Përgjimet,Sterkaj:Ndjekje penale 
Ajazit! Baraj: Berisha përgjegjës!

TIRANE- Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, duhet që të ndiqet penalisht nëse vërtetohet se përgjimet ndaj politikanëve janë të paligjshme. Kështu deklaron deputeti Socialist Paulin Sterkaj, që ishte dhe ndër emrat e përgjuar nga SHISH, sipas një raporti të nxjerrë në emisionin “Opinion”.
 
“SHISH thotë që përgjon për të ruajtur sigurinë kombëtare, për ato probleme që ka në ndjekje vetë shërbimi, por po e them edhe një herë se çdo gjë do analizohet dhe do shihet. Nëse ato kanë shkel ligjin natyrisht do përgjigjen para ligjit”, tha Paulin Sterkaj deputeti i PS.
 
Ndërsa për deputetin Besnik Baraj, urdhëruesi i vërtetë i këtyre përgjimeve është Sali Berisha. Sipas tij duhet një hetim i plotë, dhe një nga zgjidhjet do të ishte mospërdorimi i këtij institucioni për interesa politike.

"Këtë institucion e ka komanduar Berisha, dhe në këto rrethana ky institucion ka zbatuar rekomandimet e Berishës, informimet e Berishës më saktë. Dhe nëse bashkëpunoje me Berishën duhej ose të bëhej si thotë ai ose do dilje nga radha, ne kemi shumë raste dhe shembuj si zoti Ngjela", tha Baraj.
 
Në listën e publikuar binte në sy një numër i madh i deputetëve të Partisë Socialiste përfshirë edhe kryetarin Edi Rama, por edhe kreu i LSI, Ilir Meta, dhe emra të njohur si kritikë të ish-kryeministrit Berisha, si: Astrit Patozi, Sokol Olldashi etj.
 
Intervista me deputetin e PS, Paulin Sterkaj
 
Ju jeni një ndër personat që rezulton i përgjuar, si e gjykoni këtë?
Nuk kam qenë i interesuar asnjëherë a përgjohem apo nuk përgjohem, s’e kam pasur shqetësim sepse unë këtë numër e kam që nga viti 2000-2001 edhe e kam numër publik dhe s’më shqetëson fare, dhe s’jam shqetësuar fare për përgjimin, por natyrisht unë s’kam asnjë informacion konkret që jemi përgjuar. Ky është diskutim në media, unë s’jam njohur akoma me raportin se si ka funksionuar kontrolli dhe përgjimi, por fakti është që unë s’jam shqetësuar fare dhe s’e kam problem punën e përgjimeve.
 
Sipas jush, a është e ligjshme diçka e tillë që ka bërë SHISH?
Mbetet për t’u parë a është e ligjshme apo është e paligjshme, unë e thashë nuk kam asnjë informacion për raportin, por mesa kam parë në media ka pasur personalitete më të larta të përgjuar dhe natyrisht janë në shkelje me ligjin dhe s’jam në gjendje me e vertetu unë si deputet a është i ligjshëm apo i paligjshëm, por në të ardhmen nëse njihem me ndonjë raport mundemi me e diskutu a është i ligjshëm apo i paligjshëm, por unë mendoj se si çdo shtetas shqiptar që shkel ligjin, do të përballet para ligjit dhe nuk e kam hamendje por fakti që më kanë përgju unë s’e kam problem.
 
Nëse vërtetohet që është bërë përgjimi mund të themi se është cenuar siguria kombëtare?
SHISH thotë që përgjon për të ruajtur sigurinë kombëtare, për ato probleme që ka në ndjekje vetë shërbimi, por po e them edhe një herë se çdo gjë do analizohet dhe do shihet. Nëse ato kanë shkel ligjin natyrisht do përgjigjen para ligjit.
 
Në këtë periudhë ka pasur një debat nëse duhet të shkarkohet apo jo kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, sipas jush a është e mirë puna që po bën Visho Ajazi dhe a duhet të vijojë ai të drejtojë shërbimin shtetëror apo jo?
Tani unë jam deputet i Komisionit të Sigurisë edhe nuk mund të shprehem sot kush është i mirë dhe kush është e keqe. Nuk jam në gjendje të them a duhet të shkarkohet apo jo, nëse ai ka shkel ligjin apo varësit e tij, ai natyrisht do të mbajë përgjegjësi.

