Sekretarja Politike e Partisë së Lirisë në Qarkun e Gjirokastrës, Myrvete Asqeri, tha të shtunën se përmbytjet e fundit në Gjirokastër janë një tjetër provë e qartë e dështimit të qeverisë për të mbrojtur qytetarët, pronën dhe jetën e tyre.

Sipas saj, çdo vit përsëritet i njëjti skenar, me të njëjtat justifikime dhe të njëjtën papërgjegjshmëri, ndërsa pasojat nuk mund të konsiderohen fatkeqësi natyrore, por rezultat i drejtpërdrejtë i keqqeverisjes.

Deklarata e plotw e Asqerit 


"Situata e përmbytjeve në Gjirokastër një tjetër provë e qartë e dështimit të plotë të qeverisë për të mbrojtur qytetarët, pronën dhe jetën e tyre. Çdo vit, me të njëjtin skenar, të njëjtat justifikime dhe të njëjtën papërgjegjshmëri, shqiptarët përballen me pasoja që nuk janë “fatkeqësi natyrore”, por pasojë direkte e keqqeverisjes. Rasti i Gjirokastrës është alarmant. Banesa të përmbytura, biznese të shkatërruara, toka bujqësore të humbura dhe familje të lëna në mëshirë të fatit. Qyteti i gurtë, me histori dhe vlera të jashtëzakonshme, po trajtohet nga qeveria si një territor i harruar, ku reagimi vjen vetëm pasi dëmi është bërë  dhe shpesh as atëherë.
Qeveria nuk ka asnjë plan real parandalimi. Nuk ka investime serioze në infrastrukturën e kullimit, në pastrimin e lumenjve, në mirëmbajtjen e kanaleve, as në sistemet e paralajmërimit të hershëm. Fondet publike shpërdorohen për propagandë, fasada dhe projekte klienteliste, ndërsa qytetarët mbyten në ujë, baltë dhe pasiguri.
Është e papranueshme që në vitin 2026, Shqipëria të vazhdojë të sillet sikur përmbytjet janë një fenomen i paparashikueshëm. Ato janë të parashikueshme, të dokumentuara dhe të përsëritura dhe pikërisht për këtë arsye, përgjegjësia është politike dhe direkte.
Ne kërkojmë:
Reagim të menjëhershëm për ndihmën e familjeve të prekura në Gjirokastër.
Dëmshpërblim real dhe transparent për banorët dhe bizneset.
Audit të plotë mbi fondet e emergjencave dhe investimeve për mbrojtjen nga përmbytjet.
Përgjegjësi politike për institucionet që kanë dështuar në parandalim.
Shqiptarët nuk mund të vazhdojnë të paguajnë me jetën dhe pronën e tyre paaftësinë e një qeverie që kujtohet për qytetarët vetëm në ditë fushate. Mjaft më me justifikime,  heshtje dhe dështime.