Një sulm i ri në Aeroportin King Khalid të Riadit ka shkaktuar disa të plagosur, pas sulmit të djeshëm, të cilin e morën përsipër rebelët Huthi, që la pas 12 të vdekur dhe 300 të plagosur.
Sipas mediave të huaja, Autoriteti i Aviacionit Civil Saudit raportoi lajmin, ndërkohë që po punohet për të përllogaritur bilancin e dëmeve. Sulmi goditi terminalin nr.4, ku shpërtheu një zjarr, ndërsa ditën e djeshme u shënjestrua Terminali nr.3.
Aeroporti është ende i mbyllur për pasagjerët, kështu që të plagosurit besohet të jenë mes forcave të sigurisë dhe stafit të aeroportit. Ndërsa ditën e djeshme, objekti u godit ndërsa ishte plot me pasagjerë.
Houthi-t e Jemenit po kërcënojnë drejtpërdrejt infrastrukturën e aviacionit të Arabisë Saudite, duke u bërë thirrje linjave ajrore, punëtorëve dhe udhëtarëve të shmangin aeroportet dhe hapësirën ajrore të vendit.
Paralajmërimi shënon një përshkallëzim të ri në konfliktin midis rebelëve të Jemenit të mbështetur nga Irani dhe Arabisë Saudite. Zëdhënësi ushtarak i Houthi-t, Yahya Sari, tha më parë se aeroportet dhe hapësira ajrore e mbretërisë tani ishin "të ekspozuara ndaj sulmeve" dhe një "teatër operacionesh" për forcat e tyre. Ai veçoi vetëm aeroportet në qytetet e shenjta të Mekës dhe Medinës, për të cilat tha se nuk do të ishin objekt i sulmeve.
"Aeroport për aeroport, bllokadë për bllokadë dhe përshkallëzim për përshkallëzim", ishte mesazhi me të cilin zëdhënësi i Houthi-t e mbylli deklaratën e tij, duke i kërkuar publikut ta merrte seriozisht paralajmërimin.









Komente
Komento