Reshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje serioze në njësinë administrative Dushk në Lushnje, duke vënë në rrezik mbi 160 hektarë tokë bujqësore të mbjella me perime, foragjere, grurë dhe elb.
Burime për Report TV bëjnë me dije se kjo është përmbytja e dytë brenda pak muajsh dhe më e rënda, duke lënë fermerët pa asnjë burim të ardhurash.
Pa ndihmën e shtetit, ata e kanë të pamundur të vijojnë aktivitetin ekonomik, veçanërisht fermerët që punojnë toka me qira. Ndërkohë, për shkak të ujit, fermerët nuk mund të ndërhyjnë në parcela, të cilat janë pushtuar nga shpendët ujorë.
“Unë kam pothuajse rreth 20 hektar tokë me qera. Ndër këto kam rreth 6-7 dylymë. Kam perimore. Siç e shihni vetë. Ja gjendja duket s'ka çarë të thotë. Kam lakër kokë dhe presh. Këtu ka falimentuar çdo gjë”, tha Arjan Çela, banor i Dushkut.
Specialisti i Bujqësisë, Dritan Kolleshi, është shprehur se në atë zonë përmbytjet kanë filluar të shpeshtohen dhe të bëhen pothuajse të përvitshme.
Për Report TV ai tha se shkak kryesor i këtyre përmbytjeve janë kryesisht mos-pastrimi i kanaleve dhe baseneve
“Përmbytjet kanë filluar të shpeshtohen dhe të bëhen pothuajse çdo vit ose një herë në dy vjet për shumë arsye. Një nga arsyet kryesore është që baseni i Tërbufit, ish-këneta, është llogaritur që të punonte me një intensitet shiu deri në 200 mm shi. Po e njëjta situatë ndodh edhe me kanalin që është i kodrave të Grabianit deri në Biçukas. Pompat e Hidrovorit, megjithëse punojnë me intensitet të lartë, për këto 35 vite, pothuajse të gjitha qeveritë nuk kanë marrë masa që këto dy kanale të ujërave të larta që t'i rikthejnë në identitet”, tha Dritan Kolleshi, specialist bujqësie.
Lajmi kryesor:
Përmbytjet/ Tërhiqen lumenjtë, nisin vlerësimet në Durrës, 1453 shtëpi me dëme! Në fshatrat buzë Vjosës shtëpitë në baltë









