Përmbytjet, Spaho: Shqipëria
nën ujë, Gjiknuri: Flet përçart

Përmbytjet, Spaho: Shqipëria<br />nën ujë, Gjiknuri: Flet përçart
Kuvendi ka nisur seancën e kësaj të enjte me debate për përmbytjet, pas reshjeve të dendura të shiut. Deputeti i PD, Edmond Spaho, akuzoi qeverinë se nuk po i vjen në ndihmë qytetarëve të prekur nga përmbytjet. Sipas tij, asnjë ministër nuk ndodhet në terren, ndërsa theksoi se zona të tëra në të gjithë vendin, vuajnë mungesën e energjisë elektrike.  

Por për ministrin e Energjetikës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, intensiteti i reshjeve të këtij viti është i krahasueshëm me atë të 2010-ës, por sipas tij situata është menaxhuar me efikasitet dhe përmbytjet nuk kanë qenë në atë masë si 6 vite më parë. Ai iu drejtua Spahos se flet përçart pasi nuk e njeh situatën. 

"Mos dil të flasësh këtu si lejfel, del këtu e thua pse s'dalin ministrat në ekran. Flet përçart. Bëni politikë korbash, siç thoshte Lulzim Basha, po hapin portat e s'po njoftojnë popullsinë. Në vend që të bëheni palë me qeverinë në këtë drejtim. Prurjet në kaskadën e Drinit janë sa ato të 2010-ës, por nuk ka përmbytje të tilla, pasi u menaxhua mjaft mirë kaskada. 

Shikoni prurjet me shi në 2010-ën, 2015-ën dhe 2016-ën, pse s'kanë ndodhur përmbytje si ato të para 6 vitesh? Për shkak të menaxhimit efikas. Qeveria ka punuar 24 orë në terren dhe pasojat janë minimizuar. Fatkeqësitë janë fatkeqësi, por asgjë të mos vijë nga mosveprimi i qeverisë. Puna e qeverisë është bërë dhe është bërë më e mira e mundshme
", u shpreh Gjiknuri.

Ministri sqaroi edhe ndërprerjen e energjisë në zonat e përmbytura.  

"E para, bëhet për sigurinë e sistemit. Sepse kur uji hyn në kabina, katastrofa do ishte mjaft e madhe, shkatërron rrjetin dhe rrezikon jetë njerëzish. Dhe riparimi i defektit në kohë të keqe është i vështirë pasi rrezikohet edhe jeta e personelit".  

Edmond Spaho: Shqipëria prej 23 ditësh nën ujë, banorët pa energji e ushqime
"Prej 23 ditësh Shqipërinë e ka mbuluar uji. Mijëra hektarë tokë ë mbuluara nga uji, biznese të dëmtuara, banesa të përfshira nga uji, familje të pastreha. Fshatra të tëra janë pa ujë e energji në mbarë vendin. Situata po përkeqësohet, ndërkohë që kryeministri thotë se po përmirësohet. Nëse vijon kështu situata rrezikohen përmbytje masive në disa zona të vendit. Gjendja është kritike në basenin e Vjosës, në Shkodër, Lezhë, Fushë-Krujë. Uroj që numri i viktimave të mos shtohet në ditët e ardhshme. Nuk mund të akuzohet qeveria për reshjet e shiut, por kritikohet për mënyrën si ka reaguar para reshjeve me ndërhyrjet që duhet të ishin bërë, dhe mungesën e ndihmës tani për ata që janë në nevojë. Nuk u lëviz asnjë gisht i vetëm për forcimin e digave, vendosjen e mjeteve në gatishmëri, garantimin e ushqimeve dhe ujit të pijshëm për banorët e bllokuar”, tha Spaho.

VIDEO - Seanca plenare 


  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Australi, program kundër izolimit social

Australi, program kundër izolimit social