Përmbytjet/4430 ha tokë nën ujë në Lezhë e Shkodër! Rrëshqitje dherash e bora bllokojnë rrugët! Shembet ura në Kalivaç, dëmtohet ujësjellësi në Bogovë, 3 qytete pa ujë

Përmbytjet/4430 ha tokë nën ujë në Lezhë e Shkodër! Rrëshqitje dherash e bora bllokojnë rrugët!    Shembet ura në Kalivaç, dëmtohet ujësjellësi në Bogovë, 3 qytete pa ujë

Situata e përmbytjeve në vend gjatë pasdites ka vijuar sërish të krijojë problematika të ndryshme. Reshjet e dendura të shiut por edhe të dëborës në veri të vendit kanë bërë që disa nga akset rrugore të jenë të bllokuara, ndërsa sipërfaqe të tëra toke të jenë në ujë. Konkretisht  në qarkun Shkodër janë në ujë 1630 ka tokë, ndërsa në qarkun e Lezhës 2800 ha tokë janë ‘pushtuar’ nga uji.

Gjithashtu shumë akse rrugore janë të pakalueshme për shkak të reshjeve të dherave, ndërsa akset që të lidhin me Thethin dhe Malësinë e Madhe janë të bllokuara nga dëbora.

Ujit në Velipojë ka hyrë në 15 banesa dhe disa lokale e kabina plazhi, ndërsa në Lezhë janë evakuuar 27 familje duke u strehuar në një vend të sigurt si dhe është dëmtuar ura në fshatin e Kalivaçit duke izoluar banorët.

Rrëshqitje të dheut kanë dëmtuare dhe tubacionet e ujësjellësit të Bogovës duke lënë pa ujë të pijshëm banorët e Beratit, Poliçanit dhe Kuçovës.

Ndërsa në Kukës ka vijuar dëbora duke zbardhur qytetin në pak orë, ndërsa rruga e Kombit po pastrohet vazhdimisht nga borëpastrueset dhe po bëhet kriposja e saj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:40
Prurjet e shumta të ujit/ Situata në hidrocentrale nën kontroll, shkarkimet nuk përkeqësojnë përmbytjet

Situata në Hidrocentralin e Vaut të Dejës dhe Hec-et e kaskadës së lumit Drin janë në monitorim të vazhdueshëm për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe prurje përrenjve malor. Po punohet që niveli i ujit të mos arrijë kuota kritike në hidrocentrale dhe se KESH po masat e nevojshme për menaxhimin e prurjeve në ditët në vijim në këtë HEC.

Aktualisht situata mbetet në kontroll të plotë dhe niveli i liqeneve paraqitet si më poshtë:

•Fierza 281.48 m

•Koman 173.73 m

•Vau i Dejës 75.56 m

Prodhimi vijon te jetë me kapacitet të plotë në HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës dhe shkarkimet po kryhen vetëm në njërën nga portat shkarkimit të HEC Vau i Dejës. Momentalisht shkarkimet nga kjo portë arrijnë në 700m3/s  ndërsa në HEC Koman 200m3/s , sasi kjo ,me impakt të papërfillshëm në nivelin e ujërave në pjesën e poshtme të Kaskadës, duke bërë të mundur kështu përballimin e situatës së reshjeve të shtuara , të pritshme deri ditën e hënë.

Ora 20:40
Rrëshqitje të dheut dëmtojnë tubacionet e ujësjellësit të Bogovës! Pa ujë të pijshëm Berati, Poliçani dhe Kuçova

Moti i keq dhe shirat e pandërprerë, çahet tubacioni kryesor i ujësjellësit të Bogovës. Banorët e Beratit, Bogovës, Poliçanit dhe Kuçovës kanë mbetur pa ujë të pijshëm që prej mëngjesit të sotëm. Inxhinierët janë duke punuar për riparimin e defektit. Moti i keq dhe reshjet e pandërprera të shiut, kanë bërë që masive dheu të bien dhe të dëmtojnë tubacionin kryesor të ujësjellësit të Bogovës. Ky tubacion furnizon me ujin e pijshëm banorët e 3 qyteteve: Berat, Poliçan dhe Kuçovë. Sipas informacioneve nga bashkitë përkatëse mësohet se tubacioni kryesor i këtij ujësjellësi është dëmtuar në disa segmente të tij.

Në zonën ku edhe është dëmtuar tubacioni, në fshatin Kakruk kanë shkuar punonjësit e ndërmarrjes së sh.a.Ujësjellës-Kanalizimeve Berat, që janë duke punuar për riparimin e defektit që ka lënë pa ujë 3 qytete. Një tjetër çarje e tubacionit të ujit të pijshëm ka ndodhur në fshatin Plirëz të Poliçanit  si pasojë e shkarjeve të dheut në këtë zonë.

