Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu në një intervistë për Report tv ka deklaruar se uji është duke u tërhequr dhe nuk ka më një situatë përmbytjesh në pjesën më të madhe të territorit. Sipas tij vetëm në Torrovicë ka pak probleme.
Ndreu tha se falë punës së bërë janë shmangur dëme katastrofike.
"Ne kemi asistuar të gjitha situatat. Ditën e shiut të madh kemi ndërhyrë në çarjen e argjinaturës të kanalit të ujërave të larta, që do ishte një katastrofë. Kemi çuar të paketyn 500 metër kub inerte për ta blloku, po ashtu edhe në lumin e Gjadrit ku kemi çuar sasi shumë të madhe inertesh. Nuk kemi lënë askënd. Kemi evakuuar banorë nga rreth 27 banesa. Kemi filluar edhe shpërndarjen e ushqimeve në nevojë të bagëtive. Falë thellimit të Drinit që është bërë nga Ministria e Bujqësisë, dhe falë ndërhyrjes në kanalet kulluese situata nuk ka dalë jashtë kontrollit edhe pse niveli i reshjeve ka qenë shumë i madh", tha ai.
Kryebashkiaku i Lezhës ka deklaruar se një problematikë është bllokimi i Njësisë Administrative Ungrej.
"Vijon të jetë e bllokuar njësia Ungrej. Është shkëputur masivi i malit dhe ka marrë rrugën përpara. nuk është çështje cilësie rruge. Po përpiqemi që të ndërhyjmë pa vonesa. Askush nuk duhet të jetë i shqetësuar. Bashkia do jetë aty, çdo dëm dhe problematike do të verifikohet një për një.", tha ndër të tjera Ndreu.