Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar punonjësin e policisë pasi përplasi për vdekje me makinë një këmbësor në aksin Maliq-Lozhan, një ditë më parë.

Efektivi dyshohet për kryerjen e veprës penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Pas ngjarjes tragjike Report Tv mësoi se 68-vjeçari ishte duke kaluar rrugën teksa u përplas.

Njoftimi i policisë:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan - Korçë) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Inspektor D. Q., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme / Trupë Shërbimi në Seksionin e Rendit Publik, në Komisariatin e Policisë Maliq, pranë DVP Korçë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” parashikuar në nenin 290 të Kodit Penal.

Arrestimi u bë i mundur pasi ditën e djeshme rreth orës 18:00, duke drejtuar mjetin e tij (gjatë shërbimit) në aksin rrugor Maliq - Lozhan, është përfshirë në një aksident rrugor me pasojë vdekjen e shtetasit B. H., banues në Maliq.

Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.