Banorët e lagjes periferike “Otobash” në Karbunarë, pjesë e rajonit nr.5 në bashkinë e Lushnjës ankohen për rrugën e cila është tejet e amortizuar. Investimeve të banorëve në ndërtimin e banesave të reja në këtë lagje dhe investimeve në fushën e bujqësisë nuk u përgjigjet pushteti vendor për të investuar në infrastrukturën rrugore dhe shërbimeve të tjera. Më e vështirë është situata në ditë me reshje ku rruga mbulohet nga uji dhe banorëve u duhet të çojnë e të marrin fëmijët në shkollë.
“Është rreth 3 kilometra rrugë me çakull, plot me gropa e llucë. Kur bie shi bëhet dhe më e vështirë për të kaluar automjetet. Kemi vështirësi për të çuar fëmijët në shkollë. Na kanë premtuar në çdo fushatë dhe asnjëherë nuk e kanë asfaltuar. Vijnë marrin votat dhe ikin këta të bashkisë. E kemi problem shumë të madh, që në kohën e diktaturës këtu s’ka vënë njeri dorë. Është mjerim kjo rrugë”, thanë banorët.
Pas interesimit tonë në rajonin numër 5 në të cilin bën pjesë kjo lagje, na konfirmuan nga Bashkia e Lushnjës se rruga është pjesë e investimeve gjatë këtij viti.

Komente

