Në përkujtim të viktimave të holokaustit, Tirana i ka vendosur sheshit pranë Universitetit Politeknik, emrin “Të drejtët midis kombeve” si dhe ka zhvilluar konferencë shkencore me studentët në qendrën studentore.
 
Gjatë kësaj ditë ministri i punëve të jashtme Ditmir Bushati, u shpreh se është e rëndësishme që në vitin e katërt që ai vetë organizon ceremonitë përkujtimore të hebrenjve, të ruajmë kujtesën kolektive.

"Ambient dhe hapësirë e posaçme në kryeqytet në nderim të vuajtjeve dhe persekucionit të hebrenjve në një moment shumë të vështirë në historinë e kontinentit", u shpreh Bushati.

Nënkryetarja e bashkisë Brunilda Paskali, shprehu mirënjohjen për të 75 familjet që kanë strehuar hebrenjtë gjatë luftës së Dytë Botërore.

"Mund të them pa e tepruar fare se ky është një moment historik ku mes shqiptarëve dhe hebrenjve u lidh një marrëdhënie shumë e fortë dhe speciale, sepse ne kemi një shprehje “miku i mirë duket në ditë të vështira”, tha Paskali.

Ndërsa konferenca shkencore e zhvilluar me përfaqësues të ambasadës së Izraelit, ministrisë së punëve të jashtme, organizatave të ndryshme dhe studentëve nxori edhe një herë në pah se dhimbja e shkaktuar nga sakrifikimi nëpërmjet djegies është një nga tmerret që ka parë njerëzimi.
 
Zëvendës rektori i universitetit të Tiranës Shezai Rrokaj, transmetoi edhe një herë fjalët e ish presidentit të Amerikës se në Shqipëri nuk shihen shenja të diskriminimit ndaj hebrenjve.

"Në Shqipëri nuk ekziston ndonjë shenje e persekutimit sepse Shqipëria  është vend i rrallë ku paragjykimi dhe urrejtja fetare nuk ekziston, pavarësisht se shqiptarët vetë janë të ndarë në tre besime", u shpreh zv. rektori i UTShezai Rrokaj. 
 
27 janari është dita që e gjithë bota përkujton 6 milion viktimat e holokaustit nazist.


[gallery]20792[/gallery]

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)