Një aksident ujor ka ndodhur në Liqenin e Komanit, në afërsi të Lumit të Shalës, ku 2 varka me turistë janë përplasur me njëri-tjetrin.

Burime për Report Tv bëjnë të ditur se nga incidenti në zonën turistike kanë mbetur të plagosur 5 persona, të cilët ishin turistë.

Nga burimet fillestare mësohet se ata janë jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë Policia dhe Ambulanca kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur nxjerrjen e tyre nga uji.

Po ashtu në zonë ka shkuar edhe një helikopter i Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe një helikopter ushtarak, për të larguar të dëmtuarit drejt një zone tjetër.

Dy mjetet lundruese, me të cilat po udhëtonin disa turistë, ishin nisur nga Komani në drejtim të Lumit të Shalës. Ndërkohë grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Pak ditë më parë, në një tjetër incident ujor në Porto Palermo, por në rrethana krejt të ndryshme, 4 persona u plagosën duke pësuar djegie të niveleve të ndryshme në trup, pas shpërthimit në motorin e një skafi.

Njoftimi i Policisë:

Koman, Vau i Dejës/Informacion paraprak

Rreth orës 15:15, në liqenin e Komanit, dyshohet se aksidentalisht janë përplasur 2 mjete lundruese.

Si pasojë e përplasjes, janë dëmtuar 5 shtetas, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa shtetasit e tjerë që ndodheshin në mjetet lundruese nuk kanë pësuar dëmtime.

Shtetasit që ndodheshin në mjetet lundruese janë nxjerrë në kalatën e Komanit, me ndihmën e mjeteve të tjera lundruese.

Grupi hetimor po kryen veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Lajm në përditësim...