Intervista me deputetin e PS Besnik Baraj
 
Si e ndjetë veten kur dëgjuat se edhe emri juaj ishte në listën e të përgjuarve nga SHISH?
Sigurisht jam informuar për këtë por të them të drejtën më ka shkuar mendja të shumë shkelje padrejtësi deri shumë ngjarje tragjike që i janë bërë këtij vendi në përudhen apo periudhat që Berisha ka drejtuar Shqipërinë, ndërkohë njerëz në dritën e diellit, në praninë tuaj si gazetar dhe duhet të ndihemi me fat që keni qenë ju që e keni evidentuar, u vranë në mënyrë aq mizore. Përgjimet për mua janë një gjë shumë e vogël dhe unë do të thosha që tani që po i dalin petët lakrorit i bëmat e Berishës, shkeljet ligjore që ka bërë, dhe fatkeqësitë që i ka bërë këtij populli në përgjithësi janë maja e ajsbergut. Ai me siguri ka bërë shumë e shumë gjëra që shpesh kanë ngelur në kuadrin e akuzave verbale. Por unë jam shumë i bindur që mbrapa shumë ngjarjeve tragjike, dramatike qëndron ajo lloj mënyrë e menaxhimit të shtetit. Dhe kjo mënyrë menaxhimi e pushtetit qoftë edhe me përgjimet është karakteristike të diktatorëve dhe diktaturave të cilët duke dashur ta mbajnë pushtetin me çdo forcë me mjete antiligjore, përveç vrasjeve që pamë në përleshjen e 21 janarit. Fillon pastaj edhe këto që fillojnë dhe përgjojnë dhe bashkëpunëtoret e vet, sepse kthehemi në paranojakë dhe nuk besojnë më tek bashkëpunëtoret e ngushtë dhe fakt është që aty është edhe kreu i Partisë Demokratike, i ndjeri Sokol Olldashi e tjera e të tjera që ai ishte mosbesues.
 
A janë të ligjshme këto përgjime që ka bërë SHISH dhe me çfarë pasojash mund të përballet ky institucion?
Unë nuk do të thosha që është problem i institucionit, por është problem kush e ka komanduar këtë institucion.
 
Dhe sipas jush kush e ka komanduar?
Këtë institucion e ka komanduar Berisha, dhe në këto rrethana ky institucion ka zbatuar rekomandimet e Berishës, informimet e Berishës më saktë. Dhe nëse bashkëpunoje me Berishën duhej ose të bëhej si thotë ai ose do dilje nga radha, ne kemi shumë raste dhe shembuj si zoti Ngjela.
 
Cila është zgjidhja për këtë institucion, ku pak kohë më parë ka pasur një debat për shkarkimin e kreut të SHISH Visho Ajazi, a është kjo një zgjidhje?
Unë mendoj që nuk qëndron problemi te zëvendësimi i Visho-s apo i kujtdo qoftë që është në atë institucion, mënyra se si duhet drejtuar ky institucion çfarë detyrash ka ky institucion. Për fat të keq gjatë kohës që në krye ka qenë Berisha ky institucion ka sjellë probleme dhe shkelje të kushtetutës, qoftë në përudhen, 91-92 deri në 97-tën kur sjellja e këtij institucioni ishte një trup fashistë do të thoja ndaj popullit të vet, por më pas nuk ishte e ngjashme si në atë kohë, por që ka zbatuar rekomandimet e politikat dhe mentalitetin Berishian.
 
A duhet të mbajë përgjegjësi penale kreu i SHISH për këto përgjime?
Këto janë probleme të prokurorisë nuk janë opinione të politikanëve apo të individëve të ndryshëm. Së pari duhet patjetër të ketë prova ligjore, dhe pastaj proceduar janë shumë të qarta, prokurorët dhe gjykatësit i njohin farë mirë këto dhe le të zbatojnë ato procedura.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Lushnjë/ Bastet online, goditen dy raste nga policia! Arrestohen 2 persona, në hetim 3 të tjerë

Lushnjë/ Bastet online, goditen dy raste nga policia! Arrestohen 2 persona, në hetim 3 të tjerë