmbimin e përvojave hetimore, sot ngrenë zërin dhe ankohen, për përgjime të paligjshme.

Imuniteti i Interforcës
Marrëveshja e qeverisë “Berisha” ka pajisur me imunitet Personelin e Zyrës Ndërlidhëse Italiane Interforze në Shqipëri. Kjo njësi nuk mund të ndiqet penalisht, nuk mund t’i kërkohet llogari si dhe nuk mund t’i kontrollohen bagazhet. Sipas marrëveshjes, personeli i Zyrës Ndërlidhëse Italiane Interforze gëzon imunitet nga juridiksioni civil, penal dhe administrativ për veprimet e kryera gjatë ushtrimit të funksioneve të tij. Gjithashtu, personeli në fjalë gëzon imunitet ndaj arrestimit apo ndalimit dhe ndaj këqyrjes dhe sekuestrimit të bagazheve personale, me përjashtim të rasteve kur ndalohet në flagrancë, jashtë ushtrimit të funksioneve të tij, për krimet për të cilat në Itali parashikohet arrest i detyrueshëm, pas komunikimit me Zyrën Ndërlidhëse Italiane Interfoze.

Imunitet edhe pas zbatimit
Personeli i kësaj njësie do të vazhdojë të gëzojë imunitet nga juridiksioni civil, penal dhe administrativ për veprimet e kryera gjatë ushtrimit të funksioneve të tij edhe pasi të ketë mbaruar zbatimi i marrëveshjeje. Edhe të mirat materiale që i përkasin Zyrës Ndërlidhëse Italiane Interforze, duke përfshirë ambientet, arkivat apo mjetet që lidhen me to, si dhe ato të personelit që punon aty, duke përfshirë edhe banesat përkatëse dhe bagazhet personale, janë të padhunueshme kudo që të ndodhen, me përjashtim të rasteve kur ka hetime në proces dhe Pala shqiptare në bashkëpunim me Zyrën Ndërlidhëse Italiane Interforze kryen ndalimin apo kontrollin në flagrancë.

Trajnimi
Në nenin 3 të marrëveshjes së firmosur nga Sali Berisha, përshihet asistencë nga pala italiane, këshillim dhe trajnim në sektorin e pengimit të trafiqeve të paligjshme. Marrëveshja parashikon shkëmbim përvoje dhe specialistësh përkatës, duke përfshirë edhe përgatitjen e tyre në fushën e luftës kundër kriminalitetit në të gjitha format e tij. Po sipas marrëveshjes, palët mund të përcaktojnë veprimtari bashkëpunimi edhe në sektorë të tjerë. Marrëveshje parashikon gjithashtu që palët shkëmbejnë eksperiencat reciproke mbi veprimtaritë e brendshme dhe formimin profesional të kuadrove drejtues të policisë. Për këtë qëllim, do të parashikohen shkëmbime operatorësh për frekuentimin e kurseve të perfeksionimit.

Diversioni
Sali Berisha, i akuzuar ndër vite nga kundërshtarët politikë si emblema e përgjimeve dhe e survejimeve të paligjshme në Shqipëri, për herë të parë, ka dhënë alarmin se është përgjuar. Madje, Berisha nxori edhe një listë me personazhe të cilët, sipas tij, ishin përgjuar nga Saimir Tahiri dhe Edi Rama. Përpos vetes dhe bashkëpunëtorëve të tij, Berisha futi në listë edhe përfaqësues të Lëvizjes Socialiste për Integrim, në kuadër të diversionit mes PS dhe LSI. Ish-kryeministri shkoi më tej, duke përfshirë në listë edhe figura të PS, për të krijuar idenë e një klime mosbesimi mes Ramës dhe personaliteteve të selisë rozë.

faksimile e marrveshjes me italine

faksimile e marrveshjes me italine







redaksia online
a.n shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    Arrestohet Beqaj, po i përmbush SPAK pritshmëritë në luftën e korrupsionit?



×

Lajmi i fundit

AMP pezullon nga detyra 2 punonjës të Policisë Rrugore për shpërdorim detyre! Fshehën provat e një aksidenti

AMP pezullon nga detyra 2 punonjës të Policisë Rrugore për shpërdorim detyre! Fshehën provat e një aksidenti