Ujësjellës i Bogovës është ndërtuar 30-vite më parë dhe shtrihet përgjatë rrëzës së kodrave të zonës së Skraparit, ku terreni është tepër i vështirë. Gjatë stinës së dimrit ,rrëshqitjet e masivëve të dheut e shkëmbinjve kanë sjellë çdo vit dëmtime serioze në tubacionin kryesor të ujit të pijshëm.

Ora 20:16
1630 ha tokë e përmbytur në qarkun Shkodër/ Disa nga akset e pakalueshme për shkak të dëborës ose rrëshqitjeve të dherave

Situata në qarkun e Shkodrës paraqitet problematike ku në total qarku janë përmbytur 1630 ha tokë, shumë rrugë janë të bllokuara ose nga dëbora ose nga rrëshqitja e dherave si dhe disa zona kanë ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike për shkak të motit të keq.

Ndërsa në prurjet e liqenit dhe lumenjve Drin-Bunë, kuota aktuale është pranë kuotës kritike, por ende nuk ka probleme, konkretisht:

Nivelet e Liqenit:  kuota kritike 9.50 m kuota aktuale 8.25 m.

Lumi Drin, Bahcallek: kuota kritike 7.50, kuota aktuale 7.00 m.

Dajç i Bregut të Bunës: kuota kritike 6.30, kuota aktuale 6.18 m.

Bashkinë Shkodër aksi rrugor Bogë-Theth, në Qaf -Thore, i bllokuar ka mbi 1 metër dëborë.

Më problematike situata paraqitet në Velipojë ku rreth 300 ha tokë bujqësore dhe kullota janë të përmbytura. Prezencë uji ka në 15 banesa, disa lokale dhe kabina plazhi si dhe në shëtitoren e zonës. Niveli i ujit në disa pika arrin deri në 50 cm.

Në fshatin Shirq, Njësia Administrative Dajç, lumi ka filluar të dalë nga shtrati dhe është prezent në rrugën e fshatit. Në fshatin Obot, Njësia Administrative Ana e Malit, në rrugë ka rreth 60 cm ujë dhe është e pakalueshme me përjashtim të mjeteve të larta.

Ndërsa akse rrugore në Malësinë e Madhe janë të bllokuar nga dëbora. Në aksin rrugor Gropat e Selcës-Vermosh (Qafa Bordolecit) është i pakalueshëm për shkak të reshjeve të dëborës dhe orteqeve. Edhe aksi rrugor Bogë - Qaf Thore është i bllokuar, i pakalueshëm, pasi ka rreth 35 cm dëborë.

Pukë problem mbetet aksi rrugor Hadroj – Mirditë ku ka rrëshqitje dherash, rënie gurësh dhe prezencë uji në shumë pjesë të rrugës dhe rrezikohet që rruga të bllokohet pasi deri tani nuk është ndërhyrë nga strukturat përkatëse.

Në Bashkinë Fushë Arrëz, rruga e fshatit Dardhë është shembur rreth 60-70 metra duke e bërë rrugën të pakalueshme. Ndërsa në Vaun e Dejës pavarësisht prezencës së ujit, rrugët janë të kalueshme.

Ora 19:01
Përmbytjet në Lezhë, shembet ura në fshatin Kalivaç, izolohen banorët

 

Ura e shembur

Prurjet e shumta të përrenjve dhe shirave të dendur gjatë 2 ditëve të fundit kanë shembur urën në fshatin Kalivaç. Ura ishte në ujë prej dy ditësh dhe sot ajo është shembur plotësisht nga prurjet e mëdha të ujit.

Kjo urë bënte lidhjen e banorëve në fshatin Kalivaç të njësisë administrative Ungrej në Lezhë më qytetin. Shembja e saj dhe i aksit rrugor Kallmet-Ungrej nga reshjet kanë shkaktuar problematika të mëdha për banorët e fshati Kalivaç, të cilat tashmë janë tërësisht të izoluar me qendrën urbane të Lezhës.

Ora 18:43
Reshje të dendura dëbore në Kukës, 20 borëpastruese për pastrimin dhe kriposjen e Rrugës së Kombit

Në Kukës kanë rinisur reshjet e dëborës duke vështirësuar situatën pasi për shkak të lagështirës në rrugë nga reshjet e mëparshme të shiut dhe temperaturave të ulëta krijohen ngrica, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve, por edhe qytetarëve. Reshjet e dëborës kanë qenë me intensitet të lartë edhe në Rrugën e  Kombit, ku kompania koncesionare ka nxjerrë borëpastruese për pastrimin e saj dhe kriposjen e aksit rrugor.

Rruga e Kombit kalohet pa vështirësi ku janë duke punuar 20 borëpastruese dhe 13 mjete për kriposjen e rrugës. Trashësia e borës ka qenë nga Fan- Tunel deri në Morinë si dhe Kukës-Tuneli i Kalimashit te rreth rrotullimi Kolshit deri te kilometri 60. Qarkullimi i mjeteve është i lire dhe pa probleme.

Kukësi në dy ditët e fundit si pasojë e reshjeve të shiut pati problematika në disa akse rrugore nacionale dhe rurale ku pati përmbytje dhe rrëshqitje të dherave dhe gurëve e fryrje të lumenjve.

