Zona e Kurbint është kthyer në një vatër të nxehtë të përhapjes së koronavirusit. Në harkun kohor të 5 ditëve janë identifikuar 28 raste me COVID-19 dhe kjo situatë ka shtuar friken e banoreve të kësaj zone. Në fshatrat ku janë identifikuar rastet lëvizjet janë të pakta, pasi sipas banorëve rreziku i infektimit është i madh. Mes frikës por edhe vështirësive ekonomike ata tregojnë vështirësitë që po përballen në këto kohë izolimi.
"Ka ra me një që ka pas punuar tek fabrika e këpucëve në Krujë, po ne s'kemi lëviz nga frika. Edhe fëmijët i kemi mbyllur në shtëpi, në hall jemi duam të punojmë, por po të sëmuremi atëherë s'kemi mundësi fare. Jemi izoluar brenda", tha një banore.
"Pak halle kemi dhe koronavirusin kemi mangët. Duhet puna por duhet me ndej në shtëpi", u shpreh një banor.
Të gjithë personat e prekur nga koronavirusi në Kurbin jetojnë në fshatra, ndërsa gjendja e tyre është e stabilizuar dhe po trajtohen në kushte shtëpie. Gjithashtu janë vetëkarantinuar dhe familjet dhe personat e kontaktit me qëllim ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të sëmundjes.