Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri ka deklaruar këtë të mërkurë në një konferencë për mediat se dosja “339” nuk mund të harrohet, pasi ajo është prova demonstruese e pushtetit të lidhur me krimin. Sipas tij, zbardhja e krimit në dosjen “339” nuk mund ta njohë kurrsesi fjalën “negocim”.
Deputeti demokrat është shprehur më tutje se arrestimi i kryetarit të Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, i akuzuar si bashkëpunëtor me bandat për blerjen e votës, është hapi i parë i domosdoshëm në luftën kundër krimit. Ai ka thënë në përfundim të konferencës se çdo ditë në liri për Vangjush Dakon nënkupton për shoqërinë një ditë më shumë në skllavëri, paprekshmëri të bandave, si dhe presion dhe influenca kriminale ndaj vendit.
Dosja “339”, nuk do të jetë “çudia që zgjat vetëm 3 ditë”! Dosja “339” është radiografia e pushtetit të lidhur me krimin, pushtetit në shërbim të krimit pushtetit që këmben favore me krimin, në nevojën e përbashkët për të mbijetuar në kurriz të ligjit dhe interesit publik.
Në përgjimet e dosjes 339 është faktuar simbioza e pushtetit me krimin, përmes komunikimit sistematik me bandat të Vangjush Dakos, udhëheqësit politik të fushatës në Durrës, para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, respektivisht për të siguruar përkrahjen e ndërsjelltë, përmes favoreve të ndërsjellta duke shprehur në fund edhe mirënjohjen e ndërsjelltë për “zgjidhjen e halleve” të ndërsjellta.
“Harresë” për dosjen 339 nuk do të ketë dhe arrestimi i Vangjush Dakos është prova nëse në Shqipëri do të ketë apo jo drejtësi, do të ketë apo jo luftë kundër krimit, do të ketë apo jo normalitet ligjor e elektoral dhe për pasojë qeveri legjitime, si në çdo shtet normal.
Legjitimiteti i qeverisjes në Shqipëri është po aq solid, sa ç’është paprekshmëria e bandave dhe banditëve si Vangjush Dako.Legjitimiteti i qeverisjes dhe përkrahja me votë e saj në popull, është aq e vërtetë sa ç është fakti se populli detyrohet të votojë në përputhje me interesin dhe influencën e bandave, të cilat nga ana e tyre kanë interes që në pushtet të jetë qeveria që: i lajmëron të largohen përpara arrestimit, që edhe nëse aksidentalisht janë arrestuar, që lëshon karakteristikë “rehabilitimi” për t’i nxjerrë nga burgu,që mbyll njërin sy, ose të dy, kur bandat ndërtojnë pa leje, zaptojnë pa ligj, kërcënojnë hapur e bëjnë karshillëk në port, në doganë, tek tatimet, në polici e madje edhe në prokurori.
Dosja 339 nuk do të mbyllet e as do të rrijë pezull, si një çudi e radhës, me të cilën shqiptarët do të mësohen. Jo! Zbardhja deri në fund e aferave kriminale e politike të provuara në dosjen "339" është e panegociueshme, dhe arrestimi i Vangjush Dakos si ndërlidhësi dhe “hallezgjidhësi” i bandave në këmbim të votës është hapi i parë i domosdoshëm dhe urgjent në këtë drejtim. Çdo ditë në liri për Vangjush Dakon, do të thotë një ditë më shumë skllavëri edhe më e rëndë për shoqërinë, do të thotë paprekshmëri për bandat, do të thotë shkatërrim provash, do të thotë presion e influenca kriminale që shtohen e forcohen për t'i siguruar pandëshkueshmëri Vangjush Dakos dhe bandave. Çdo ditë bllokim i Dosjes "339" është një provë e delegjitimimit të mëtejshëm të një prokurorie nën thundrën e një qeverie ilegjitime, që sot është në pushtet vetëm për shkak të gjushëve, anëtarë të bandave të trafikut ndërkombëtar.
Gent Strazimiri, deputet i Partisë Demokratike