"Vendi ku ndodhemi do të jetë vend-depozitimi i plehrave për të gjithë rrethin e Përmetit për këtë arsye banorët e fshatit Piskovë kanë protestuar, duke kërkuar anulimin e këtij projekti në këtë hapësirë të gjelbër që ndodhet në rrugën që të çon drejt Bredhit të Hotovës".

Banorët e fshatit Piskovë shprehen se Bashkia e Përmetit ka ndërmarrë një vendim arbitrar, të pa konsultuar për të shndërruar një fushë të gjelbëruar në një vendepozitim për mbetjet urbane.

“Kërkojnë të na sjellin plehrat e të tëra bashkive aty ku mbi ujin e pijshëm. Të kenë turp këta që po shtojnë veç varfërisë një mijë halle për këtë popull. Pse po i sjellin këtu, apo se është e vogël Piskova. Tatëpjetë ka helmime, kemi ujë, kemi të tëra. I sjellin në Piskovë, pikërisht se ka një terr informativ. Prandaj nuk e dimë."-thanë banorët.

Shqetësimi i banorëve përvec zhdukjes së gjelbërimit, ndotjes së ambientit dhe cënimit të zonës së mbrojtur, ka dhe anën tjetër negative. Atë të depërtimit të ujërave nëntokësorë në ujësjellësin e fshatit. Thirrjen për të anuluar këtë projekt nuk ia drejtojnë vetëm kryetares së bashkisë, Alma Hoxha, por dhe ministren së Turizmit e Mjedisit Mirela Kumbaro e cila është edhe deputete e zonës.

"I bëjmë thirrje ministres Mirela Kumbaro që është dhe e Turizmit dhe Mjedisit të marri masa për këto. Të hetojë SPAK dhe Yuri Kim që thotë për SPAK. Këtë t'ju thotë Yuri Kim atyre, pse i bëjnë fshehurazi. Ta denoncojnë kush ka dorë e të vihen para drejtësisë."- u shprehën banorët.

Kryeplaku i fshatit shprehet se protesta do të përshkallëzohet deri në bllokimin e aksit nacional.

"Para dy tri vitesh që ishte Park Kombëtar, sot nuk e nxjerrin që është Park Kombëtar. Vec asaj 1 km më poshtë kemi ujin e pijshëm. Jemi të varur nga uji i pijshëm nga Vjosa, nga kjo degë e lumit. Kemi kërkuar takim me kryetaren e bashkisë, nuk kemi pasur një reagim dhe me ç'duken gjërat, janë vendosur nga ana e minsistrisë dhe bashkisë."-tha kryeplaku i fshatit,

Vend-depozitimi i plehrave, sipas projektit të bashkisë do të stacionohet në këtë territor të gjelbëruar fare pranë rrugës që në çon në teqen Alipostivan, një vend ku shkojnë me mijëra pelegrinë.