Jasir Asani ka lënë Iranin dhe është i sigurt në Turqi. Futbollisti i Kombëtares ka qenë në Teheran kur SHBA-të dhe Izraeli sulmuan kryeqytetin e Iranit të shtunën, teksa bën me dije se Esteghlal FC ka bërë gjithçka që ta largonte shëndoshë e mirë nga lufta. Në një reagim të fundit në kanalet e komunikimit, Asani lutet që paqja të rikthehet në Iran.
"Klubi ka bërë gjithçka që unë të largohem, por pavarësisht kësaj situate të vështirë, shpresoj që gjërat të qetësohen dhe paqja të rikthehet. Lutem sinqerisht që gjithçka të marrë fund sa më shpejt të jetë e mundur, sepse një vend si Irani me njerëz kaq të mirë që më kanë treguar dashuri dhe respekt meriton të jetojë në paqe”, ka shkruar Asani. Veç tij, edhe Regi Lushkja ka lënë Iranin dhe ndodhet në zonë të qetë.
Ende nuk është e sigurt nëse Asani dhe futbollistët e huaj do rikthehet të luajnë në Iran, pasi gjithçka varet nga situata politike. Nuk është çudi që FIFA të lejojë futbollistët e kampionatit iranian që të ndryshojnë ekip në këtë fazë të sezonit.
Verën e vitit të shkuar Asani kaloi nga Koreja e Jugut për në Iran, por aventura e tij në futbollin e këtij vendi është ndërprerë nga bombardimet. Kujtojmë se gjithë Gjiri Persik është në një konflikt dhe ndodhet mes raketave dhe dronëve nga vendet e përfshira.
Aktivitetet sportive në Iran dhe në shumë vende të Gjirit janë ndalur, pasi siguria është primare. FIFA po ndjek me vëmendje zhvillimet, ndërsa Irani që ka fituar biletën për në Kupën e Botës 2026 që zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada, po mendon mos marrë pjesë, por ende nuk ka një vendim final.
Postimi i Jasir Asanit
Komente











