Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, zhvilloi një takim me Shtabin e Emergjencave Civile, ku u analizua situata e krijuar nga përmbytjet, kryesisht në bashkitë Lezhë dhe Kurbin. Gjatë mbledhjes ishin të pranishme strukturat vendore dhe institucionet përgjegjëse për menaxhimin e emergjencave.
Në një prononcim për mediat pas takimit, ministri Salla u shpreh se situata aktualisht është nën kontroll, ndërsa theksoi se qeveria do të ofrojë mbështetje për banorët e prekur nga përmbytjet.
Sipas tij, strukturat përkatëse vijojnë të jenë në terren për monitorimin e situatës dhe për ndërhyrje të menjëhershme në rast nevoje.
'Qarku Lezhë është prekur nga reshjet e shiut dhe ne bëmë një mbledhje të emergjencave për të diskutuar rreth problematikave që kanë banorët. Kemi pasur disa banesa nën ujë që janë në Laç kryesisht një pjesë e konsiderueshme dhe janë duke u evidentuar nga Bashkia e Laçit. Ne do ti vijmë në ndihmë çdo banori dhe do të kenë edhe dëmshpërblime për dëmet që kanë pasur', tha ai.
Lajmi kryesor:
Moti i keq/ Viktima e parë, 54-vjeçari humb jetën në Durrës! Evakuime në Katund të Ri, Sukth dhe 3 fshatra të Fierit e Vlorës (VIDEO)









