22 vite pas eksodit masiv, për shkak të dëbimit nga forcat policore dhe ushtarake serbe, shqiptarët e Kosovës, nuk e kanë harruar mikpritjen e qytetarve Kuksian dhe jo vetëm.

Në shenjë falënderimi dhe respekti për të gjithë ata që hapen dyert e veta për të pritur të dëbuarit, një grup përfaqësuesish të shoqatës “Eksod 99”  kanë marshuar nga dogana e Morinës, drejt qytetit të Kukësit. Për të dytin vit radhazi, për shkak të pandemisë pjesëmarrja në këtë datë përkujtimore ishte e ulët.

“Jemi në Kukës për ti falënderuar kuksianet që kanë dhënë ndihmë përtej mundësive të veta”, thanjë shtetas kosovar.

“Në ato rrethana në Kukës, Shqiptarët u bashkuan. Kukësi do të mbetet simbol i bashkimit të Kombit. Së bashku kaluam ditët më tragjike dhe së bashku filluam ngjarjen e re historike”, u shpreh një përfaqësues i shoqatës “Eksod 99”.

“Qëllimi kryesor është të mos harrojmë të kaluarën dhe vuajtjet që kemi kaluar ne”, u shpreh një tjetër.

Dëbimi i më shumë se gjysmë milion shqiptarësh të Kosovës, arriti kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë. Ndërsa një nga simbolet e kësaj dite është edhe Kulla e Qëndresës në qendër të qytetit të Kukësit, e cila është e mbushur me foto të cilat paraqesin ngjarjet e asaj kohe. Ajo është ndërtuar në vendin ku ishin vendosur çadrat që strehonin popullin kosovar.