KOSOVË- Përhapja e frikshme e variantit delta në Kosovë ka bërë që qeveria të marrë masa të reja anti-COVID për të ndaluar përhapjen e koronavirusit. Duke filluar nga data 20 gusht, klubet e natës do të mbyllen për t’iu rikthyer punës sërish nga data 1 shtator.
Ndërkaq, në restorante do të lejohet vetëm futja me certifikatë vaksinimi, pra qytetarët duhet të vërtetojnë që janë vaksinuar ndaj COVID-19 ose të tregojnë një test PCR negativ ndaj koronavirusit.
Në mbledhjen e mbajtur nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia me përfaqësues të Odës së Hotelerisë dhe Turizmit është vendosur që nga data 20 gusht restorantet e kafenetë do të mbyllen që në orën 22:30.
Sakaq në lidhje me organizimin e dasmave është vendosur se kapaciteti i pjesëmarrësve do të reduktohet nga 300 në 150 persona, ndërsa nuk do të lejohen pas orës 22:30.
“Pas takimit të ministrit të Shëndetësisë z. Vitia dhe përfaqësuesve të OHTK kryetari prof. Dr. Sogojeva si dhe drejtorët e departamenteve z. Muçiqi dhe z. Hoti na u kumtuan masat e reja. Për fat të keq pas ngritjes së numrit të infektuarve me COVID-19, me datë 20.08.2021 do të dalin vendime të tjera kufizuese
Sa i përket sallave të dasmave do të funksionojnë deri në orën 22:30, me kapacitet të mysafirëve deri 150. Klubet e natës do të mbyllen deri më datë 01.09.2021. Të gjithë Restorantet ditore, kafenetë etj., do të punojnë deri në orën 22:30. Nga data 20.08.2021 pa dëshmi vaksinimi apo test PCR nuk lejohen klientët në asnjë nga ambientet Hoteliere-Gastronomike.
I lusim të gjithë qytetarët të ruhen nga kjo gjendje alarmante, t'i respektojnë masat e reja dhe sa më shumë të vaksinohen.Të infektuarve i'u urojmë shërim të shpejtë”, shkruan Oda e Hotelerisë dhe Turizmit.
Prej ditësh, Kosova ka shënuar shifra të larta infektimesh me COVID-19. Vetëm ditën e sotme 1.765 qytetarë kanë rezultuar pozitivë më koronavirusin, ndërsa 5 të tjerë kanë humbur jetën.