Kreu i BDI-së në Maqedoni Ali Ahmeti ka kërkuar përfshirjen e ndërkombëtarëve në procesin zbardhjes së rastit të fundit të publikuar nga opozita maqedonase me përgjimet. Sipas tij duhet publikuar të gjitha materialet qoftë për institucionet qofte për individ të caktuar të cilët posedon opozita. 

I pyetur a ndjehet i tradhtuar nga partneri i tij në koalicionin Qeverisës, Nikolla Gruevski pas dëshmive të publikuara nga LSDM se është përgjuar telefoni i tij ai thotë se gjërat nuk i mer me emocione por me kokë të ftohtë.  Kreu i BDI-së tha se ngjarje të këtilla kanë ndodhur edhe në vende të tjera, andaj dhe nuk do të ngre padi ndaj asnjë institucioni. 

“BDI punon vepron jashtë emocioneve jashtë zgënjimeve vepron dhe punon me kokë të ftohtë, analizon studion çdo veprim dhe asnjë veprim nuk do bëhet që do i dëmtojë qytetarët e Republikës së Maqedonisë, shqiptarë, maqedonas dhe komunitete tjera që jetojnë në këtë vend. Nuk do udhëhiqemi nga emocionet por nga arsyeja e nacionaliteti. BDI nuk do ngre padi ndaj asnjë institucioni ngjarje të tilla kanë ndodhur edhe në shumë vende të tjera më të përparuara se Maqedonia. BDI nuk ka asnjë shqetësim mbi ndonjë zhvillim të brendëshëm”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së. Ahmeti vlerëson se materialet duhet të bëhen publike për gjithë opinionin. Ndërkaq për zgjidhjen e problemit, gjatë një takimi që ka zhvilluar sot me ambasadorin e BE-së Aivo Orav, ai ka kërkuar përfshirjen e faktorit ndërkombëtarë. 

Ka reaguar edhe kreu i PDSH-së, Mendu Thaçi duke denoncuar përgjime të tilla madje që nga vitet e 90-ta. Thaçi kërkon gjyq special për hetimin e skandalit. A

“Kryetari Thaçi në takim theksoi se zhvillimet e fundit tregojnë se në Maqedoni asgjë nuk funksionon në vijë ligjore dhe të demokracisë së vërtetë. Kryetari Thaçi po ashtu i shpjegoi ambasadorit se liderët e PDSH-së qysh prej viteve 93 kanë qenë të ndjekur, survejuar, të përgjuar dhe se asnjë individ për këto përgjime nuk ka dalë para drejtësisë. Kryetari Thaçi gjithashtu theksoi se ngritja e një gjyqi special me vëzhgim dhe asistim të plotë ndërkombëtarë ku do të përfshiheshin të gjitha rastet e këtilla që nga viti 93, do të ishte ndoshta e vetmja shpresë që rastet e këtilla mos të përsëriten”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Ndërkohë gjatë një konference për shtyp, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, publikoi disa audio inçizime me të cilat njoftoi se në mesin e 20 mijë qytetarëve të përndjekur nga pushteti aktual, kanë qenë edhe tre liderët e partive shqiptare, Ahmeti, Thaçi dhe Osmani.