Sipas informacioneve nga shtabi i emergjencave në bashkinë Kukës, prurja e madhe e ujërave nga përrenjtë e lumenjtë, ka dëmtuar pjesërisht segmentin Ura e Lapajve-Fshat-Gryke-Çaj, por është ndërhyrë nga bashkia me fadroma për mundësimin e qarkullimit.  Edhe rruga Shkinak- Çajë ka patur probleme tek përroi i fshatit Çajë, duke grumbulluar sasi të mëdha dheu e gurësh. Ndërkohë që të gjitha rrugët rurale janë pastruar nga gurët dhe dherat.

Ora 16:03
Përmbytjet në qarkun e Lezhës, 2800 ha tokë nën ujë, evakuohen 27 familje! Disa akse të pakalueshme, ka rrëshqitje dherash! Shembet ura në fshatin Kalivaç

Situata në qarkun e Lezhës ka një përmirësim krahasuar me një ditë më parë, pasi sasia e reshjeve ka qenë më e ujët, por që ka prezencë të sipërfaqeve të përmbytura dhe probleme në disa akse rrugore ku ka pasur rrëshqitje dherash. Gjithashtu në disa zona janë evakuuar edhe banorë nga banesat e tyre dhe janë strehuar në një vend të siguritë, pasi rrezikonin nga përmbytjet. Gjithashtu prurjet e shumta të ujit kanë shembur urën në fshatin Kalivaç, që lidhte banorët e fshatit me qytetin e  Lezhës.

Nga të dhënat e fundit  në qarkun e Lezhës janë 2500 ha sipërfaqe toke me prezencë uji në bashkinë Lezhë dhe 300 ha në bashkinë Kurbin.  Sasia e reshjeve të rëna deri tani është rreth 200mm.  

Konkretisht në Bashkinë Lezhë janë evakuuar 27 familje banesat e të cilëve janë përmbytur nga uji. Në fshatrat Kotërr e Zojs, njësia administrative Dajç, janë 5 familje, me prezencë uji, ku 1 familje në fshatin Gjadër është evakuuar. Në fshatin Sukaxhi, është shembur një banesë, si rezultat i rrëshqitjes së dheut.

Përmirësim ka situata në lumin Drin, ku ka një rënie të nivelit në rreth 50 cm nga pika kritike. Ndërsa në  lumin Gjader po punohet me ngritjen e argjinaturës në disa pika ku uji tenton të kalojë lartësinë  e argjinaturës ekzistuese. Vijon të jetë e bllokuar ura e lumit Gjadër në fshatin Zojs.

Në aksin rrugor Kallmet-Ungrej 2 km nga Kallmeti i vogël ka rrëshqitje masive të gurëve dhe rrugës në  një gjatësi prej 100 metrash duke bërë të pamundur qarkullimin. Në lagjen Varosh, në pjerrtësinë kodrinore perëndimore të spitalit rajonal Lezhë, ka rrëshqitje të një masivi dheu duke dëmtuar muret mbajtëse si dhe duke rrezikuar 6 banesa.

Në Barbulloje është shembur argjinatura e kanalit dhe rrezikonte shembjen e urës por është ndërhyrë duke bërë mbushjen e tij. Të gjitha forcat e mjetet e bashkisë janë në terren në gatishmëri. Në mbështetje të bashkisë janë dhe 15 forca ushtarake dhe 2 makina, te repartit ushtarak Vau i Dejës.

Në Bashkinë Mirditë nuk ka raste përmbytjesh në qytete e fshatra, por rrezikohen disa banesa ne fshatrat si pasoje e prurjeve të lumenjve dhe rrëshqitjes se dherave. Komunikimi dhe lëvizja me të gjitha fshatrat është pa probleme. Ka mungesë të energjisë elektrike në fshati Mashtërkor, Zajs dhe Shmri, Nj.A Orosh, po punohet për riparimin e defektit.  Prurjet e dy lumenjve Fan i Mall dhe Fan i Vogël janë të mëdha.

Në Bashkinë Kurbin si pasojë të shkarkimeve nga hidrocentralit të Shkopetit rrezikohet dalja ujit nga argjinatura dhe për pasojë rrezikohen edhe 13 familje të zonës. Deri tani situata është nën kontroll. Për të eliminuar rrezikun e mundshëm, rritur sigurinë e argjinaturës, është bërë mbushje dhe ngritje të argjinaturës, në pika te caktuara, me thasë rëre. Në kodër Gjorëm, tek Vatht ka rrëshqitje dherash dhe në Milot, ka nevojë për ndërhyrje dhe rehabilitim të dy akseve të rrugëve që lidhin Gallatën dhe Vinjollën me Qendrën Administrative. 

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • braqe: 10/01/2021 04:57

    Ndihme redaksia, aman keni ndonje informacion mbi restorant Naserin ne Domje, mos eshte perrmjerrur, se kam hallin e tenderit te rradhes.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja