Mbrëmjen e së premtes, Përmeti u kthye në kryeqendrën e traditës shqiptare, me nisjen e Festivalit të Gjysheve, titulluar “Nona”.

Dhjetëra gra nga Vlora, Gjirokastra, Elbasani, Shkodra, Pogradeci e qytete të tjera kanë sjellë recetat e trashëguara ndër breza, duke i kthyer stendat në një panair të kuzhinës shqiptare.

“Qëllimi ynë është t’ua transmetojmë të rejave. Do t’ia kushtojmë artit të bukur të të qëndisurit. Veç vlerave të bukura që ka gruaja shqiptare, janë edhe vlerat artistike”, thotë një qëndistare.

Qendra dhe rrugët e qytetit janë mbushur me vizitorë vendas dhe turistë të huaj. Sipas organizatorëve, të gjitha njësitë akomoduese janë të rezervuara.

“Është viti i tretë që e vizitojmë.”

“Ka gjëra shumë të mira, specialitete. Gatime, punë dore”, thonë disa vizitore.

Mes vizitorëve ishte edhe një çift nga Holanda, që provoi për herë të parë mesnikun, një prej gatimeve tradicionale të jugut.

“Jemi nga Holanda dhe na pëlqen shumë kjo”, thotë çifti.

Ky është edicioni i 7-të i festivalit “NONA” dhe do të vijojë deri të dielën e 9 gushtit në qytetin e Përmetit.