TIRANE- Është diskutuar në mbledhjen e sotme të Komisionit të Sigurisë drafti i kryeprokurores Ina Rama, që ka të bëjë me dhënie e aksesit për prokurorët e rretheve, në mënyrë që të përgjojnë edhe pa lejen e saj.

Kreu i Komisionit të Sigurisë, Leonard Demi ka kërkuar kohë për t’u njohur me draftin në fjalë, ndërkohë që përfaqësuesi i PS-së në këtë komision, Gazmir Bizhga u shpreh se ligji i ri për përgjimet në telekomunikacion i ka kaluar kompetencat.

Komisioni i Sigurisë me konsensus ka vendosur të hiqet neni për lejimin e prokurorëve të rretheve për të përgjuar telefonat.

Përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme, Thoma Jano theksoi se përgjimet në rrethe janë të ligjshme dhe do të ndihmojnë më tej në hetimin e çështjeve të ndryshme, pasi sipas Janos një çështje për përgjim prokuroria e merr nga policia gjyqësore dhe jo në kohë reale.

Më tej Jaho tha se përgjimet e prokurorëve në rrethe do të kontrollohen nga Prokuroria e Përgjithshme, pasi ai insitucion i ka të gjitha pajisjet përkatëse.

Mbledhja e sotme e Komisionit të Ligjeve është shtyrë pasi deputetët kanë kërkuar kohë që të njihen më mirë me draftin e ligjit për përgjimet e komunikimeve elektronike.

Ndërkohë që dje në Komisionin e Ligjeve opozita dhe mazhoranca bashkuan votat për rrëzimin e amandamentit të kryeprokurores Ina Rama. Kjo për dy palët është jo e arsyeshme pasi lë shteg për abuzime pa dijeninë e Prokurores së Përgjithshme.

JA DRAFTI
Sipas draftit të qeverisë, kërkesën me shkrim për përgjim mund ta bëjë Drejtori i SHISH, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Financave, si dhe çdo ministri që ka në varësi shërbime informative/policore të krijuara me ligj. Vendimi për përgjim përmban detyrimin e sektorit përkatës në SHISH ose në seksionin e përgjimeve të Policisë së Shtetit dhe të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme, si dhe të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në sistemin e burgjeve në Ministrinë e Drejtësisë. Sektori i përgjimeve në SHISH realizon vetëm proceset teknike të përgjimit, nëpërmjet pajisjeve të telekomunikacionit për llogari të institucioneve shtetërore informative pasi është marrë vendimi për përgjim me ligj.

(eç/shqiptarja.com)