Dita e sotme ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm të situatës së përmbytjeve në Bashkinë Vau Dejës.
Megjithatë, pavarësisht përmirësimit, dëmet e shkaktuara janë të mëdha për banorët e zonës.
Banorët shprehen se situata ka qenë e vështirë dhe se përmbytjet janë pasojë e mungesës së investimeve në zonë, veçanërisht në sistemin kullues dhe mbrojtjen nga prurjet e lumenjve.
Ernest Paluku, një nga banorët që ka pësuar dëme të konsiderueshme në biznes dhe në banesë, tregon vështirësitë e përjetuara dhe humbjet financiare që ka shkaktuar kjo përmbytje.
“Kam parë një katastrofë, ka pasur rreth 2 metra uji te oborri. Dëmi është shumë i madh. Të gjitha pajisjet kanë dalë përdorimit. Kjo përmbytje është një rast i rrallë. Banesa është bërë e pabanueshme. Më janë dëmtuar dy makina plotësisht. Shifra është mbi 30 milionë lekë dëm. Qeveria duhet të marri masa, të investojë në përroin Glinë apo në rrugën nacionale. Kërkojmë nga shteti të bëhen investime të fuqishme në sistemin kullues. Kjo ndërtesë nuk shërben as për magazinë. Rreziku natyror është i pashmangshëm”, tha Ernest Paluku.
Vau Dejës ka qenë bashkia më e prekur në qarkun e Shkodrës nga reshjet intensive dhe vërshimi i përroit të Glinës, që solli përmbytjen e rreth 100 banesave.
Sipas informacioneve zyrtare, Bashkia Vau Dejës ka nisur procesin e evidentimit të dëmeve dhe do të përgatisë një përllogaritje financiare të plotë të pasojave të shkaktuara nga kjo situatë.
Lajmi kryesor:
Moti i keq/ Shembje masive dherash, bllokohet aksi nacional Pukë - Fushë Arrëz! PAMJET ME DRON






