Bujqësia vijon të humbasë peshë në ekonominë shqiptare, ndërsa goditja e fundit duket se i është dhënë nga përmbytjet e këtij fillim viti. Shifrat e INSTAT tregojnë se nga janari deri në prill janë eksportuar 5 mijë tonë më pak zarzavate apo fruta çka tregon ulje të prodhimit. Krahasuar me vitin 2025 eksportet bujqësore si në vlerë ashtu edhe në sasi kanë pësuar rënie.

***

Prodhimi bujqësor ra në katërmujorin e parë të këtij viti, duke u reflektuar menjëherë edhe tek tregtia jashtë vendit.

Eksportet e zarzavateve dhe frutave kanë shënuar rënie me mbi 5 mijë tonë, gjatë periudhës janar-prill 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në këtë katërmujor u shitën në total 56 mijë tonë zarzavate nga 60 mijë tonë në vitin e kaluar, ndërsa e përkthyer në vlerë këtë vit prodhimet bujqësore të fermerëve kushtuan 51 milionë euro, nga 52 milionë euro në janar-prill 2025.

EKSPORTET E ZARZAVATEVE
                                            Në sasi               Në vlerë
Janar-Prill 2025               60,672 tonë         52 mln euro
Janar-Prill 2026               56,849 tonë         51 mln euro

Shkak kryesor në këtë rënie të eksporteve janë edhe përmbytjet e dimrit. Mijëra hektarë sera në Fier, Kurbin, Berat, Lezhë, Shkodër etj, u përmbytën në dy muajit e parë të këtij viti, duke bërë që të mbjellat e fermerëve të shkatërroheshin.

Pasojat janë të dukshme, afro 4 mijë tonë zarzavate (spinaq, sallata, karota, lakra, lule-lakër, qepë, brokoli apo edhe qepë, patate e domate që janë të serave) më pak të eksportuara, ndërsa fermerët deri më tani nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim edhe pse brenda pak muajsh u përmbytën 2 herë masivisht, duke iu dëmtuar jo vetëm të mbjellat por edhe strukturat e serave.

E po kështu edhe tek ato pak fruta që kultivohen në këtë stinë në Shqipëri. 1463 tonë fruta më pak janë eksportuar këtë katërmujor në raport me vjet, pasi prodhimi i luleshtrydheve ra po për shkak të përmbytjeve që dëmtuan serat.

Në total në këtë periudhë të parë të vitit u shitën jashtë vendit 5,122 tonë fruta nga 6,585 tonë vjet. Kurse në vlerë eksportet e frutave ishin 68 milionë euro me rënie prej 1.6 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të 2025-ës.

EKSPORTET E FRUTAVE
                                           Në sasi                    Në vlerë
Janar-Prill 2025               6,585 tonë               8.4 mln euro
Janar-Prill 2026               5,122 tonë               6.8 mln euro

Bujqësia shqiptare prej vitesh është në rënie dhe me kontribut negativ në rritjen ekonomike, dhe për këtë faktorët janë të shumtë, nga financimi i pamjaftueshëm, skema e TVSH-së që favorizon importin, emigrimi i popullsisë nga zonat bujqësore e deri tek puna e fokusuar në makineri të vjetra.