Komiteti i Emergjencave Civile njofton se nga përmbytjet janë dëmtuar 65 ura, ndërsa në 27 shkolla ende nuk ka filluar mësimi. Këshilltari i Ramës për sigurinë Sander Leshit heksoi se 1552 persona janë shpëtuar, ndërsa mes shumë banesave janë edhe 41 biznese që janë përmbytur në ditët e fundit nga reshjet.

''Kemi bërë një bilanc paraprak të gjendjes, i cili është mjaft i rëndë. Ka 590 familje të evakuuara, 1552 persona të shpëtuar, 4715 banesa të dëmtuara, 41 biznese, 10 622 hektarë të përmbytur, 5526 hektarë me prani ujë. Ndërkohë që 27 shkolla, sot nuk e fillojnë mësimin për arsye të kushteve të papërshtatshme'' tha Lleshi.

''Po i afrohemi një faze tjetër. Në interes të përgatitjes për fazën e likuidimit të pasojave dhe stabilizimit është bërë një vlerësim paraprak, kryesisht për infrastrukturën kritike të dëmtuar, për rrugët, urat, ujësjellësit, shkollat, digat, argjinaturat, rrjetin elektrik, kabinat dhe nënstacionet. Ky ka qënë fokusi për të parë si e kemi gjendjen në këtë sektor, që është jetik për funksionimin e gjithë aktivitetit normal të vendit.

Bie në sy një fakt, që ka shumë ura të dëmtuara, që është e pazakontë në raport me emergjencat e mëparshme dhe kjo lidhet me faktin që furia ka qenë shumë e madhe, ka pasur volum dhe shpejtësi të madhe, të cilat i kanë bërë urat të parezistueshme. Janë rreth 65 ura të dëmtuara.

Vijojmë të mbetemi në emergjencë, por po dalim nga kjo gjendje. Përsa i përket urave të shumta që janë dëmtuar, kjo tregon se furia ka qenë e madhe” tha ai.

Kryeministri Rama u shpreh se ka mbaruar emergjenca e motit dhe ka nisur faza e dytë, që lidhet me reagimin, ndërsa shtoi se askush nuk do të lihet pa kompensuar.

Gjithashtu kryeministri theksoi se do të ketë një nismë ligjore për  sigurimin e banesave dhe bizneseve që në rast përmbytje të mos mbesin në mëshirë të fatit. Duke u ndalur të shembja e urave, për Ramën kjo tregon gjendjen katastrofike që kaloi vendi, ndërsa do të ndërhyhet në mbrojtjen e shtretërve të lumenjve.

Duhet të bëjmë disa ndërhyrje të tjera, që janë nënvizuar edhe në ditët e fundit nga ministri i Mjedisit për të marrë masa për afatgjata për mbrojtjen e shtretërve të lumenjve nga aktivitetet dëmtuese dhe mbjelljen e pemëve ku dëmtimi serioz i pyjeve ka sjellë erozion.

Përparësi është edhe hapja e shkollave dhe marrja e nismës ligjore për sigurimin e banesave dhe bizneseve nga përmbytjet. Jemi i vetmi vend që nuk ka një ligj të tillë dhe njerëzit e prekur mbesin në mëshirën e fatit dhe në pritje vetëm nga buxheti që nuk mund të përballojë gjithçka edhe pse edhe këtë herë do i përballojmë. Nuk do të lëmë askënd pa kompensuar" tha Rama. 

dy.b/shqiptarja.com